E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e medias dhe propozimi i Murdoch

Rupert Murdoch nuk e parapëlqen
kompjuterin. Australiano-amerikani
78-vjeçar, milioneri mediatik,
e shmang sa mundet internetin
dhe madje thuhet se nuk parapëlqen
as celularin. Sigurisht që me këto të
dhëna nuk të jep përshtypjen e një
Mesie të vërtetë të botës mediatike. Por
javët e fundit ky probar i famshëm e
tronditi botën e medias së shtypur dhe
asaj online me një deklaratë që ishte
sa e thjeshtë, aq edhe revolucionare
në vetvete: "Gazetaria cilësore është e
shtrenjtë". Nga kjo fjali doli vendimi për
të ndryshuar mënyrën e deritanishme
të aksesit të njerëzve në mediat e tij.
Kjo do të thotë që nëse Murdoch nuk
do të ndryshojë mendje, në muajt e
ardhshëm lexuesit e mediave të tij në
internet do të paguajnë për të pasur
informacion, çka do të shënonte edhe
fillimin e fundit të kohëve të informacioneve
pa pagesë në internet. Një
deklaratë e tillë e bërë nga Murdoch,
shefi ekzekutiv i "News Corporation"
dhe pronar i qindra gazetave dhe
stacioneve televizive, nuk mund të
mos konsiderohet si shumë e rëndësishme
për vetë impaktin që ky njeri
ka në botën mediatike. Sipas biografit
të tij, Michael Wolff, Murdoch as që e
ka idenë se çfarë është në të vërtetë
interneti, ndërkohë që kërkon të sjellë
ndryshimet më të mëdha deri më tani
në mënyrën e funksionimit të tij. Biznesmeni
plak mund të mos ia ketë
idenë internetit dhe ndërkohë askush
nuk e di se sa serioz dhe këmbëngulës
do të jetë ai në idenë e tij më të fundit,
por një gjë është e sigurt: një njeri si
Murdoch nuk është nga ata që qëndrojnë
mënjanë kur bëhet fjalë për paratë
e tij e mbi të gjitha për humbjen e tyre
të vazhdueshme.
Në fakt, të gjitha gazetat ëndërrojnë
që të bëjnë para nga interneti, që nga
"Sunday Times" e deri te "Nordkurier",
një gazetë rajonale në Gjermani. Deri
më tani, përmbajtjet e gazetave jepen
thuajse falas në internet, duke shpresuar
që të fitojnë para nga reklamat.
Ndërkohë, nga kjo përvojë ata kanë
kuptuar se vendosja e një pagese për
këtë shërbim do të ishte e dëmshme
për biznesin, duke qenë se lexuesit do
ta braktisnin atë gazetë për t‘iu drej-
tuar një gazete tjetër falas. Një nga
gazetat që e provoi njëherë ofrimin e
lajmeve me pagesë ishte "The New York
Times", por si edhe shumë të tjera, ajo
e braktisi këtë opsion. Mirëpo aktualisht
reklamat po pakësohen gjithnjë e
më shumë, kjo për sa i përket shtypit
të shkruar dhe atij online. Por cila do
të jetë zgjidhja e këtij problemi që sa
vjen e po vështirësohet? A do ta pranonin
lexuesit faktin e pagesës për të
gjitha gazetat në internet? Apo mos
ndoshta vendosja e pagesës do të ishte
një vetëvrasje? Ajo për të cilën botuesit
vrasin mendjen, është lloji i informacionit
që do t‘i serviret me pagesë lexuesit,
ose më saktë përse dikush duhet
të paguajë para për të lexuar artikujt e
një gazete, ndërkohë që informacionin
mund ta gjejë, le të themi, në sajte të
tjera jo gazetash, apo në TV? Pas shumë
përsiatjesh, deri më tani botuesit mendojnë
se realisht nuk kanë asgjë të
jashtëzakonshme për t‘i ofruar lexuesit
e për ta ndjellë atë që të paguajë për
lajmet e gazetave. Në fund të fundit,
lajmi online me pagesë mund të konsiderohet
si një test i dyfishtë: së pari
teston vlerësimet e lexuesve ndaj
gazetës dhe së dyti edhe besimin e
botuesit në përmbajtjen e prodhimit të
