E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, bie me 10% besimi i bizneseve

Tremujori i fundit i vitit 2008 konfirmon pasojat e krizës ekonomike në Shqipëri, ndërsa 2009 mbetet ende e paqartë. Banka e Shqipërisë prezantoi dje Indeksin e Besimit për Biznesin dhe Konsumatorin, ku falë një pyetësori me përmbajtje rreth aktivitetit ekonomik, u arritën disa rezultate jo shumë pozitive në krahasim me tremujorin e tretë të 2008-ës. Publikimin e parë e paraqiti guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili nënvizoi rëndësinë e këtyre të dhënave, në mënyrë që vendimmarrja në të ardhmen të jetë sa më e duhur. Banka e Shqipërisë ka punuar për disa vite në ndërtimin e këtyre treguesve, duke u mbështetur në rezultatet e vrojtimeve në shkallë të gjerë pranë rreth 720 bizneseve dhe 1200 konsumatorëve. Si përfundim del se Treguesi i Tendencës Ekonomike (TTE) ra me 10 pikë përqindjeje, duke shënuar vlerën 105.3 për qind. Sektorët më të prekur nga kriza janë shërbimi dhe industria, ndërsa ndërtimi, edhe pse në rënie, tregoi një shenjë besimi ndaj së ardhmes. Lidhur me Indeksin e Besimit të Konsumatorëve, nga vrojtimi del se shqiptarët paraqiten më pesimistë për situatën e tyre financiare.

Treguesit

Shërbimet, industria dhe konsumatorët, në përgjithësi nuk duken aspak optimistë për një përmirësim të rritjes ekonomike. E parë në këndvështrime të ndryshme në varësi të sektorit, për biznese të shumta, një pjesë e përgjegjësisë për rënien e aktivitetit ekonomik lidhet me informalitetin, mungesën e dritave, etj. Ndërtuesit kanë probleme me sistemin e ligjeve fiskale, por për ta, 2009 parashikohet të jetë në rritje.

Industria

Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) në tremujorin e fundit rezultoi me prirje të lehtë rënëse. Treguesi i besimit, i cili kishte shënuar rënie me 1.2 pikë përqindjeje në periudhën korrik-shtator 2008, ra me 0.3 pikë përqindjeje në tetor-dhjetor, i ndikuar kryesisht nga përkeqësimi në situatën e punësimit. Vlerësimet e bizneseve për kërkesën e brendshme dhe për kërkesën për eksporte janë ulur. Ky fakt vërtetohet në rënien e eksporteve, ndërsa shitjet brenda vendit lidhen me prirjen e konsumatorëve për të mos shpenzuar, që për BSH lidhet më shumë me aspektet psikologjike. Gjendja e përgjithshme e biznesit dhe ecuria e ekonomisë në vend janë gjykuar në rënie nga bizneset e industrisë, në krahasim me vrojtimin e kaluar. Faktorët që kanë ndikuar negativisht në aktivitetin e bizneseve janë kryesisht problemet që lidhen me praninë e ekonomisë informale dhe problemet me energjinë elektrike. Kontratat e prodhuesve të veshjeve paraqiten negative dhe në rënie, kurse kapaciteti aktual i prodhimit vlerësohet i mjaftueshëm.

Ndërtimi

Treguesi i Besimit të Ndërtimit u rrit me 4 pikë përqindjeje, kurse për sa i përket vlerësimeve të bizneseve për situatën e punësimit, balanca përkatëse vijon të jetë negative që nga tremujori i kaluar. Sipas BSH-së, megjithëse ecuria e ekonomisë në vend për tremujorin e fundit vlerësohet negative dhe në rënie, bizneset e ndërtimit e kanë gjykuar të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre. Problemet që kanë hasur më shumë bizneset e ndërtimit në aktivitetin e tyre janë prania e ekonomisë informale dhe pengesa të kuadrit ligjor dhe institucional. Ndërtimi punon me 70 për qind të kapacitetit, ndërsa inventari ka pësuar zgjerim. Pritjet e bizneseve të sektorit të ndërtimit për kërkesën, gjendjen e përgjithshme të biznesit dhe prodhimin në tremujorin e parë të vitit 2009 janë optimiste, megjithëse klima e përgjithshme ekonomike paraqitet negative.

Shërbimet

Treguesi i besimit për sektorin e shërbimit (bankat, telefonia, etj.) shënoi rënie me 7 pikë përqindje. Ky tregues u shkaktua nga një vlerësim më pak optimist për të tre treguesit përbërës: ecuria e përgjithshme ekonomike, situata e punësimit dhe situata financiare. Problemet që lidhen me energjinë elektrike dhe infrastrukturën janë gjykuar nga bizneset si faktorët kryesorë, të cilët kanë penguar zhvillimin normal të aktivitetit të tyre. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ka rënë në 73.6 për qind nga 80 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm. Pritjet e firmave të sektorit të shërbimit janë disi më pesimiste krahasuar me vlerësimin e tyre për tremujorin referues, kurse pritjet për ecurinë e ekonomisë dhe gjendjen e përgjithshme të biznesit së tyre në T1-09 janë negative. Sa i përket së ardhmes, te bizneset e shërbimit mbizotëron pesimizmi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›