E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, shoku i "Ben Qimes" 21 vjet burg

Prokuroria rëndon pozitën penale të shokut të "Ben Qimes", duke i shtuar akuzën e bashkëpunimit në vrasje. 

Fatos Mahmutaj

 Bëhet fjalë për Fatlum Kadinë, i cili që nga viti 2002 ndodhet në qeli, i akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e hasmit të Arben Isufajt, biznesmen nga Fieri që njihet me nofkën "Ben Qimja". Organi i akuzës i kryeqytetit kërkoi dje në pretencë 21 vjet burg për Kadinë, duke i shtuar të akuzuarit bashkëpunimin me persona të paidentifikuar në "vrasjen me paramendim" të Piro Koçiut. Në këtë kërkesë për dënim u llogarit edhe lehtësia ligjore e uljes së një të tretës së dënimit, që i dyshuari përfiton si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Sipas Prokurorisë, ekzekutimi ka ndodhur më 12 gusht 2002 rreth orës 18:45 në rrugën "Him Kolli", pallati 11, në Tiranë kur u vra në një pritë, sarandjoti Koçiu. Ngjarja ka nisur në pallatin ku viktima është ndjekur nga dy persona të armatosur, të cilët në sheshpushimin midis katit të 7 dhe 6 kanë qëlluar disa herë në drejtim të tij. Plumbat kanë vazhduar deri në katet e poshtme, ku në dalje të pallatit Koçiu është penguar nga një person i tretë e më pas është qëlluar nga njëri prej ndjekësve me pistoletë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia e mbërritur në vendngjarje pak minuta më vonë gjeti dy armët e krimit rreth 30 metër më tej, ku atentatorët i kishin hedhur gjatë largimit. Prokuroria atëherë hetoi në ekzekutimin e Koçiut në vazhdën e një zinxhiri vrasjesh mes familjes së tij dhe kundërshtarëve Isufaj. Hasmëria mes dy familjeve ka nisur në vitin 1994 ku në fshatin Sheq të Fierit si pasojë e një grindje mes disa personave është vrarë i ati i Arben Isufit, i cili nuk ka qenë i përfshirë në grindje. Vrasja për të cilën është dyshuar se është kryer nga familja e Pirro Koçiut. Kjo vrasje, sipas gjykatës, ka shërbyer për një seri vrasjesh mes dy fiseve Koçiu dhe Isufi. Në vitin 2000 është vrarë në Tiranë Lavdosh Hasani, në 2001-in është vrarë në Spanjë Pajtim Yzeiri, kushëri i parë i viktimës Pirro Koçiu, gjithashtu është plagosur vetë viktima nga Julian Isufi. Ky i fundit më pas është vrarë nga Pëllumb Yzeiri, kushëri i viktimës, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Fier. Mbi këtë bazë Prokuroria akuzoi Arben Isufin se në bashkëpunim me Erjon Danen dhe Fatlum Kadinë kanë kryer vrasjen me paramendim për hakmarrje të Koçiut. Por në seancën e pretencës Prokuroria tërhoqi akuzën për Danen dhe Isufin, ndërsa kërkoi dënimin e Kadisë, i cili u akuzua të kishte futur në kurth viktimën. Ky, sipas Prokurorisë, nëpërmjet celularit është kontaktuesi apo ura lidhëse mes viktimës dhe ekzekutorëve. Por mosprovimi i akuzës për Danen dhe Isufajn u bë shkak që Gjykata e Tiranës, në vitin 2005 të rikthente në Prokurori dosjen për të tre të pandehurit, vendim i cili mbeti në fuqi deri në Gjykatën të Lartë. Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria, çështja për Isufajn dhe Danen u nda nga ajo e Kadisë, pasi ky aktualisht është i vetmi që ndodhet në qeli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›