Punëtorët e ARMO-s i shkruajnë Flamurit
Antena brenda familjes
Një letër e gjatë mbërriti dje në zyrën e Flamurit. Miqtë e tij të PD në Ballsh janë të mërzitur me të. Që kur nisi privatizimi i ARMO-s, ata i kërkuan Flamurit garanci që blerësit do jenë seriozë dhe do punojnë bashkë me ta. Flamuri ua dha këto garanci. Por tani situata paska dalë jashtë kontrollit. Në Ballsh paska mbërritur një firmë hajdute e “Taçi Oil”, e cila merr naftë pa hesap, pa u dënuar gjëkundi dhe vazhdon punën. Arsyetimi është se iu duhen lekë për të blerë ARMO-n.
Në letër militantët e PD të punësuar në ARMO mes të tjerash shkruajnë:
I dashur Flamur. Na morët më qafë me këtë shitje. Ju na thatë se këta janë milionerë dhe do na bënin të pasur. Na the që bashkë me këta është dhe vajza e atij burrit, prandaj të mos kemi frikë. Po me ç’po shohim ne, këta qenkan pa bukë. Këta po vjedhin përditë naftë ta shesin në treg të zi dhe të bëjnë lekë për të blerë ARMO-n. Po të ishte kështu, i dashur Flamur, e kishim blerë vetë ARMO-n. Po të na e japin dhe ne ARMO-n pa lekë dhe të na thonë punoni dhe kur t’i bëni na jepni lekët, brenda një viti ua japim dhe ne. Ju na gënjyet, se na thatë kanë lekë shumë, do të na japin dhe ne pará. Këta qenkan ku thërret kiameti.
Veprimet e mësipërme janë bërë aq hapur, sa ato i di i madh e i vogël në Fier e në Ballsh, sa në këtë të fundit kanë nxjerrë edhe një vjershë të vogël:
U shit kombinati,
Kush e bleu s’dihet,
Paratë s’janë paguar,
Gazoili vidhet
Kanë dalë taçistët,
të gjithë në terren,
për të vjedh prodhimet,
qoftë me legen
Nuk janë blerës fare,
Jo më strategjikë,
Të tillë hajdute me çizme
S’na kanë parë sytë.
I dashur Flamur.
Të mos të të ngelet qejfi as ty, as atij burrit, po këta që kanë blerë ARMO-n janë hajdutë. Nuk u dalim dot njerëzve para dhe t’u themi se janë tanët. Aq më pak na bën zemra të themi se është vajza e doktorit pas kësaj pune, se ne jemi mburrur që ai burri është i ndershëm.
Të lutemi na e largo këtë batakçi sa më parë, se ndryshe do ta gjesh në ndonjë përrua, të rrëzuar në këto kthesat e Ballshit, se janë bërë rrugët gjithë naftë, se vjedhin natën.
Bëji të fala dhe mikut tënd Ridvan dhe i thuaj se, nëse i ke planifikuar këto lekët e ARMO-s te buxheti i vitit që vjen, anuloji, se na more më qafë, na e bëre Shqipërinë prapë me piramida. Po ashtu bëji të fala dhe mikut tënd Sokol Olldashi, që nëse i ka llogaritur këto lekë për të paguar ata amerikanët e rrugës Durrës-Kukës, t’u japë letra me vlerë, se nga këta hajdutë s’ka sy për lekë.
Me respekt,
Seksioni i PD në ARMO, Ballsh