Kriza e re kërkon garanci të re
Kosova po provon të ndeshet për herë të parë në historinë e saj të re si shtet i pavarur me një propozim të ardhur nga faktori ndërkombëtar, i cili në thelb anulon procesin e pavarësisë së Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka propozuar një plan me gjashtë pika, sipas të cilit misioni EULEX në Kosovë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por do të veprojë si një institucion neutral ndaj statusit të Kosovës dhe do të jetë përgjegjës për drejtësinë, policinë, gjykatat, doganat, kufirin dhe trashëgiminë kulturore.
Propozimi ka ngjallur kundërshtim të prerë të autoriteteve zyrtare dhe politike në Kosovë. Presidenti, Fatmir Sejdiu, kryeministri, Hashim Thaçi, por dhe opozita politike në vend janë bashkuar për ta hedhur poshtë propozimin. Zërat politikë që bëjnë thirrje për bisedime janë thuajse minorë. Lëvizja “Vetëvendosja”, një organizatë joqeveritare radikale, po bëhet përditë e më autoritare dhe të mërkurën ka njoftuar mbajtjen e një proteste në rrugët e Prishtinës.
Ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, i cili ishte dje në Kosovë, është përpjekur ta shtyjë debatin për këtë çështje, i bindur se debati vë në pozitë të vështirë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe ka bërë thirrje për fillimin e vendosjes së misionit EULEX në Kosovë, pa folur për gjashtë pikat që janë propozuar si axhendë e punës së tij.
Misioni EULEX është një propozim i dalë nga Paketa Ahtisaari, i cili ka të bëjë me procesin e ndërtimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, si një garanci për pakicat, por është parashikuar brenda autoritetit shtetëror të Kosovës. Në pranverë të këtij viti, pas shpalljes së pavarësisë dhe pas Kushtetutës së Kosovës, serbët nuk e pranuan misionin në veri dhe propozuan që ky mision të mos varej nga autoritetet shtetërore kosovare. Në një mision faktmbledhës në terren, një i dërguar i OKB ka raportuar si shqetësim të palës serbe faktin që EULEX do të legjitimojë shtetin e ri të Kosovës dhe propozimi i modifikuar tashmë është një mision ndërkombëtar me kompetenca mbi fushat kryesore të veprimtarisë shtetformuese të Kosovës, që ushtron autoritetin e vet, pa përfillur autoritetet shtetërore të Kosovës dhe Kushtetutën e shtetit të ri. Kjo praktikisht është një anulim de facto i pavarësisë së Kosovës dhe lë hapur çështjen e statusit të saj.
Realisht, SHBA kanë qenë fillimisht hapur kundër këtij plani. Ambasadorja e SHBA në Prishtinë është cituar në një raport të OKB të ketë thënë se OKB s’mund të veprojë pa pyetur SHBA në Kosovë. Por tashmë qëndrimi i SHBA është më i tërhequr, së paku publikisht. Plani prej gjashtë pikash është faktikisht fryt i bisedimeve të OKB me Beogradin pa pyetur palën shqiptare. Kriza është e thellë, pasi të gjithë kanë parasysh faktin se në këtë betejë Kosova mund të humbasë aleatin e saj më të rëndësishëm në betejën me Serbinë. Ajo mund të humbasë mbështetjen e Perëndimit, pa të cilën sot nuk do të ishte bërë kurrë shtet i lirë dhe i pavarur. Propozimet që vijnë nga Prishtina vijnë të gjitha erë lufte dhe pasiguri. Zëra racionalë ende nuk ka. Qeveria e Kosovës është e detyruar të investohet politikisht kundër planit deri në dorëheqje. Opozita po ashtu i ka dalë në krah.
Në këto kushte, i vetmi opsion që mund të qetësojë situatën mund të jetë një marrëveshje e re e Kosovës me OKB dhe Bashkimin Evropian rreth këtij plani për ta neutralizuar atë dhe për të mos e diktuar si një marrëveshje mes serbëve dhe OKB. Pala kosovare ka nevojë realisht për garancitë që ky plan të mos kthejë mbrapsht procesin e pavarësisë dhe për të mos radikalizuar situatën në vend. Predispozicioni për të kundërshtuar planin është thuajse unik, dhe bashkon çdo qytetar të Kosovës. Ky zhvillim dramatik, i cili në Shqipëri po kalon në heshtje për shkak të krizave të brendshme politike, ka nxjerrë jashtë loje totalisht diplomacinë shqiptare dhe qeverinë e Tiranës, e cila nuk ka asnjë reagim për këtë çështje kaq delikate për shtetin e ri të Kosovës.
Radikalizimi i situatës në Kosovë është një çështje, e cila do të vërë në provë shumë vendime të derisotme për Kosovën dhe rajonin. Për herë të parë Kosova ka nevojë për diplomaci në vend të forcës dhe për aleatë realë në vend të miqve rrethanorë. Plani prej gjashtë pikash, nëse zbatohet si është propozuar, legjitimon ndarjen de facto të veriut të Kosovës, humb integritetin territorial të Kosovës dhe anulon sovranitetin e qeverisë së Prishtinës mbi gjithë territorin e Kosovës. Kosova ka nevojë të marrë garanci të reja për t’i bërë ballë këtij zhvillimi negativ. Protestat në rrugë, kundërshtimi zyrtar i planit dhe uniteti i faktorit politik për t’i hedhur ato poshtë janë gjysma e punës. Beteja do të fitohet, kur qeveria e Kosovës të ketë një projekt për të rifituar sovranitetin dhe terrenin politik e diplomatik, që humbet nga ky plan.