E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja në flakë e nënës me 3 vajzat, aksidentale

• Shkaku i vdekjes në flakë të tri vajzave të mitura bashkë me nënën e tyre, tri ditë më parë në Tiranë, ka qenë ngrohësja e harruar ndezur në kohën kur në banesë mungonte energjia elektrike.Trazhgim Sokolaj Ky është përfundimi në të cilin ka mbërritur grupi hetimor i ngjarjes tragjike, që ndodhi në katin e shtatë të një pallati në rrugën “Komuna e Parisit”, në kryeqytet. Sipas verifikimeve të specialistëve në vendin e ngjarjes, burimi i flakëve ka qenë ngrohësja e cila ishte lënë ndezur nga nëna e tri vajzave të mitura. Ngjarja është klasifikuar nga policia si aksidentale pas konsultimit me prokurorin e gatshëm të Tiranës. Sipas burimeve të hetimit mësohet, se ngrohësja është harruar ndezur në kohën kur kanë fjetur katër viktimat e tragjedisë. Përllogaritjet e hetuesve tregojnë se kjo ka ndodhur në kohën kur në banesën ku ra zjarri nuk kishte energji elektrike. Në mungesë të dritave nëna e tri vajzave të asfiksuara nuk ka mundur të kuptonte se ngrohësja ishte lënë ndezur. Specialistët theksojnë në raportin që i kanë dërguar grupit të hetimit, se mbi ngrohëse ishte vendosur edhe një rrobe e cila ka marrë flakë rreth orës 01:30 pas mesnate, si pasojë e nxehtësisë së lartë të pajisjes. Katër viktimat e ngjarjes ishin nga Kosova. Vajzat dhe nëna e tyre kishin mbërritur tre muaj më parë në Shqipëri bashkë me kryefamiljarin, i cili punonte për një firmë ndërtimi. Më 19 dhjetor 2007, familja Gutaj kishte planifikuar të udhëtonte në drejtim të Gjakovës në Kosovë për të festuar Kurban Bajramin. Por atë ditë, kryefamiljari Haxhi Gutaj dhe të afërmit e tij janë detyruar të nisen për mort në drejtim të Kosovës pas tragjedisë së rëndë të ndodhur në apartamentin, ku ata banonin me qira. Tri vajzat e mitura bashkë me nënën e tyre, Sadete Gutaj mbetën të vdekura rreth orës 02:00, pas mesnate. Ato u asfiksuan nga tymi që pushtoi banesën pasi ngrohësja e harruar ndezur kishte djegur një rrobe të vendosur në pjesën e sipërme të saj dhe më pas edhe orenditë e shtëpisë. Përpjekjet e komshinjve për të hyrë në kohë brenda shtëpisë dhe për të shpëtuar viktimat dështuan për shkak se zjarri kishte shkaktuar bllokimin e derës së banesës. Viktimat e zjarrit

Sadete Gutaj 30 vjeçe
Djellza Gutaj 10 vjeçe
Hajrie Gutaj 3 vjeçe
Dafina Gutaj 1 vjeçe

Mbyllet dosja e ngjarjesHetimet për tragjedinë e ndodhur në familjen nga Kosova konsiderohen të mbyllura. Sipas burimeve zyrtare, nga veprimet e para hetimore të realizuara përgjatë dy ditëve ka rezultuar, se ngjarja ka qenë aksidentale. Në këto kushte askush nuk mund të mbajë përgjegjësi penale për vdekjen e nënës me tri vajzat e saj të mitura në shtëpinë, ku ato banonin. Përjashtohet qarku elektrikGjatë hetimeve për shkakun e tragjedisë që shkaktoi katër viktima specialistët kanë verifikuar edhe mundësinë, që burim i flakëve të ketë qenë qarku i dobët elektrik. Hetuesit nuk kanë gjetur prova për një version të tillë të ngjarjes, ndërsa kanë zbuluar gjurmë të dukshme të flakëve të zjarrit nga ngrohësja në drejtime të tjera brenda shtëpisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›