E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e koalicionit, Kosova rrezikon zgjedhje të reja

Koalicioni qeveritar LDK-PDK në Kosovë duket se ka hyrë në krizë që pas debatit të një dite më parë në parlament mes ministrit Fatmir Limaj dhe zv/ministrit Naser Osmani. 

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, kryesia e LDK-së e vlerëson vendimin e kryeministrit si shkelje e marrëveshjes për koalicionin qeverisës. Nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati, ka kërkuar nga kryeministri ta rishqyrtojë vendimin e tij për shkarkimin e Naser Osmanit. “Kryesia e LDK-së vlerëson se vendim-shkarkimi i zëvendësministrit Osmani nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi, është vendim i ngutshëm dhe shkelje e marrëveshjes së partneritetit qeverisës. Kryesia e LDK-së kërkon që krerët e marrëveshjes së koalicionit të takohen në kohën më të shpejtë të mundshme për ta shqyrtuar rastin në fjalë. Deri atëherë, kryesia e LDK-së e konsideron rastin të pazgjidhur”, theksoi Ferati. Por në mbrojtje të Thaçit ka dalë presidenti Fatmir Sejdiu, i cili e ka cilësuar të ligjshëm vendimin e Thaçit për shkarkimin e Osmanit.  Megjithatë, presidenti që rrjedh nga kryesia e LDK-së e ka parë të nevojshëm një komunikim mes PDK-së dhe LDK-së për ta tejkaluar këtë krizë. “Unë e quaj të nevojshme që të kemi veprime racionale të përbashkëta dhe natyrisht se, kryeministri ka vepruar mbi bazë të dispozitave kushtetuese dhe të asaj pjese që është mbi ligjin “Për organizimin e qeverisë apo rregulloren për organizimin e qeverisë’”, tha Sejdiu. Kryeministri Hashim Thaçi thotë se vendimi i tij për shkarkimin e zëvendësministrit Osmani, nuk ka të bëjë me LDK-në e as me Osmanin, por ka të bëjë me mënyrën e punës së tij në qeverinë e Kosovës. “Kjo çështje nuk ka të bëjë fare me emrin, nuk ka të bëjë fare me partinë, por ka të bëjë me normat, me rregullat dhe parimet mbi të cilat punoj unë si kryeministër dhe qeveria e Kosovës”, tha Thaçi. Në anën tjetër, njëri nga protagonistët e incidentit të djeshëm në Kuvend, zëvendësministri i shkarkuar, Naser Osmani, deputet i LDK-së, ka paralajmëruar se koalicioni PDK-LDK është në krizë dhe nëse nuk rikthehet vendimi i kryeministrit mund të vijë deri te shkurorëzimi i këtyre partnerëve. Në rast se koalicioni do të hynte në krizë të vërtetë, atëherë kjo mund të shpjerë Kosovën pashmangshëm në zgjedhjet e reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›