Kriza e borxheve tensionon edhe marrëdhëniet dypalëshe gjermano-greke
Situata
Në krizën e borxhit shumë grekë janë të prirur të flasin keq për gjermanët dhe anasjelltas. Kjo atmosferë negative nuk është surprizë, por një aspekt i populizmit të përhapur në të gjithë Europën. Gazetat bulevardeske gjermane u bëjnë thirrje “grekëve të falimentuar” të shesin ishujt e tyre për të larë borxhet dhe karikaturistët grekë e paraqesin Kancelaren Angela Merkel shumë shpesh me uniformë ushtarake, ose si zbutëse kafshësh në cirk. Deklaratat negative të disa politikanëve në të dy vendet nuk e kanë thjeshtuar afrimin ndërmjet Gjermanisë dhe Greqisë. Kjo atmosferë negative nuk është surprizë, ajo është një aspekt anësor i populizmit të përhapur në të gjithë Europën, që përkeqësohet nga kriza, mendon Maria Gianakaki. Ajo është anëtare e sapozgjedhur e së “Majtës Demokratike” proeuropiane në Parlamentin e Athinës. Prandaj atmosfera e tensionuar e grekëve kundër Gjermanisë mund të luftohet vetëm në kontekstin mbareuropian, thotë ajo. Kriza po ngjall kudo në Europë fantazmën e nacionalizmit, ideja europiane po deformohet pa të drejtë”, kritikon Gianakaki. As Greqia dhe as Gjermania nuk janë fajtorët e vetëm për mjerimin e sotëm ekonomik, por kjo u duhet shpjeguar njerëzve. “Kjo është në radhë të parë detyrë e politikës në secilin vend, që për fat të keq lihet pas dore”. Por me gjithë shprehjet antigjermane në shtyp dhe karikaturat ofenduese për Kancelaren gjermane Merkel, politikania nuk mund të besojë, “se të gjithë grekët i shpallin gjermanët armiq dhe anasjelltas. Bëhet fjalë për raste të veçanta, për mendimet e një pakice”, thotë deputetja e të “Majtëve Demokratikë”. Një rezultat krejtësisht tjetër tregon sondazhi i publikuar para disa muajsh, i revistës javore athinase “Epikara”, që gjithnjë është kritike ndaj Berlinit. Sipas saj, 76 për qind e të pyeturve e konsiderojnë Gjermaninë si “vend armiqësor”, vetëm 1,5 për qind kanë ndjenjë simpatie për RFGj. Vetëm gjashtë vjet më parë, pra, para shpërthimit të krizës dramatike ekonomike, 80 për qind e grekëve, sipas anketimeve, kishin simpati të veçantë për Gjermaninë. “Unë e kam lexuar vetë artikullin dhe duhet të them, se metodologjia e shtrimit të pyetjeve të sondazhit më është dukur pak e çuditshme, thotë politologia Maria Gianakaki. Përveç kësaj, shumë nga të intervistuarit e barazojnë Gjermaninë, me sa duket, me qeverinë gjermane apo madje me Angela Merkel-in si individ, kritikon Maria Gianakaki. Ajo ka studiuar shkenca politike në Athinë dhe në Paris dhe përfaqëson një brez të ri të politikanëve grekë, me një kualifikim shumë të mirë dhe me përvojë nga jashtë. Së pari, ajo do të dëshironte të hapte një diskutim të madh për Europën, që do t’u jepte grekëve mundësi për vetëkritikë. “Në këtë mënyrë mund të shmanget ky apo ai keqkuptim për rolin e Greqisë në Europën e Bashkuar”, beson ajo. “Deri tani në këtë vend ne nuk kemi mundur të zhvillojmë një diskutim të thellë për integrimin europian, apo për federatën europiane”. Ajo është e trishtuar, “që për shumë grekë Europa nuk është gjë tjetër, se sa një mama me humor të mirë, që shpërndan para dhe subvencione, me sa duket pa pritur gjë në këmbim. Kjo është një bindje krejtësisht e gabuar”. Edhe Angelos Koveos, ekspert për politikën në gazetën prestigjioze javore athinase “To Vima”, sheh nevojë të madhe për të vepruar në këtë pikë në Greqi. “Përveç kësaj, grekët, në aspektin e menaxhimit të krizave, duhet të mësojnë shumë nga gjermanët”, thotë gazetari, i cili ka studiuar në Tybingen: Për shembull një qëndrim të disiplinuar ndaj financave. Për atmosferën e keqe ndërmjet Greqisë dhe Gjermanisë politikanët gjermanë nuk janë krejtësisht të pafajshëm. “Nganjëherë bëhen përpjekje për t’ua imponuar vendeve të tjera një këndvështrim moralizues për ekonominë, sikur të jetë fjala për fajin dhe shlyerjen e fajit”, kritikon Angelos Koveos. Është folur që grekët të merren shembull si fajtorë. Por kështu nuk mund të funksionojë një bashkësi shtetesh. “Dhe unë besoj, se të gjithë europianëve u është bërë ndërkohë e qartë, se kështu nuk funksionon”, mendon gazetari nga Athina. Nuk janë të nevojshme tiradat moralizuese, por bisedimet në pozita të barabarta. Koveos ngul këmbë për të larguar keqkuptimet gjermano-greke. Nga politikanët në të dy vendet ai është i zhgënjyer, sepse ata duan vetëm të profilizohen në politikën e brendshme. Por mediat serioze mund të luajnë këtu një rol pararojë, mendon gazetari athinas. “Nuk është detyra e shtypit vetëm të pasqyrojë konfliktet, por edhe t’i interpretojë ato dhe, nëse është mundësia, të tregojë zgjidhje”. Edhe pse kriza aktuale e borxhit nuk është e lehtë, mediat mund të përpiqen së paku të ulin tensionin dhe të shmangin ndjenjat antigjermane apo antigreke.
Kriza e borxheve tensionon edhe marrëdhëniet dypalëshe gjermano-greke burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip