E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet me kohë të pjesshme

20/04/2010 Kriteret e pranimit sipas programeve studimore

Universiteti i Tiranës në fakultetet e tij organizon studimet me kohë të pjesshme. Kuotat e pranimit dhe tarifa e veçantë e shkollimit për studimet me kohë të pjesshme përcaktohen në aktet nënligjore të Këshillit të Ministrave.

Programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të pjesshme realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se 4 vjet.

Programet mësimore në ciklin e parë të studimeve në formën e studimit me kohë të pjesshme janë të njëjta me ato të sistemit me kohë të plotë.

Programet e dyta të studimit

Personat që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, si rregull, pranohen për aplikim kandidatët me diplomë të përafërt me programin e dytë në të cilin kërkojnë të studiojnë, nga të cilët përzgjidhen ata me mesatare më të lartë. Në këtë rast kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve.

Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer sipas kritereve dhe procedurave që parashikon ligji për arsimin e lartë dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Studimet “Master i nivelit të dytë”

Programet e studimeve “Master i nivelit të dytë” ofrojnë arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor e profesional dhe realizohen me jo më pak se 60 kredite për një periudhë jo më pak se një vit.

Në planin mësimor përcaktohen edhe kreditet për çdo veprimtari formuese si dhe karakteristikat e tezës së diplomës.

Mbrojtja e diplomës MND

Diploma mbrohet pas shlyerjes së të gjitha detyrimeve që parashikon plani mësimor, para një jurie të përbërë prej të paktën dy pedagogë dhe një oponenti, të propozuar nga përgjegjësi i departamentit përkatës dhe miratuar nga dekani i fakultetit.

Procedura e mbrojtjes përfshin një paraqitje të përmbledhjes së punimit të diplomës, paraqitje e vlerësimit nga udhëheqësi i saj, pyetje dhe përgjigje si dhe vlerësimin e jurisë.

Vlerësimi i punimit të diplomës bëhet me sistem pikëzimi, i cili detyrimisht kthehet në notë. Studenti që fiton 80-100 për qind të pikëve vlerësohet “shumë mirë”; me më pak se 80 për qind të pikëve vlerësohet “mirë”; me më pak se 64 për qind të pikëve vlerësohet “mjaftueshëm” dhe me 49 për qind e më pak e pikëve vlerësohet “nuk kalon”.

Kandidati që rrëzohet në mbrojtjen e diplomës ka të drejtë të riparaqitet për mbrojtje vetëm një herë, në një datë të caktuar nga dekani i fakultetit, por jo më parë se 6 muaj nga rrëzimi.

Ekuivalentimi, transferimet dhe ndërrimi i sistemit të studimeve

Nëpërmjet ekuivalentimit pjesë ose programe të plota studimi ose diploma të marra në institucione të tjera të vendit ose të huaja njihen dhe ekuivalentohen nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm.

Ekuivalentimi bëhet nga fakulteti/instituti pranë të cilit është paraqitur kërkesa dhe dokumentacioni i nevojshëm sipas përcaktimeve në statut.

Llojet e transferimeve

Universiteti i Tiranës ofron mundësi për transferime të studentëve në vite të ndërmjetme midis programeve të të njëjtit cikël, brenda vetë institucionit apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë.

Si rregull, transferimet bëhen në vite të ndërmjetme dhe pranohen kandidatët me rezultatet më të larta. Kreditet minimale të domosdoshme për transferimin e studimeve janë 30.

Propozimi dhe miratimi i transferimit

Për studentët e universiteteve të tjera që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, universiteti përcjellës duhet të jetë i akredituar.

Propozimi vjen nga rektorati i universitetit përcjellës, i shoqëruar me të dhëna të hollësishme për studentin: programi i studimit, cikli, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera, vlerësimet me kreditet përkatëse, certifikatë personale, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer. Vendimin për pranimin e studentëve të propozuar për transferim e merr rektorati pas rishikimit të kuotave të aprovuara.

Për studentët që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, komisioni i ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që dërgon universiteti përkatës përcakton detyrimet që do të ketë studenti, nëse pranohet në atë degë, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë.

Ndryshimi i formës së studimit

Kalimi nga forma e studimeve me kohë të plotë në atë me kohë të pjesshme bëhet me vendim të rektorit, me propozim të dekanit, mbi bazën e kërkesës së studentit të interesuar, për studentët që kanë përfituar të gjitha kreditetet e vitit të parë të studimeve dhe që kanë mesatare të notës së studimeve 8,5 e lart. Ky kalim bëhet kur e lejon natyra e fushës përkatëse të diplomimit.

Në të dyja rastet e kalimeve të përmendura më sipër duhet të mos cenohet numri i kuotave të studentëve në ciklet dhe programet përkatëse, i caktuar nga aktet nënligjore përkatëse.

Kriteret e kalimit në vitin pasardhës

• Studenti kalon nga viti i parë në vitin e dytë kur ka siguruar të paktën 30 kredite të vitit të parë.

• Studenti kalon nga viti i dytë në vitin e tretë kur ka siguruar të paktën 90 kredite nga viti i parë dhe i dytë.

• Fakulteti i Mjekësisë, me propozim të Këshillit të Fakultetit dhe miratim të Senatit Akademik, mund të përcaktojë lëndë pa fitimin e të cilave studenti nuk kalon në vitin pasardhës, edhe nëse ka fituar 30 kredite.

• Studenti i vitit të fundit që në përfundim të provimeve të vitit rezulton me 30 kredite të pashlyera, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati/drejtoria, përpara sezonit të diplomimit.

• Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së tyre në sezonin e riprovimeve të vjeshtës, ndërsa diplomimi bëhet në sezonin e dimrit.

• Studenti lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës pasi të ketë fituar të gjitha kreditet e parashikuara në programin mësimor.

Riprovimet

• Studenti ka të drejtë të japë provim në tri sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me kërkesë të Këshillit Studentor mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata u nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar.

• Studenti i vlerësuar përsëritës në sezonet e rregullta të provimit ka të drejtë:

• Të riprovohet në sezonin e vjeshtës deri në gjysmën e krediteve vjetore (30 kredite), duke përfshirë si lëndët e vitit në vijim, ashtu dhe ato të mbartura nga vite të mëparshme.

• Të paraqitet në provim në vitin pasardhës deri në dy herë për provimet e mbartura: një herë në njërin nga sezonet e provimeve sipas përkatësisë së lëndës që mbart dhe herën e dytë lejohet vetëm në sezonin e riprovimit.

• Kur studenti rezulton kalues me kreditet e nevojshme dhe brenda dy vjetve akademike nuk ka fituar një lëndë, ka të drejtë të kërkojë ngritjen e një komisioni specifik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›