E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e urisë ua mori jetën 260.000 somalezëve

Kriza e urisë e 2011-s në Somali ia ka marrë jetën rreth 260.000 njerëzve, gjysma prej të cilëve ishin të moshës 5-vjeçare dhe më të vogël, sipas një raporti të ri, i cili do të publikohet këtë javë dhe i cili tregon se shifra e të vdekurve është dyfish më e lartë se që llogaritej më parë, kanë thënë zyrtarët për “AP”.

Komuniteti bamirës beson se dhjetëra mijëra njerëz kanë mundur të jenë ende gjallë nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të ishte aq i ngadaltë në reagimin e tij pas shenjave të hershme të urisë në Lindje të Afrikës në fundin e 2010-s dhe në fillimin e 2011-s.

Numri i të vdekurve është përkeqësuar edhe nga militantët ekstremistë të organizatës terroriste “Al-Shabaab”, të cilët kanë pamundësuar çuarjen e ndihmave ushqimore në zonat e Somalisë jug-qendrore, të cilat ata i kishin nën kontroll. Po këta militantë gjithashtu e kanë vështirësuar jashtëzakonisht shumë detyrën e përllogaritjes së numrit të saktë të viktimave të krizës së urisë.

Një zyrtar perëndimor, me njohuri për raportin e ri – më i besueshmi deri më tani – i kanë thënë “AP”-së se raporti thotë se 260.000 njerëz kanë vdekur nga uria, dhe se gjysma e viktimave kanë qenë të moshës 5-vjeçare dhe më të vegjël. Dy zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë, me njohuri për raportin, kanë konfirmuar shifrën e përmendur.

Që të tre zyrtarët kanë insistuar që të mos iu bëhen publikë emrat, sepse nuk janë të autorizuar të flasin për raportin para se ai të publikohet.
Raporti do të bëhet publik të enjten, nga “FEWSNET”, një sistem për paralajmërim të hershëm për kriza të urisë, i themeluar nga agjencia e ndihmave e qeverisë amerikane, USAID, dhe nga Njësiti për Siguri dhe Analiza Ushqimore në Somali, që financohet nga SHBA-ja dhe Britania.

Një raport pas një llogaritjeje të mëparshme të qeverisë britanike thoshte se ndërmjet 50.000 dhe 100.000 njerëz kanë vdekur nga kriza e urisë në Somali. Raporti i ri ka shfrytëzuar hulumtimet e kryera nga specialistët me përvojë në llogaritjet e numrit të të vdekurve gjatë emergjencave dhe katastrofave.

Këta hulumtues janë mbështetur në të dhënat për ushqimin dhe vdekshmërinë, që janë përpiluar nga Njësiti për Siguri dhe Analiza Ushqimore në Somali. Për shkak të natyrës joprecize të të dhënave në dispozicion, numri i të vdekurve mbetet vetëm një përllogaritje./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›