Spanja kërkon ndihmë financiare nga Europa

Spanja është në kërkim të një ndihme të drejtpërdrejtë financiare nga Evropa për të shpëtuar bankat e saj të përfshira nga borxhet e mëdha, por Gjermania është e palëkundur në qëndrimin e saj kundër një ndihme të tillë financiare pa imponuar kushte të reja të shpenzimeve nga qeveria e Madridit.
Duke marrë parasysh financimin e pasigurt për Institucionin bankar të Spanjës Bankia që e ka blerë shteti për 24 miliard dollarë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy po përpiqet të gjejë mbështetje për marrjen e një ndihme financiare nga fondi i shpërtimit i krijuar nga 17-vendet e eurozonës. Franca dhe Komisioni Evropian dje kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për Spanjën.
Por zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert tha se varet nga qeveritë kombëtare individuale e jo sistemet bankare, për të kërkuar ndihmë financiare nga fondi i shpëtimit, dhe pastaj respektimi i kushteve për shpenzimet parapara ndihmës financiare të këtij lloji. Zëdhënësi Seiber tha se “këtë duhet ta respektojë edhe Spanja”.
Tregjet e aksioneve në mbarë Azinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara pësuan rënie të hënën nga shqetësimet se kriza e borxhit Evropian po ndikon në vendimet e investitorëve.
Analisti gjerman i investimeve, Robert HALVER i cili punon për Baader Bank, tha se kriza e Eurozonës duket e pafund, por mund të lehtësohet në qoftë se Banka Qendrore Evropiane do të investonte më shumë në Itali dhe Spanjë për t`i dhënë kohë atyre për të nxitur ekonomitë e tyre.
Por për shumë njerëz në Spanjë, si banorja e papunësuar e Madridit Ada Adon, gjetja e një vendi pune është bërë e vështirë në vendin me nivelin më të lartë të papunësisë në eurozonë.
“Është shumë e vështirë të gjendet punë në Spanjë sepse nuk ka punë, dhe në qoftë se diku ju mund të keni një shans, ata nuk duan të paguajnë atë që është pak a shumë normale. Përveç kësaj, çmimet e të gjithë artikujve, përfshirë ushqimin, janë të larta”.
Ndërkohë, Portugalia, një tjetër vend i Evropës i përfshirë nga borxhet e mëdha, ka ulur parashikimet për rritjen e saj ekonomike në 0,2 për qind për vitin e ardhshëm. Lisbona njoftoi gjithashtu se është duke dhënë ndihmë financiare prej më shumë se 8 miliardë dollarësh për tre huadhënësit më të mëdhenj të vendit për t`i ndihmuar ata në përballimin e humbjeve në rritje nga dhënia e kredive.