Zgjedhja e presidentit, Schulz: Të zgjidhet me konsensus
Pas dy raundeve të dështuara në zgjedhjen e presidentit të Republikës dhe vetëm pak ditë para votimit të tretë, presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, u ka drejtuar nga Brukseli një mesazh politikanëve shqiptarë për të zgjedhur një kryetar shteti të denjë, që të japë kontributin e tij në këtë kohë me probleme të mëdha.
Ai porositi, që, të tregohet maturi e bashkëpunim për të gjetur njeriun e duhur. “Duke qenë i pranueshëm për vendin, ai do të jetë i tillë edhe për komunitetin ndërkombëtar”, shprehet Schulz. Po kështu, ai theksoi rolin e tij të madh në sistemin e drejtësisë, sistem i cili, ka nevojë për ndryshime e reforma cilësore. “Po përsëris mesazhin tim për këtë zgjedhje, për të cilën edhe sapo diskutuam. Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë e pranueshme për vendin dhe duke qenë i pranueshëm për vendin, ai është i pranueshëm
edhe për botën. Presidenti përfaqëson vendin në këtë kohë me shumë probleme. Është e nevojshme dhe shpresoj se vendi do të gjejë presidentin e duhur, duke pasur parasysh rolin e tij të madh në sistemin e drejtësisë. Do të ishte e kënaqshme që kjo zgjedhje të rritë besueshmërinë
e pozitës së presidentit në vend si dhe të vendit në botë. Kjo është lidhja që mund të bëj dhe une jam shumë i sigurt që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë do të jetë një personalitet i denjë”, deklaroi presidenti i Parlamentit Evropian. Këto komente, Schulz i bëri pas takimit me Edmond Haxhinaston, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ku u diskutua zhvillimet më të reja në vend e rajon. Haxhinasto nënshkroi gjithashtu marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionet e menaxhimit të krizave.