Ed Rama, nipi i Mbretit Zog? Unë nuk e besoj
• Arian ÇANIQë Vlash Rama njihet publikisht si gjyshi i Ed Ramës dhe që ai ka qenë shofer i Ahmet Zogut, këtë sigurisht që nuk e mohon askush, madje as vetë Edi, i cili e ka dëshmuar disa herë me kënaqësi të veçantë në daljet e tij të shumta publike. Pa dyshim që publiku i gjerë ka njohur deri tani këtë version të ngjarjes. Por vetëm pak ditë më parë, një e përditshme shqiptare me emrin “Sot”, hidhte në treg një version krejt tjetër të prejardhjes së Edi Ramës. Sipas gazetës, Edi Rama, kryetari aktual i socialistëve dhe kryebashkiaku i Tiranës do të ishte sipas këtij varianti, nipi i Mbretit Zog dhe jo i Vlash Ramës. Pra, me fjalë të tjera, Kristaqi, i ati i Edit, i bie sipas kësaj gazete, të jetë djali i fshehtë i Ahmet Zogut dhe jo i Vlash Ramës. Një histori në pamjen e parë, sa haluçinante, aq edhe interesante. Unë për vete nuk e besoj dot me lehtësi këtë version, ndonëse që pas botimit të këtij shkrimi, gjatë gjithë kësaj jave, me thënë të drejtën, më erdhi aq keq që nuk më rastisi mua të isha në vend të Ramës. D.m.th, kush nuk do donte të ishte nipi i Mbretit Zog? E imagjinoj për një çast babanë tim, të lindte nga një nënë që do të kishte pasur shansin të punonte në oborrin e Ahmet Zogut, madje të ishte e preferuara e tij. Me siguri që jeta do të më kishte rezervuar një fat shumë më të ndritur se ky që kam. Fatin e Ramës për shembull. A nuk ka goxha fat kryetari ynë i Bashkisë së Tiranës? E megjithatë, unë e kam të vështirë të besoj se fati i tij lidhet domosdoshmërisht me faktin se ai do të mund të ishte nipi i Ahmetit, një version që Kac Myftaraj i gazetës “Sot” është përpjekur të ndërtojë në investigimin e tij. Jo, jo. Unë për vete, nuk e besoj dot. Nuk do të ishte ndonjë dramë edhe po të ishte kështu! Përkundrazi. Por unë nuk dua ta besoj sepse më vjen aq inat që ku Rama të ketë kaq fat dhe unë jo… Sepse ja për shembull, çfarë shkruan Kac Myftaraj në artikullin e tij, botuar më 15 dhjetor 2007 në gazetën “Sot”: “Gjyshi i Edi Ramës nga babai, Vlash Rama, ka qenë shoferi dhe njëkohësisht bodyguardi i Mbretit Zog. Vlash Rama ka qenë në vitet njëzet të shekullit të kaluar, kohë kur në Shqipëri kishin hyrë shumë pak autovetura luksoze, madje shumë pak automjete, ndoshta shoferi më i mirë i autoveturave të shpejtësisë së lartë. Ky pasion iu kultivua në Itali, ku i ati e çoi me studime, por që Vlash Rama nuk i kreu se u rrëmbye nga magjia e autoveturave të shpejtësisë së lartë. Në vend të diplomës ai solli në Shqipëri një nga autoveturat e para luksoze të shpejtësisë së lartë…” Deri këtu nuk ka asgjë që të bën të dyshosh në një lidhje të fshehtë të Mbretit me gruan e Vlashit. Eshtë e vërtetë që as Kristaqi dhe as i biri, pra Rama, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë pasion për autoveturat, madje Edi nuk di ende t’i japë makinës. Por kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk është e thënë që djali dhe nipi duhet të ngjasojnë me gjyshin deri në këtë detaje. Por le të vazhdojmë me shkrimin e Myftarajt: “Në atë kohë Ahmet Zogu e kishte të vështirë që të gjente një shofer të aftë dhe të besuar, pasi shoferët ishin shumë të paktë në Shqipëri. Kështu që Zogu pranoi propozimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Pandeli Evangjelit, i cili kishte miqësi me familjen e Vlash Ramës, që ta merrte këtë të fundit si shofer personal. Mbreti shtatlartë, dhe shoferi i tij personal shtatshkurtër, u bënë një dyshe e pandarë në udhëtimet e mbretit. Për ta lidhur më tepër pas vetes shoferin e tij të ri, Ahmet Zogu e martoi atë me një nga kamerieret që punonte në vilën e tij të Durrësit, e njohur si Vila e Zogut. Kjo kameriere, e cila ishte një femër shumë e bukur, që në moshë shumë të re kishte shërbyer dhe pranë gruas së Princ Vidit, kur ky erdhi në Shqipëri në vitin 1914.., Ahmet Zogu e ka dashur këtë martesë, edhe për ta kontrolluar shoferin e vet personal, me anë të një njeriu shumë të besuar për të. Ahmet Zogu u tregua shumë bujar me çiftin e ri, duke u bërë dhurata të shtrenjta, por ndërkohë i kërkoi shoferit të vet të parapëlqyer që mos ta largonte gruan nga puna, se ajo me përvojën që kishte ishte e domosdoshme, duke qenë se instruktonte dhe koleget e saj të punës. Vlashi për pjesën më të madhe të kohës ishte larg familjes së tij të re, e cila ishte nën kujdesin mbretëror. Në këto rrethana, në vitin 1932 çiftit të ri i lindi një djalë, i cili ishte babai i Edi Ramës, Kristaqi, i cili nuk do t’i ngjiste të atit as në shtat dhe as në pasionin e tij për automjetet e shpejtësisë së lartë. Mbreti Zog tregonte një dashuri të jashtëzakonshme për djalin e shoferit të vet, dhe në oborrin mbretëror kjo gjë binte shumë në sy, duke u bërë shkak që të fillonin të qarkullonin fjalë të papëlqyera për reputacionin e mbreti…, e shpjegonin me atë se Mbreti Zog kompensonte mungesën e fëmijëve të vet, pasi ende nuk ishte martuar…” Ndonëse Vlashi ishte i shkurtër, kjo nuk do të thotë aspak që djali dhe nipi të mos jenë të gjatë. Thonë se geni ndërron pas shtatë brezash. Po nejse. Kac Myftaraj vazhdon më tej: “Shpeshherë, nëna e Kristaqit detyrohej që ta çonte djalin e saj tek Ahmet Zogu, se ky kishte për t’i bërë ndonjë dhuratë, ose për të luajtur me të. Por, që në ditët në prag të martesës së Mbretit Zog, në vitin 1938, kur në Shqipëri do të vinte nusja e ardhshme e mbretit, Geraldinë Appony, djali i vogël i shoferit të Mbretit Zog dhe nëna e tij nuk u panë më në pallatin mbretëror, për arsye që u komentuan në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm…”. Sigurisht që edhe këto detaje nuk konfirmojnë aspak që Edi Rama të jetë nipi i Mbretit Zog. Sigurisht që gjithçka mund të ndodhë. Por që unë të besoj se kjo është e vërteta e kryetarit tim të Bashkisë!!! Tmerr… E perse te mos isha vetë nipi i Zogut?! Sa inat më vjen sikur një ditë kjo të rezultonte realisht e vërteta e Edi Ramës. Sa fat do të kishte ky njeri…!