BB: Ngadalësim i rritjes ekonomike në Evropën Juglindore

Gjashtë vendet e Evropës Juglindore, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, po ballafaqohen me ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike, si pasojë e pasigurive në rritje në Eurozonë, thuhet në Raportin e zhvillimeve ekonomike të Evropës Juglindore të Bankës Botërore, që është publikuar sot. “Pas një rritjeje prej 2.2% në vitin 2011, shenjat e para tregojnë se gjashtë vendet e Evropës Juglindore, po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1% rritje për vitin 2012”, thotë Zhelko Bogetiç, ekonomisti kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore dhe autor i raportit të fundit gjashtëmujor për zhvilimet ekonomike në Evropën Juglindore. Sipas tij, “kushtet e dobëta ekonomike në Eurozonë kanë ushtruar një frenim në aktivitetin ekonomik dhe në të ardhurat qeveritare” në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi dhe Serbi.