E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e Eurozonës, Civici: Qeveria të reduktojë borxhin

TIRANË- Kriza e borxheve në eurozonë bën apel për kujdes edhe për qeverinë shqiptare. Kjo për shkak të lidhjeve të forta tregtare, por dhe projekteve të shumta që investohen prej vendeve europiane. Ekspertët rekomandojnë mbajtjen nën kontroll të borxhit, një tregues i vlerësuar problematik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

“Edhe rasti i Shqipërisë megjithëse nuk është një vend eurozonës dhe akoma nuk është një vend kandidat për në Bashkimin Europian, për faktin që 70% e vëllimeve tregtare të Shqipërisë zhvillohen me vendet e BE, fakti që pjesa më e madhe e emigracionit ekonomik shqiptar është në dy nga vendet më të prekura të BE dhe fakti që BE ka qenë vazhdimisht financuesi kryesor në të gjitha format e zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri. Natyrisht që ndikimet e kësaj krize janë evidente dhe për sa kohë ajo do vazhdojë në BE, për aq kohë do vazhdojë dhe ndikimi i saj në rastin shqiptar. Natyrisht që niveli i borxhit në Shqipëri është në disa limite, të cilat nuk duhet të tejkalohen”, tha Civici.

Edhe pse pjesa dërmuese e borxhit shqiptar është i brendshëm, pra që iu është marrë qytetarëve, cka e klasifikon atë si borxh të mirë, ekspertët argumentojnë se qeveria duhet të ndjekë politika që të reduktojnë këtë tregues gjatë dy tre viteve të ardhshme.

“Zhvillimi ynë në dy tre vitet që vijnë nuk duhet të bazohet thjesht në eliminimin e shumë problemeve të brendshme që kemi duke marrë borxh, por duhet të punojmë për rritjen ekonomike, në mënyrë që niveli i borxhit të vijë duke u ulur. Kjo është edhe këshilla e gjithë institucionet ndërkombëtare”, shtoi Civici.

Ekspertët shpjegojnë se ulja e normës bazë të interesit pak ditë më parë nga Banka e Shqipërisë synon që të minimizojë efektet e krizës së eurozonës, nëpërmjet nxitjes së konsumit dhe investimeve private, tregues që paraqiten të ngadalësuar edhe në vendet europiane.

“Ulja e normës bazë të interesit është një stimul nëpërmjet politikës monetare që i bëhet lehtësimit të kreditimit, rritjes së kreditimit dhe nga ana tjetër është një lloj stimuli që zëvendëson uljen dhe të kërkesës që vjen nga eurozona ose BE me të cilat ne kemi marrëdhënie tregtare”, përfundoi Civici.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›