Barak Obama motivon Shtetet e Bashkuara
Trajneri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Bradley, zbuloi se ai kishte marrë një telefonatë motivuese për ekipin nga Presidenti Barak Obama përpara përplasjes kundër Ganës, të shtunën. SHBA-ja përfundoi e para në grupin C, pasi mundi 1-0 Algjerinë. Bradley tha se telefonata e Presidentit ishte një nder për të dhe lojtarët e tij. “Ne jemi të nderuar që përpara një ndeshjeje të madhe të marrim një telefonatë nga Presidenti Obama dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë suksesin sa më larg, kështu ne mund të shkojmë deri në fund”, - tha Bradley. “Ne duhet të jemi të balancuar dhe të përqendruar në çdo ndeshje. Duhet të japim më të mirën tonë, vetëm kështu ne mund të ecim larg”.
Në lidhje me ndeshjen kundër Ganës, Bradley paralajmëroi lojtarët e tij se kanë përballë një skuadër me talente. “Kjo Ganë është një ekip i organizuar, ka individë të talentuar dhe shpirt dhe aftësi të mëdha atletike. Janë të rrezikshëm”. 52-vjeçari Bradley tha për ekipin e tij se kishte treguar aftësi në përpunimin e shpejtë të topit dhe lojën inteligjente. “Ne kemi disa individë që kanë bërë lojë speciale. Ekipi punon fort, jemi të disiplinuar dhe shpesh krijues në momentet e duhura”.
Klinton: “U ngjira në fitoren kundër Algjerisë”
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, ndryshoi agjendën e tij për të ndjekur takimin SHBA-Gana, në Rustenburg. Kryetari i nderit i Komitetit Organizator të Shteteve të Bashkuara për të organizuar Kupën e Botës të vitit 2018 ose 2022, ishte i pranishëm në fitoren “thriller” 1-0 kundër Algjerisë, që i dërgoi amerikanët në raundin me 16 skuadra. Klinton shpenzoi një orë në dhomën e zhveshjes së ekipit amerikan për të festuar me lojtarët. “Humba zërin pardje. Më duhej të shkoja në shtëpi e të pija një çaj të nxehtë me mjaltë”, - tha Klinton. “Gjatë ndeshjes isha shumë diplomatik deri në shënimin e golit dhe më pas u çova vrullshëm duke qeshur me këdo që kisha pranë”.
Gruzah: “Te Gana ka lojtarë mafiozë”
Administratori Alhaji Karim Gruzah, i klubit ganez të Premier Ligës, King Faisal, paralajmëroi trajnerin e “yjeve të zinj”, Milovan Rajevac, të jetë i kujdesshëm nga disa “mafiozë” brenda skuadrës, veprimet e të cilëve mund të destabilizojnë ekipin.
Mundën Italinë, orgazëm mediatike në Sllovaki
Gazeta sllovake i thurën lavde kombëtares së tyre pas fitores së paparashikuar kundër Italisë (3-2) dhe avancimit në 16 më të mirat e Kupës së Botës. “Sllovakia është duke përjetuar një orgazëm të pabesueshme futbollit”, - shkruante tabloidi “Plus”.
“Mrekullia sllovake ndodhi në Afrikë”, - ishte titulli i gazetës “SME”. “Futbolli sllovak fitoi respektin e një bote të tërë”.
“Novy Cas” shkruante se ndeshja ishte një “takim thriller i pabesueshëm me një fund të lumtur”. “Kampionët e botës shkuan në shtëpi. Ishte Sllovakia që i nxori jashtë ata”. Sllovakia do të përballet me Holandën në raundin me eliminim direkt, të hënën.
Uruguai-Koreja e Jugut, përplasen dy kontinente
Uruguai, dy herë kampion i botës (1930 dhe 1950) do të sfidojë Korenë e Jugut në raundin me eliminim direkt. Sulmuesi Luis Suarez tha: “Nuk ka rëndësi tani se kush është kundërshtari ynë i ardhshëm. Ne jemi të përgatitur për të vazhduar avancimin në kompeticion”. Sulmuesi i Uruguait, Diego Forlan, një nga yjet e këtij Botërori (26 gola/65 ndeshje ndërkombëtare) tha se ndihej i lumtur që kishte shmangur Argjentinën. “Ne i respektojmë ara, por si amerikanojugorë, sa më larg të shkojmë aq mirë”. Uruguai përfundoi i pari në grupin A, me dy fitore dhe një barazim: 3-0 me Afrikën e Jugut, 1-0 me Meksikën dhe 1-1 me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse të Botërorit. Koreja e Jugut dot të përballet me Uruguain në një tetat e finaleve. Ylli i koreanëve, Park Ji-Sung, tha se ekipi i tij është i përgatitur për sfidën. “Ne kemi parë disa ndeshje të Uruguait. Janë një ekip me cilësi dhe të fuqishëm. Performanca e tyre ishte e madhe në fazën e grupeve. Ne duhet të përgatitemi mirë për këtë ndeshje”, - tha Park për “Daily Yomiuri”. Koreja e Jugut humbi vetëm ndeshjen me Argjentinën (4-1) kryesuese në grupin B, ndërkohë që fitoi me Greqinë (2-0) dhe barazoi me Nigerinë (2-2).
Gjermania, nga 50 mijë euro fitorja kundër Anglisë
Gjermania ka vendosur një premio prej 50 mijë eurosh për çdo lojtar nëse ata do të fitojnë ndeshjen kundër Anglisë, të konsideruar si nga finalet e parakohshme të këtij Botërori, por që në fakt vlen për një të tetat. Nëse do të munden djemtë e Johakim Lëvit do të mbeten me xhepat bosh. “Nationalmanschaft” është e bindur në fitore dhe kapiteni Filip Lahm nuk ka asnjë dyshim për këtë. “Të gjithë jemi të uritur për sukses. Ne duhet të jemi të guximshëm. Duhet të luftojmë në çdo centimetër të fushës”. Dhe për një shumë prej 50 mijë eurosh yjet e Gjermanisë janë gjithmonë gati.
Frikë nga Gjermania, anglezët ushtrojnë penalltitë
Në kokat e anglezëve rëndojnë kujtimet e hidhura të Kampionatit Botëror 1990 dhe Kampionatit Europian 1996. Në të dy kompeticionet “tre luanët” humbën me penallti kundër Gjermanisë, që fitoi më pas edhe titujt. Këto eliminime janë ende të gjalla në ishull, që ka lënë gjurmë të rënda. Për këtë trajneri i Anglisë, Fabio Kapello, po ushtron pas çdo seance gjuajtjet e penalltive. Pesë penalltistët tashmë janë përcaktuar: Frank Lampard, Stivën Xherard, Uejni Runiu, Xhejms Milner dhe Garet Beri.
Markez: “Të bllokojmë Lionel Mesin”
Meksika do të përballet me Argjentinën në një të tetat e finaleve. Rafael Markez tha se detyra më e rëndësishme e ekipit të tij është të bllokojë Lionel Mesin, shokun e tij te Barcelona.
“E njoh Mesin shumë mirë. Është shumë e vështirë të luash kundër tij dhe ta ndalosh atë. Ne duhet të përpiqemi të mbyllim çdo hapësirën në të cilën ai operon, pasi është e vështirë t’ia heqësh topin atij. Ai është lojtari më i mirë në botë, - tha Markez që shënoi golin e vetëm të Meksikës në humbjen 2-1 kundër Argjentinës në “Gjermani 2006”.
26 Qershor 2010