E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi i OSSH, qeveria ndryshon sërish kriteret

Pasi ka ndryshuar javën që kaloi datën për zhvillimin e tenderit dhe një pjesë të kritereve për këtë transaksion, qeveria gjatë ditës së djeshme, me anë të një vendimi, ka ndryshuar një pjesë të mirë të kritereve për shitjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Vendimet e njëpasnjëshme për ndryshimin e kritereve të tenderit, tregojnë se qeveria është duke hasur vështirësi në privatizimin më të rëndësishëm në vend. Në vendimin e marrë dje, janë ndryshuar një sërë kriteresh për ofertën financiare dhe mënyrën se si do të jetë e formuluar ajo. Tenderi për privatizimin e OSSH është lajmëruar për t’u zhvilluar në datën 29 shtator. Ndërkohë, shumë zyrtarë shprehen me mosbesim për suksesin e këtij privatizimi. Edhe vetë ministri i Ekonomisë e ka cilësuar këtë privatizim si tejet të rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një çmim shitje por për mbarëvajtjen e gjithë furnizimit me energji të vendit. Qeveria ka bërë të ditur në një deklaratë për “Reuters” se, “dokumentet e tenderit janë ndryshuar, për ta bërë procesin e shitjes më atraktiv për kompanitë e përzgjedhura dhe njëkohësisht, për të marrë një çmim më të lartë në shitje”. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se afati i ri për zhvillimin e tenderit për shitjen e OSSH është 29 shtatori dhe kjo kohë i është lënë në dispozicion kompanive për të përshtatur dokumentacionin në përputhje me kriteret e reja. Katër kompanitë e interesuara janë: “Enel” nga Italia, “EVN” dhe “Energy Teiermark” nga Austria dhe “CEZ” nga Republika Çeke. Të gjitha këto kompani kanë investime të ngjashme në rajon. “EVN” ka blerë Sistemin e Shpërndarjes së Maqedonisë dhe një nga tre kompanitë e shpërndarjes së Bullgarisë. “Enel” është e pranishme në Rumani, ndërsa “CEZ” ka aktivitete prodhuese e tregtare në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. “EVN” ka fituar një tender për të ndërtuar një rrjet hidrocentralesh, ndërsa “ENEL” ka patur interesa të shumëfishta në KESH. Të gjitha kompanitë konsiderohen si jashtëzakonisht eksperte në fushën e energjisë elektrike. Megjithatë, duket se në rastin e Shqipërisë, po hezitojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›