E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftimet ne Siri perqendrohen ne Aleppo

Pavarësisht deklaratave të lealistëve për marrjen e plotë të kontrollit në Aleppo, luftimet vazhdojnë. Rebelët janë tërhequr nga pikat strategjike, por për ushtrinë e lirë siriane kjo lëvizje është vetëm një taktikë. Nga ana e saj ushtria siriane besnike e regjimit të Asad vazhdon bombardimet në të gjithë qytetin. Presidenti Asad ndërkohë ka emëruar dhe kryeministrin e ri të vendit, që zëvendëson Riad Hajib, i cili dezertoi pak ditë më parë për tu bashkuar me rebelët. Uael al Halki, i cili ishte Ministër i Shëndetësisë tashmë është në krye të qeverisë. Ndërsa përgjegjësi për protokollin e pallatit presidencial ka vendosur të bashkohet me rebelët. Këta të fundit që kanë konfirmuar lajmin kanë deklaruar se do të ketë edhe dezertime të reja të funskionarëve të regjimit. Ndërkaq në frontin diplomatik Irani po përpiqet të organizojë një mbledhje të ministrave të jashtëm. Por vendet perëndimore e shohin realizimin e këtij takimi si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga dhuna në Siri. Ndërkohë që ministri i Jashtëm iranian i ka dërguar njw letër amerikanes “Uashington Post” duke thënë se vendi rrezikon të kthehet në një Afganistan të ri. Sipas tij nëse Asad do të rrëzohet nga pushteti atëherë mozaiku i bukur i etnive, besimeve dhe kulturave do të copëtohej. Por vendi po përjeton dhe një largim në masë të sirianëve që duan ët shpëtojnë nga luftimet. Rreth 50 mijë refugjatë kanë lënë vendin e shkatërruar nga lufta duke iu drejtuar Turqisë. Në një vend i cili është gjunjëzuar presidenti sirian duket më i vetmuar se asnjëherë. Goditja e fundit që erdhi nga dezertimi i përgjegjësit për protokollin e pallatit presidencial shihet më tepër si një goditje simbolike se sa politike për regjimin. Kanë mbetur të pakët në numër ata që janë ende besnikë të presidentit sirian të cilët vazhdojnë ta mbrojnë për arsye familjare por edhe për arsye ideologjike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›