E Diel, 1 Nëntor 2026

Federata, 2.5 milionë euro për stadiumet me ndriçim

TIRANE- Federata e Futbollit ka miratuar tenderin prej 2.5 milionë eurosh për bërjen me drita të 6 stadiumeve të tjera në Shqipëri. Bëhet fjalë për stadiumet e Elbasanit, të Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës dhe Korçës, të cilët brenda një viti do të jenë me impiante ndriçimi. Projekti i lançuar një vit më parë tashmë do të nisë nga zbatimi dhe i është besuar kompanisë General Elektrik. Vendosja e impianteve të ndriçimit në stadiumet Durrësit, Kavajës dhe Vlorës do të përfundojë që këtë sezon, ndërsa 3 të tjerët vitin tjetër.
Ndërkohë, Federata ka vendosur edhe dhënien e 600 mijë eurove për fushat e kategorisë së parë, që konsiston në ndryshimin e tapeteve të tyre. Investimet do të bëhen në bashkëpunim me UEFA-n dhe me bashkitë e qyteteve dhe që kanë për synim përmirësimin e infrastrukturës sportive, e konsideruar si gangrena e futbollit shqiptar. Një tjetër vendim i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së ka qenë ai për shpërblimet e skuadrave që fitojnë trofe. Kështu, ekipi kampion i Superligës do të marrë 10 milionë lekë, ndërsa fituesi i Kupës 5 milionë. 4 milionë lekë do t’i jepen skuadrës fituese të kategorisë së parë, ndërsa 1 milion lek fitueses të Kategorisë së Dytë. Ndryshimi në krahasim me vitet e shkuara është se klubet mund t’i tërheqin këto para jo vetëm në formën e investimeve, por edhe Kesh. Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte ai për sponsorizimin e klubeve shqiptare në rast se kalojnë turet e kupave të Evropës. Një gjë e tillë bëhet për stimulimin e këtyre ekipeve, që shpesh përfundojnë në akuza për shitje ndeshjesh.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›