E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat e myslimanëve në Kinë

Përderisa shumë myslimanë Hui në Pekin i përmbahen traditave të Ramazanit, përkundër faktit se janë pakicë në kryeqytet, ka kundërthënie në lidhje me masat e ndërmarra nga autoritetet në provincën perëndimore, Xinjiang, për të pamundësuar agjërimin e uigurëve myslimanë. Duke u arsyetuar me “brengat për shëndetin”, qeveritë lokale ju kanë thënë zyrtarëve dhe studentëve që të pinë dhe hanë gjatë ditës dhe kanë theksuar se dyqanet e myslimanëve duhet të qëndrojnë të hapura.

Para lindjes së diellit gjatë Ramazanit, He Xiying do të ha makarona dhe mantia. Zonja He, një pensioniste e cila jeton në Pekin, thotë gjithashtu se nganjëherë ha oriz, që është ushqim më i popullarizuar në jug të Kinës.

“Zakonisht ha ushqim, i cili nuk do të më lë të uritur në mëngjes”, thotë ajo. Në xhaminë Niujie në Pekin, e cila ka një histori mbi 1 mijë vjeçare, darka e iftarit për ti dhënë fund agjërimit pas perëndimit të diellit përmban ushqim karakteristik mysliman, por edhe kinez.

Përderisa He, pjesëtare e pakicës myslimane Hui në Kinë, agjëron gjatë Ramazanit, djali i saj 24 vjeçar, Ding Ruihe, nuk agjëron. Kjo pasqyron një dukuri që nuk është e pazakonshme, pasi që myslimanët e ri, të cilët punojnë gjatë tërë ditës, nuk agjërojnë.

“Kjo ndodh për shkak se jam tejet i zënë me punë”, thotë Ding, i cili megjithatë shkon në xhami gjatë muajit të shenjtë mysliman.

Ngjashëm, edhe restorantet ne rajonet me popullatë myslimane në jug-perëndim të qytetit janë të hapura gjatë ditës gjatë Ramazanit, edhe pse ka shumë më pak klientë.

Për Ding Yulan, 78 vjeç, gjithashtu një myslimane Hui, agjërimi është jo-praktik, për shkak të sëmundjes që ndërlidhet me moshën e saj, por ajo dëshiron që muajin e shenjtë ta përcjellë me vepra të mira.

“I jap para atyre që lypin. Këtë e bëj edhe herave tjera, por gjatë Ramazanit ju jap më shumë para”, thotë ajo.

Përderisa shumë myslimanë Hui në Pekin i përmbahen traditave të Ramazanit, përkundër faktit se janë pakicë në kryeqytet, ka kundërthënie në lidhje me masat e ndërmarra nga autoritetet në provincën perëndimore, Xinjiang, për të pamundësuar agjërimin e uigurëve myslimanë.

Duke u arsyetuar me “brengat për shëndetin”, qeveritë lokale ju kanë thënë zyrtarëve dhe studentëve që të pinë dhe hanë gjatë ditës dhe kanë theksuar se dyqanet e myslimanëve duhet të qëndrojnë të hapura.

Përderisa autoritetet në Xinjiang edhe në të kaluarën kanë penguar praktikat e Ramazanit, ndalesat këtë vit janë edhe më të ashpra, thotë Dolcun Isa, kryesues i Komitetit Ekzekutiv të Kongresit Botëror të Uigurëve. Ai thotë se shumë njerëz përpiqen të fshehin faktin se janë duke agjëruar.

Kongresi, i cili përfaqëson grupet e uigurëve në mërgim, kundërshton rregullat e Pekinit në Xinjiang, rajon ky në të cilin kinezët konsiderohen si kolonizues.

“Nuk është asgjë e re, por këtë vit qeveria kineze dhe qeveritë lokale kanë miratuar rregulla të reja dhe po përpiqen të ndalin aktivitetet religjioze”, thotë Isa.

Autoritetet po shtrojnë drekë për mësuesit në shkolla gjatë Ramazanit, thotë ai, një gjë të cilën ata normalisht nuk do ta bënin, si një mënyrë për të testuar se a janë ata duke agjëruar. Ata që refuzojnë të hanë, rrezikojnë të humbin vendin e punës, shton Isa.

Duke kufizuar agjërimin e Ramazanit nga ana e myslimanëve, Kina po shkelë kushtetutën e saj, e cila garanton lirinë e besimit, vazhdon Isa.

Ka tashmë shumë vite që ekzistojnë tendosjet mes popullit shumicë han në Kinë dhe nëntë milionë uigurëve myslimanë, të cilët e ndiejnë vetën të diskriminuar.

Në korrik të vitit 2009, pakënaqësia shpërtheu në dhunë në kryeqytetin provincial, Urumqi, pas një përplasje mes protestuesve uigurë dhe policisë, me ç’rast u vranë 197 persona, uigurë dhe hanë.

Nëse autoritetet bëhen edhe më represive, ato mund të nxisin dhunë të re, thotë Ding Xueliang, profesor në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë në Hong Kong.

“Ramazani është festa më e rëndësishme për myslimanët. Nëse nuk angazhohen në aktivitete politike, atëherë pse të kufizohen? Le të bëjnë çfarë të dëshirojnë. Kjo vërtetë është një situatë pikëlluese”, thotë Ding.

Për të zbutur tendosjet, Ding beson se autoritetet duhet të përmirësojnë dhe të zgjerojnë mundësitë për punësimin e uigurëve. Duke vënë në shënjestër traditat religjioze, autoritetet mund të armiqësojnë edhe më shumë uigurët, beson Ding.

Pasi që kanë marrëdhënie më pak të tendosura me autoritetet, myslimanët Hui në Kinë janë në gjendje që të agjërojnë dhe të ndjekin traditat e Ramazanit.

Ma Zhijun, administratore në xhaminë Niujie, thotë se myslimanët nga i gjithë Pekini vijnë në xhami për iftar, ku ata shërbehen me ushqim.

“E shijoj, ndihet një harmoni. Myslimanët janë një familje e madhe”, nënvizon ajo.

(National Interest)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›