Mazhoranca nuk lëkundet nga qëndrimi për t’u numëruar çdo votë e vlefshme e qytetarëve shqiptarë
Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Eduard Halimi, deklaron se vendimi më i fundit i Kolegjit Zgjedhor është për t’u përshëndetur. Sipas tij, mazhoranca ka kërkuar numërimin e çdo vote të qytetarëve shqiptarë si dhe të merrte fund “beteja” ligjore mes forcave politike, pasi votuesit ishin shprehur qartë me votën e tyre. “PD kërkoi t’i jepet fund kalvarit të procesit gjyqësor, ky ishte qëndrimi ynë. Edhe PS-ja kërkonte që t’i jepej fund, por të shpallej Rama fitues. Vullneti i qytetarëve është ai që prevalon, edhe nga këndvështrimi teknik duhet përshëndetur. Këtë kërkojmë prej sistemit gjyqësor, të jetë i pavarur dhe të dalë mbi interesat e palëve; i jap të drejtë të gjithë veprimtarisë së KQZ-së, qëndrimit permanent të kandidatit të PD-së, Lulzim Basha, që duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve. Thotë se procesin KQZ e ka bërë korrekt, super korrekt, sipas Kolegjit”- u shpreh Halimi.
Sipas tij, “Kolegji kërkon që jo fletët e kontestuara, por ato të hedhura aksidentalisht në kutinë tjetër do të rivlerësohen”. “Edi Rama e refuzoi këtë mundësi për votat e kontestuara, ai ushtroi dhunë të paparë në KQZ”.
Gjithashtu, deputeti demokrat Eduard Halimi bëri të ditur se PD-ja nuk do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për fletët e kontestuara.
“Kush është i pakënaqur nga vendimet e Kolegjit, mund t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të Strasburgut për të Drejtat e Njeriut”- sugjeroi përfaqësuesi i mazhorancës, Halimi.
Çlirim Gjata: Vendimi i Kolegjit duhet respektuar, fituesi i Tiranës le të dalë nga numërimi i votave dhe jo presioni politik
Ish- kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, gjatë vlerësimit të vendimit të marrë nga Kolegji Zgjedhor për Tiranën tha se ai është një vendim totalisht i pavarur, i cili në bazë të tij i jep vlerë dhe legjitimon numërimin e çdo vote të hedhur në kuti të tjera nga votuesit ne zgjedhjet lokale të 8 majit. Sipas Gjatës, një tjetër aspekt tejet pozitiv i vendimit të Kolegjit Zgjedhor është rrëzimi i pretendimeve për mos-rakordim të shifrave mes numrit të votave dhe zgjedhësve në kutitë e votimit. Ndërsa e cilësoi si të papranueshëm presionin e ushtruar nga opozita mbi kolegjin zgjedhor përpara marrjes së vendimit Gjata përfundoi qëndrimin e tij duke shtuar se, është e pamundur ligjërisht që në Tiranë të ketë ri-përsëritje të zgjedhje për pavlefshmëri të tyre.