tij. Për kryeredaktorin e "Financial
Times", Lionel Barber, çështja e besimit
në përmbajtjen e gazetës tënde
nuk është shumë e rëndësishme. Kjo
gazetë e famshme, që konsiderohet si
më e besuara në lëmin e financave
ndërkombëtare, ka 7 vjet që ofrohet me
pagesë në internet. Pagesa vjetore për
t‘u abonuar në internet është 257 dollarë,
ndërkohë që për abonentët e
versionit në letër ka gjithmonë zbritje
në çmim. Aktualisht, 21% e të ardhurave
të "Financial Times" vjen nga
shitjet online. Modeli i ofertës është i
tillë që fillimisht e gjithë përmbajtja e
gazetës ofrohet falas, më pas klientit i
vjen oferta për abonim dhe sigurisht
që kjo pasohet nga mbyllja e aksesit në
materialet e gazetës. Botuesit kështu
testojnë edhe performancën e tyre,
sepse ata që i vlerësojnë si të rëndësishme
materialet e gazetës, pasi e kanë
lexuar atë falas për disa herë, vazhdojnë
që të abonohen tek ajo online. Sipas
kryeredaktorit, fillimisht bëhej fjalë për
një mënyrë që mund të kishte sukses,
por edhe që mund të dështonte, dhe
për fatin e mirë të "FT", gjërat shkuan
ashtu siç duhej. Pavarësisht suksesit,
gazeta nuk ka arritur që t‘i shmangej
plotësisht krizës, por në asnjë rast
çmimet e reklamave të saj nuk kanë
ndryshuar. Megjithatë, kryeredaktori e
di shumë mirë se për një gazetë të
nivelit të "FT" dhe për faktin se ajo
është unike në tregun e financave dhe
mbi të gjitha gjithëpërfshirëse,
vështirësia e pagesës online nuk është
aq e madhe sa ajo e gazetave të tjera të
përditshme me tematikë të ndryshme.
"Por çdo gazetë mund t‘ia dalë të ketë
në faqet e saj diçka që nuk e kanë
gazetat e tjera dhe nëse kjo nuk ndodh,
atëherë çdo botues duhet të gjejë menjëherë
një veçanti të tillë", thotë kryeredaktori.
Shefi ekzekutiv i "FT" ka qenë
vetë një gazetar për 20 vjet rresht në
gazetën e tij dhe e di fare mirë se si
funksionojnë gjërat në median e shkruar.
John Ridding është i mendimit se
botuesit kanë dy opsione. I pari është
që të kursejnë para, duke hyrë kështu
në rrathë viciozë që herët a vonë marrin
tatëpjetën. Opsioni i dytë është që
të besojnë në vlerën e gazetarisë që
bëjnë dhe të pretendojnë se prodhimi
i tyre duhet të paguhet nga konsumatorët,
pra lexuesi. Sipas tij, marrëdhënia
më serioze e një gazete duhet të jetë ajo
me lexuesin e jo me industrinë e
reklamave. Për ata që e dinë mirë si
funksionon "FT", kjo nuk është edhe aq
e vërtetë, sepse gazeta varet jashtëzakonisht
shumë nga të ardhurat e
reklamave, pasi me to ajo paguan një
staf prej 550 gazetarësh, nga Stokholmi
në Sao Paulo. Shumë sajte gazetash të
përditshme kanë të njëjtat lajme me ato
të agjencive të lajmeve. Zakonisht gazetaria
online vazhdon të konsiderohet si
një gazetari e dorës së dytë, pjesërisht
sepse jepet falas në internet. Ish-shefi
ekzekutiv i "Time", Isakson, shpreson
që vendosja e pagesës për përmbajtjen
do të jetë një mundësi për të rivlerësuar
se çfarë është me të vërtetë me
vlerë për lexuesin. Por vendosja e pagesës
për gazetat që pak a shumë kanë
të njëjtën përmbajtje dhe kjo në një
kohë krize ekonomike, nuk është e
mjaftueshme. Sipas shefit ekzekutiv të
"FT", gjetja e asaj çka lexuesit pëlqejnë
në të vërtetë është gjëja më e vështirë
dhe sfida më e madhe e gazetarisë së
sotme. Kjo ide po zhvillohet ndërkohë
në gazetë. Sigurisht, është një eksperiment,
por që në fakt përbën një përpjekje
të madhe për të ndryshuar.
