E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e Liverpulit, tifozët kundër trajnerit Benitez

LONDER- Kriza e Liverpulit ka bërë që për të parën herë tifozët e kësaj skuadre të dalin kundër trajnerit Rafa Benitez. Pas barazimit 1-1 me Lionin, që e lë skuadrën angleze në kuotën e 4 pikëve dhe shumë pranë eleminimit nga Champions, tifozët janë shprehur se është e nevojshme një ndryshim. Një sondazh i kryer nga e përditshmja Times pas humbjes me Fulhamin bënte të ditur se 54 % e tifozëve kërkojnë largimin e trajnerit, ndërsa pas ndeshjes me Lionin kjo përqindje ka shkuar në 56. Pas ndeshjes në Francë, Benitez deklaroi se është i zhgënjyer nga mungesa e 3 pikëve, por se nuk do të largohet nga detyra. “Nuk mendoj se vendi im është në rrezik dhe nuk po mendoj për këtë, por për ndeshjen e 24 nëntorit”, tha tekniku spanjoll. Ai u shpreh se skuadra e tij do të fitojë dy takimet e mbetura, duke shpresuar që Fiorentina të lërë pikë rrugës. Por, të gjithë në Angli janë të mendimit se ditët e Benitez në “Anfield Road” janë të numëruara. Rezultatet negative në kampionat dhe Ligën e Kampioneve apo një merkato aspak e kënaqshme, kanë krijuar një klimë aspak pozitive përreth trajnerit spanjoll. Edhe kapiteni Stiven Xherard në një intervistë të dhënë ditën e enjte ka deklaruar se skuadrës i mungon një lojtar si Ksabi Alonso, që sipas tij është më i miri në botë në rolin e mesfushorit organizator. Në rast largimi Rafa Benitez shihet si pasues i Manuel Pelegrinit në stolin e Realit, ndërkohë që në stolin e Liverpulit mund të ulet Roberto Mançini.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›