E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP mashtron, numri i asistencës antiduhan nuk ekziston

Nga Xhovani Shyti *

Z. kryeministër.

Pas dy letrave të hapura që Ju kam adresuar nëpërmjet faqeve të gazetës “TemA”, unë vazhdoj të mos besoj që në një qeverisje normale, të pandikuar prej klaneve e konjukturave përfituese politike, të mund të ndodhë që drejtuesi i një institucioni, me aktivitet mbrojtjen e shëndetit të taksapaguesve, të mund t’i mashtrojë këta të fundit. Mirëpo kjo fatkeqësisht ndodh. Ndodh me Institutin e Shëndetit Publik, që është në vartësi administrative vertikale nga Ministria e Shëndetësisë, pjesë e kabinetit që Ju drejtoni. Por ajo që më bën më shumë përshtypje është fakti, sipas të cilit mashtrimi institucional ka muaj që është prezent dhe askush nga instancat kontrolluese nuk e ka marrë mundimin ta konstatojë.

Për të qenë më konkret, po Ju sqaroj:

Në takimin e bërë në datën 11.02.2008, midis të tjerave, komitetit ndërsektorial “Për mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”, mori vendimin për vendosjen e paralajmërimeve të detyruara shëndetësore dhe informacioneve të tjera mbi paketat e produkteve të duhanit. Sipas procesverbalit që unë disponoj, del se pjesëmarrës në të ishin: Nard Ndoka, ish-ministër i Shëndetësisë, njëherësh dhe kryetar i këtij komiteti, Florian Mima, zëvendësministër i Financave, anëtar i komitetit, Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm, anëtar i këtij komiteti, Halit Shamata, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, anëtar i këtij komiteti, Zana Turku, zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve etj., si dhe Alban Ylli, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, njëherësh dhe sekretar i këtij Komiteti.

Sipas vendimit të marrë në atë takim, e që mban nr. 2, citoj: “…pasi mori në shqyrtim vendosjen e paralajmërimeve shëndetësore dhe informacioneve të tjera, si dhe mbas konsultimesh edhe me grupet e interesit, në mbështetje dhe në zbatim të neneve 4 dhe 18 të ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”, - krahas formës dhe tekstit të paralajmërimeve të detyrueshme shëndetësore në produktet e duhanit (si mesazhet paralajmëruese shëndetësore për dëmet që shkakton në shëndet përdorimi i produkteve të duhanit etj.), KNMSHPD miratoi edhe ngritjen e një qendre për dhënien e asistencës. Kjo gjë është e përcaktuar në germën “j “ të këtij vendimi dhe vjen pas germave “h” dhe “i”, ku citohet: “Lenia e duhanit pakëson rrezikun e sëmundjeve vdekjeprurëse të zemrës dhe mushkërive”,“Duhanpirja mund të shkaktojë një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme”. Në germën “j” lexohet: “Kërkoni ndihmë për të lenë duhanin, telefon 08004747 - Sektori i Abuzimit me substancat, Instituti i Shëndetit Publik”.

Deri këtu gjithçka është në rregull, brenda sensit human që përmban ligji antiduhan, dhe detyrës institucionale për të ruajtur shëndetin e publikut të gjerë nga efektet shfarosëse të duhanpirjes. Ndaj dhe është normale kur lexon në procesverbal se: “Ky vendim u mor në unanimitet të plotë të të gjithë anëtarëve të Komitetit ndërsektorial të Mbrojtjes së Shëndetit nga produktet e Duhanit të pranishëm në këtë mbledhje”. Po sipas procesverbalit, “ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe zbatimi i tij fillon më datën 1 janar 2009”.

Mirëpo, z. kryeministër, ka ndodhur që nga afati i përcaktuar ligjor e deri më sot kanë kaluar tre muaj dhe sensi human i këtij vendimi është kthyer në dëshpërues. Kjo pasi numri i asistencës: 08004747 rezulton një mashtrim, ngaqë pas rënies së tij zëri përtej telefonatës të përgjigjet tekstualisht: “Numri i AMC që keni kërkuar, nuk ekziston”. Në interesim të mëtejshëm del se kjo vjen nga që sekretari i komitetit ndërsektorial, Alban Ylli, që është dhe drejtuesi i Institutit të Shëndetit Publik, pra titullari që e ka në dorë instalimin e aparatit me këtë numër, nuk e ka kryer detyrën e tij. Madje, madje në këtë Institut nuk ekziston as zyra e as personat që duhet të qëndrojnë pas këtij aparati për t’i dhënë asistencë duhanpirësve që kërkojnë të shpëtojnë nga ky ves vrasës. Fakt ky që e përforcon edhe më shumë bindjen time se thirrjet për impenjim serioz të titullarit të këtij Instituti, z. Alban Ylli, si dhe politika e zbatimit të ligjit antiduhan, me nr. 9636, dt. 06 nëntor 2006, e shpallur prej tij, është vetëm demagogji. Por është një realitet i hidhur fakti që, siç Ju kam theksuar në dy letrat e shkuara, edhe pse prodhojnë vetëm fjalë dhe parulla optimiste, administruesit e këtij Instituti vazhdojnë të përvetësojnë çdo muaj edhe një pagë shtesë për titullimin inspektor. Një pagesë që shkon nga 100 në 120 mijë lekë ( të vjetra), ndonëse nuk e ushtrojnë këtë funksion.

* Kryetar i shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›