E Diel, 1 Nëntor 2026

“Telenovela Griselda”, seria e dytë luhet në Bruksel- Edi Rama dhe Erjon Veliaj kanë furnizuar me mashtrime BE-në

15-06-2011 / Gazeta 55

Krejt pa pritur Tanja Fajon krijon një situatë komike në mbledhjen e grupit ndërparlamentar Shqipëri-BE, duke ngritur si shqetësim pa rend dite, lajmin se si rrëmbye gruaja shtatzënë e kryebashkiakut të Kavajës


Filmi “Griselda” nuk ka mbaruar ende. Seria e dytë e tij nuk zhvillohet as në Tiranë as në Kavajë, por në Bruksel. Delegacioni shqiptar pozitë-opozitë i ndodhur në Bruksel në takim me eurodeputetë gjatë një seance për të drejtat e njeriut në Shqipëri, mbajtën barkun me dorë kur eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, u ngrit dhe tha: “Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri është shumë e rëndë. Këtu nuk më lë pa përmendur rastin e kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë së Kavajës, gruaja e të cilit iu rrëmbye nga persona të pa-indentifikuar. Ajo ishte 9 muajsh,e iu nxor fëmija nga barku në mënyrë kanibale dhe u hodh në kanal. Dhe nga shteti nuk ka asnjë reagim. Këto janë sinjale të forta që shteti ka gisht në këtë ngjarje dhe në Shqipëri nuk ka drejtësi”- u shpreh eurodeputetja Fajon.


Në këtë moment ndërhyn deputetja e delegacionit shqiptar Mesila Doda. Ajo iu drejtua eurodeputetes sllovene: “E nderuara zonja Fajon, më duhet të update-oj në lidhje me këtë ngjarje... Ka më shumë se 10 ditë që në gjithë Shqipërinë dhe më gjerë e dinë që kjo ishte një histori e sajuar, sajimin e së cilës e kanë pranuar vetë protagonistët e ngjarjes dhe vetë Griselda, madje kryebashkiaku i ri Kavajës, ika kërkuar falje të gjithë shqiptarëve kudo që janë”- ishte reagimi i deputetes shqiptare, Mesila Doda.


Por, eurodeputetja Fajon replikon duke deklaruar se, ajo ishte njoftuar për ngjarjen e “rëndë” nga Erjon Veliaj. “Unë këto i kam të bazuara në fakte dhe po të doni ju citoj e-mailin e socialistit Erjon Veliaj lidhur me këtë ngjarje, që ka informuar jo vetëm vendet e Bashkimit Evropian”- tha Fajon. Por, Doda deklaroi se, “Erjon Veliaj ka bërë shumë mirë që ua ka dërguar e-mailin e parë, por mendoj se duhet t’ju kishte dërguar edhe dhjetëra e-maile të tjerë ku të bënte të ditur se kjo ngjarje ishte e sajuar”.


Ky ishte pak a shumë dialogu i deputetes Tanja Fajon me deputeten shqiptare Mesila Doda që tregon qartë jo thjesht mendje cektësinë, jo thjesht mënyrën si punohet me Shqipërinë nga Brukseli, por edhe mënyrën se si punon dhe se si e manipulon Partia Socialiste vazhdimisht Brukselin. De facto numri 2 i Partisë Socialiste Erjon Veliaj, pas e-mailit të parë duhet të kishte dërguar dhjetëra letra të tjera ku të informonte sa më shpejt dhe sa më parë në mënyrë që ky imazh i tmerrshëm, i zi dhe i pavërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët të fashitej sa më shpejt. Por, Partia Socialiste e drejtuar nga Rama në mënyrë regjisoriale, e ka të qartë që lajmi i keq mbetet, i miri harrohet. Partisë Socialiste dhe Edi Ramës i interesonte që Brukseli ta dinte Griseldën akoma me barrë dhe BE këtë herë ashtu si shumë shqiptarë herët e tjera, ka rënë viktimë e kësaj filozofie të PS. Dhe kjo nuk është hera e parë. E njëjta gjë ndodhi me “vjedhjen” e orës së Presidenti Bush, të injektuar në media personalisht nga Edi Rama. Ora e gjet dhe ishte Shtëpia e Bardhë që përgenjështroi lajmin e neveritshëm: “Presidentit Bush nuk i është grabitur ora. Nuk është as e vërtetë që ora i ka rënë nga dora gjatë takimit të pazakontë dhe është marrë nga truprojat e tij. Presidenti e ka hequr vetë orën”.    


Por sërish nuk mbeti lajm i mirë, por lajm i keq. Kudo ku shkon të tregojnë barcoleta sesi i vodhën orën presidentit të SHBA-ve, Bush. E njëjta gjë ndodhi me aksidentin e Kosta Trebickës. I njëjti skenar ishte edhe me liberalizimin e vizave. Partia e Ramës e dende Evropën me e-maile dhe me deklarata se po i hoqën vizave shqiptarëve ata do të dynden në Evropë. PS shpërndante deklarata rrënqethëse se si Shqipëria ishte një vend me migracion të jashtëzakonshëm dhe se në pak kohë kufijtë e BE-së do kapërcehen nga qindra e mijëra deri në 1 milionë shqiptarë.    


Sërish, lajmi i keq mbeti. Lajmi se po thuaj asnjë shqiptar nuk ka shkelur rregullat e “Schengen”-it është inekzistent. Askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë ka menduar këto 2 javë kohë eurodeputetja Tanja Fajon dhe shumë të tjerë korridoreve të Brukselit me imazhin e Griseldës së rrëmbyer në sy. Askush nuk është në gjendje ta thotë se sa personave të tjerëve Tanja Fajon ua ka thënë këtë histori. Sa personave të tjerë mund t’ua ketë përcjellë e-mailin e vetëm të Erjon Velisë, siç ka bërë edhe herë të tjera në fakt.  


Partia Socialiste dhe eksponentët manipulatorë të saj s’heqin dorë nga diz-informimi i kancelarive perëndimore. I fundit është “aktrimi” bastard i kryebashkiakut të Kavajës Elvis (Ervin) Roshi (Qemalla) se, iu rrëmbye bashkëshortja shtatzënë si dhe iu imponua një lindje të detyrueshme, nga e cila iu mor edhe foshnja. Një pjesë e deputetëve të Parlamentit Evropian vazhdojnë të mendojnë se kjo ngjarje ka baza realiste dhe se në Shqipëri u shënua një akt kanibalizmi. E-maili i Erjon Veliajt ka shkuar në disa adresa të eurodeputetëve dhe midis tyre edhe të eurodeputetes Tanja Fajon.


Pra, “telenovelën” e shpifur të Edi Ramës dhe Elvis Roshit, një pjesë e eurodeputetëve të Parlamentit Evropian vazhdojnë ta konsiderojnë të besueshme, edhe pse ka qëndrim zyrtar tashmë që, Griselda jo vetëm që s’është rrëmbyer por as nuk ka qenë shtatzënë ndonjëherë. Erjon Veliaj thjesht sa i ka mashtruar edhe gënjyer, ndërsa më pas s’e ka marrë mundimin t’i sqarojë ndërkombëtarët se, alarmi ishte i rremë... 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›