Gazeta, aktualisht, po kërkon gjetjen e
mënyrave për të bindur lexuesit që nuk
janë të interesuar për abonime vjetore,
por vetëm disa mujore. Një nga këto
mënyra është thjeshtëzimi i mënyrës
së pagesës. Në disa sajte, për të kryer
pagesën duhet të kalosh disa faqe me
instruksione të ndryshme, që shpesh
të lodhin e të bëjnë që ta lësh përpjekjen
në mes të rrugës. Disa sajte të
tjera e kanë thjeshtëzuar tërësisht këtë
procedurë, dhe numri i abonimeve, pas
kësaj, është rritur ndjeshëm. Deri më tani
botuesit nuk i kanë dhënë rëndësi një
fakti të tillë dhe nuk kanë operuar me
teknologji të lehta dhe të shpejta. Firma
njujorkeze, "Journalisim online", ka krijuar
një platformë pagese që i mundëson
lexuesit "lundrimin" në internet në disa
sajte të ndryshme me pagesë, por duke
përdorur të njëjtin fjalëkalim. Javën e
kaluar, themeluesit e kësaj kompanie
deklaruan se në projektin e tyre merrnin
pjesë rreth 506 gazeta dhe revista. Çdo
botues mund të vendosë nëse dëshiron
"ta taksojë" lexuesin për të gjithë gazetën,
apo për artikuj të veçantë. Ndërkohë,
Murdoch e ka shndërruar korporatën e
tij në një laborator. Një grup i posaçëm
është ngritur për të analizuar konceptin
e pagesës për të gjitha gazetat dhe revistat
e perandorisë. "Vendosja e pagesës
nuk do të thotë që ne duam të ngremë
një gardh të madh në internet dhe pastaj
të vendosim ‘gjoba‘ për ata që duan ta
kalojnë këtë gardh", thotë Gordon
McLeod, president i "The Wall Street
Journal", që është gjithashtu pronë e
Murdoch në këto dy vitet e fundit. Ai
vetë ngul këmbë në një kombinim të
shtypit të lirë me atë me pagesë,
madje këtë edhe brenda një gazete, pra
kombinimin e artikujve që mund të
gjenden falas dhe atyre për të cilët
duhet të paguash. Në fakt, "WSJ" ka
vepruar kështu që në vitin 1997. Në
sajtin e saj ajo ka vendosur pagesa për
artikuj të ndryshëm, kryesisht ata artikuj
që e bëjnë unike gazetën e që në
këtë rast kanë të bëjnë me artikujt
teknologjikë e financiarë. Gazeta ka 1
milion abonentë online që gjenerojnë
100 milionë dollarë në vit. Pas vitit
2007, Murdoch deklaroi se ai dëshironte
që ta bënte sajtin e kësaj gazete
tërësisht pa pagesë, por shumë shpejt
e braktisi një ide të tillë. Eksperimentet
që po ndërmerren në Nju Jork dhe
Londër, nuk po ndodhin në shtypin
europian, kryesisht atë gjerman, dhe
kjo për një arsye pozitive. Në rastin e
Gjermanisë, që ka një industri mediatike
shumë të zhvilluar dhe në avangardë,
mediat nuk janë në atë situatë
kolapsi e prag-falimentimi si në vendet
e sipërpërmendura. Kështu, për shembull,
në Britaninë e Madhe, mbi 50
gazeta të vogla kanë falimentuar që nga
viti i kaluar dhe në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës edhe vetë gazetat më të
mëdha e më të famshme si "New York
Times" po tronditen nga kriza e mbijetesës.
Botuesit gjermanë deri më tani
janë më të qetë dhe më në mbrojtje.
Sistemi i krijimit të lajmit online me
pagesë është ende në fazat e para, edhe
pse pas deklaratave të Murdoch duket
se disa media do të ecin me shpejtësi
drejt një sistemi që do të ndryshojë
shumë gjëra në median e internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›