E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e bankave, të sigurta Bonot

Nga Genc Kondi
Mungesa e Bursës aktive dhe qarkullimi i lartë i parasë në dorë (cash) në Shqipëri, ulin rrezikun nga kriza financiare botërore. Vendet e bankave-mëmë, të paprekura nga kriza. 

TIRANE-Kush do që t'i sigurojë më shumë paratë që ka depozituar në bankat e nivelit të dytë, të pranishme në vendin tonë, ka dy rrugë: së pari, të blejë bono Thesari dhe së dyti, të ndajë paratë që ka depozituar në më shumë se një llogari. Varianti i parë, jo vetëm që siguron një garanci më të lartë për paratë, pasi ke të bësh me shtetin, i cili praktikisht, nuk falimenton kurrë, por ofron edhe një normë më të lartë fitimi për ata që blejnë bono. Varianti i dytë ka lidhje me një defekt të legjislacionit tonë ekonomik: shteti garanton 100% vetëm 300.000 lekë të reja depozita dhe 400.000 të tjera garantohen në një masë 60-70%. Kështu, në rast se një depozitues ka vendosur në bankë, për shembull, 30 milionë lekë të vjetra, në lekë ose valutë të huaj, në rast falimentimi të bankës rrezikon të humbë një pjesë të depozitës, për të cilën shteti nuk del garant. Kjo do të kishte zgjidhje, në rast se i njëjti qytetar do të ndante të njëjtën shumë parash në dy ose më shumë banka, nën emrin e tij, ose nën emra të familjarëve të tij. Me fjalë të tjera, ndarja e depozitave do t'i jepte atij një siguri më të lartë, duke qenë se për secilën depozitë, shteti do t'i njihte garancinë e premtuar.
Megjithatë, të paktën deri tani, duket se tregu bankar shqiptar është larg të qenit i rrezikuar. Kjo, për dy arsye, theksojnë ekspertët. Së pari, për shkak se ndryshe nga vendet e tjera, bankat që operojnë këtu, vetëm 43% të aktiveve të tyre e kanë përdorur për kredi. Në SHBA, vend ku lindi kriza aktuale, kjo shifër i ka kaluar 100%. Dhe së dyti, bankat-mëmë të huaja, "qendrat" e bankave tona të nivelit të dytë, nuk kanë njohur problemet amerikane dhe nuk duken të rrezikuara në një afat të afërt. Sipas revistës ekonomike "Monitor", në tregun tonë bankar 90 për qind e kapitalit aktiv vjen nga banka evropianoperëndimore, që nuk kanë pasur asnjë lloj problemi me krizën amerikane. Përveç kësaj, 80% e aktiveve të tyre përbëhen nga depozitat e shqiptarëve, shifër kjo shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Ballkanit apo të Evropës. I vetmi rrezik në këto kushte, do të ishte një alarm i rremë, një panik i tërheqjes së depozitave, që do të krijonte vështirësi për bankat, por, edhe në këtë rast, të përballueshëm e të përkohshëm.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›