Kriza ekonomike Bejtja: Qeveria e papërgjegjshme rritet borxhi publik
15/12/2009 Partia Socialiste reagoi dje lidhur me krizën ekonomike në vend dhe efektet e saj. Deputeti i kësaj partie Ilir Bejtja radhit një sërë çështjesh që ndikojnë në vështirësitë ekonomike për shqiptarët, por që përgjegjëse për një situatë të tillë mbetet qeveria “Berisha”. “Denoncojmë situatën e papërgjegjshmërisë së plotë të qeverisë shqiptare ndaj thellimit të rëndë të krizës ekonomike, duke e injoruar atë dhe efektet e saj dhe duke trumbetuar ‘ditë të lumtura’ për shqiptarët”, - vlerësoi Bejtja. Sipas tij, kjo situatë që ka filluar që herët pa filluar fushata zgjedhore e këtij viti do vazhdojë akoma më tej gjatë saj me fushatën e inaugurimeve të gënjeshtërta dhe shkatërruese për ekonominë shqiptare. “Mashtrimi me gjoja punë publike për të rritur atë imazh të shkatërruar të qeverisë nëpërmjet gjoja çeljes së shumë investimeve në infrastrukturë e vepra të tjera publike, me një arkë bosh qysh para dhe gjatë fushatës, me efekte negative në përkeqësimin e sigurt të nivelit të jetës së qytetarëve tanë dhe me të vetmin qëllim për të garantuar vjedhjen dhe keqpërdorimin e pushtetit ekonomik edhe një mandat tjetër nuk e ndaloi babëzinë dhe armiqësinë e Sali Berishës dhe qeverisë së tij ndaj shqiptarëve”, - vlerësoi ai. Gjithashtu socialistët janë të shqetësuar se të gjithë ne shqiptarët duhet të paguajmë një borxh qeveritar që nuk dihet se sa ka shkuar dhe për të cilin nuk është bërë as një herë të vetme transparence publike.