Lëvizja më e re e Nanos, prishja dhe krijimi i ekuilibrave të rinj në 2013
Nga Luan Kurti
Fatos Nano i detyruar nga qëndrimi hermetik i Edi Ramës për të mos i dhënë sërish mundësinë e kandidimit, vetëm para pak ditëve shpalli lëvizjen e tij më të re që synon ta konkurrojë liderin aktual në prag të zgjedhjeve parlamentare të rradhës, me tendencën e shprehur haptas pa ekuivoke për bashkimin e së majtës, çlirimin e PS-së nga fryma autoritariste, nepotike, që rrezikon ta lërë sërish në opozitë për të tretën herë radhazi. Disa analistë, politikanë, nxituan ta quanin këtë shantazh, diversion, diçka pa sens. Pasi siç u shprehën ata, Nano, me këtë veprim e bëri të pavlefshme kartën e të qenit, liberal, i matur, tolerant dhe me padurimin, ngutjen e tij ju kthye formatit, frymës së politikës tradicionale. Por ky konstatim tregon nonsens. Nano megjithë cilësitë pozitive që mbart nuk mund të jetë ai njeriu i mirë, i fetarizuar, që pasi e godasin në mënyrë të përsëritur në njërën faqe, të kthejë tjetrën. Kjo ka të bëj me karakterin, dinjitetin njerëzor, por edhe me historinë e tij të së shkuarës dhe të së tashmes. Kjo është në kundërshti me pikëpamjen e shprehur më herët të Ramës, se nuk kishte punë me xhaketat e vjetra, dhe historia e PS duhej të konsiderohej që nga momenti kur ai shkeli në selin rozë. Pikërisht kjo qasje shkatërrimtare, mohuese, disafatiste, kjo frymë mospajtimi bëri që Nano ta denoncojë ndër vite dhe të përdori të gjitha mundësitë, mekanizmat (duke bërë marrëveshje edhe me Berishën), për ta ndalur këtë regres me pasoja për opozitën, por edhe për vendin dhe demokracinë e brishtë shqiptare.
Në rastin konkret, dashakeqësisht nuk sulmohet ai që vodhi lopën, por tjetri që sqe i zoti ta ruante. Pra nuk analizohet Rama që jashtë çdo llogjike e privon ish liderin të futet në një garë të ndershme, xhentëllmenësh, por gjykohet Nano që nuk i bindet tekave, kapriçiove, vulgaritetit, dhe cinizmit të pasardhësit. Por përtej kësaj, kjo lëvizje tashmë është një realitet. Një realitet që mund të prodhoj shumë të papritura dhe të vendosi balanca të reja para dhe pas zgjedhjeve të 2013. Grupi i të majtëve të pakënaqur nga politika diletante e Ramës (shto këtu edhe nostalgjikët e së shkuarës), është rritur së tepërmi, pasi të gjitha gjasat tregojnë se ai nuk është i zoti për herë të tretë ta sjellë opozitën në pushtet dhe riaktivizimi i Nanos, mund të jetë shenja, drita e munguar në fund të tunelit që ngjall shpresat për fitore. Nano mund të arrijë një rezultat surprizë që me shumë gjasë do kapërcente atë të Ilir Metës, i cili gjerësisht shihet si djali plangprishës që u shit tek kundërshtari politik, dhe si njeriu mbi të cilin rëndojnë shumë akuza të arkivuara dhe të zgjidhura arbitrarisht nga drejtësia. Por gjithsesi do kishim tre të majta serioze që rivalizojnë dhe maksimalizojnë votat në terren. Por me të vetmin ndryshim se tani shumicën qeverisëse e përcaktonte Nano, i cili mund ta kushtëzonte Ramën deri me marrjen e kryeministrit. Por kjo patjetër do të vinte në vështirësi serioze edhe liderin aktual të mazhorancës i cili në llogaritë që bën e sheh veten fitues përballë një kundërshtari si Rama. Ai e ka të qartë se në asnjë rast nuk mund të bëj me Nanon atë që bëri me Metën, duke i ofruar pazare pushtetesh varësie. Se në mënyrë jo të drejtpërdrejtë edhe Berisha ka gisht në mos realizimin e ëndrrës presidenciale të Nanos dhe kësisoj si ndëshkim duhet të përgatitet për të dalë në opozitë. Pra, parë në këtë këndvështrim, Berisha duhet të ndihet po aq i shqetësuar nga ky ndryshim rolesh i Nanos. Ai në një lojë perfekte, kushtetuese dhe taktike, duke dashur të ketë presidentin, me shumë gjasë rrezikon humbjen e mazhorancës së nesërme. Ky ndërgjegjësim ka bërë që ai apo mbështetës të tjerë brenda mazhorancës ti kërkojnë lajv Edi Ramës, paraqitjen e Nanos si kandidat nga e majta. Kjo do bënte (edhe në rastin kur Nano të rezultonte humbës në kuvend me vota), që të gjithë të dilnin me një kartë morale në duar dhe me hesape të qëruara
Por për momentin palët ruajnë qëndrimet e tyre të palëkundura dhe kërkojnë ta neglizhojnë rrezikun, duke e shpënë të keqen sa më larg në parafytyrim, me shpresën se Nano si njeri jo i aksionit, me ambicie të kufizuara karrieriste, do heq dorë nga kjo aventurë, e cila kërkon këmbëngulje dhe energji jo të vogla. A do ta bëj realitet Nano qëndrimin e tij?… Ashtu si në dramën Në pritje të Godoit, afishet kanë kohë që janë vënë. Pritet vetëm mbërritja e aktorëve dhe e spektatorëve.