E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata sekuestron pasurinë e Saliut të "bandës" së Durrësit dhe Hoxhës së "bandës" së Lushnjës

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të institucionit të akuzës vendosi sekuestrimin e pasurive të para në zbatimit të ligjit "Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë" i njohur ndryshe si ligji "Antimafia", që ka hyrë në fuqi në janar 2010.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe atyre të togave të zeza, ku këta të fundit kanë miratuar dy kërkesat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për sekuestrimin e pasurisë së të afërmve të të ndjerit Klodian Saliu dhe të pandehurit Afrim Hoxha.


ga puna e tre prokurorëve dhe tre oficerëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është arritur të verifikohen pasurit e këtyre dy personave, ku pas një hetimi disa mujor është arritur në përfundim se një pjesë e pasurisë së tyre nuk justifikohet nga të ardhurat që ata kanë pasur dhe kanë dhe për këtë qëllim është kërkuar sekuestrimi i tyre deri në një vendim tjetër të togave të zeza.


Kështu, sipas vendimit të Gjykatës, tashmë është vendosur sekuestrimi i pasurive të të afërmve të Klodian Saliun ish-drejtues i "bandës" së Durrësit tashmë i vrarë me 6 mars 2005 në një atentat në rrugës Tiranë-Durrës. Si dhe sekuestrimi i pasurisë që ndodhet në emrin e të afërmve dhe vetë të pandehurit Afrim Hoxha që akuzohet si pjesëtar i "bandës" së Lushnjës të drejtuar nga Aldo Bare.


Për të dy këta persona, togat e zeza kanë miratuar kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë që ndodhet e regjistruar në emër të tyre dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes. Ndërkohë në fazë verifikimi ndodhen edhe rreth 300 dosje të tjera, ku po verifikohet pasuria e ngritur ndër vite nga persona të ndryshëm në kuadër të trafiqeve të ndryshme.


Ndërsa, pa hyrë në fuqi ligji "Antimafia", nga vitit 2005 deri në 2008 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar gjithsej 27 procedime pasurore


Saliu


Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës së prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së të afërmve të Klodian Saliut, pasi dyshohet se ky i fundit e ka ngritur këtë pasuri në kohën që ishte pjesë e "bandës" së Durrësit dhe njëri nga drejtuesit e kësaj bande.


Me vendim të togave të zeza, mësohet se janë sekuestruar tashmë një Apartament banimi me sipërfaqe 132.95 m2 në Tiranë, dy sipërfaqe truall që kapin shifrën e 2000 m2 në Durrës dhe tre llogari bankare, njëra me shumën 1.148 euro dhe dy depozita kursimi me shumën 1 946 267 lekë të reja.


Të gjitha këto pasuri janë sekuestruar pasi rezulton se i ndjeri Saliu dhe të afërmit e tij disponojnë këtë pasuri të luajtshme e të paluajtshme në kohën kur vlera e saj nuk i përgjigjet mundësive të tyre ekonomike.


Hoxha


Gjykata, pas kërkesës së prokurorisë ka sekuestruar në zbatim të ligjit "Antimafia" edhe pasurin e të afërmve apo vetë të pandehurit të "bandës" së Lushnjës Afrim Hoxha. Mbi të cilin rëndojnë akuzat e "Vrasjes me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri; "Mbajtjes pa leje të armës luftarake''; "Organizatës kriminale" dhe "Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale".


Sipas gjykatës të pandehurit Hoxha i janë sekuestruar një truall ndërtese me sipërfaqe 200 m2 në Lushnje, një lokal "Pastiçeri" me sipërfaqe 108 m2 po në Lushnje si dhe pesë autovetura të ndryshme, një kamion dhe një motoçikletë sportive. Të gjitha këto pasuri, sipas vendimit, dyshohet se janë ngritur në mënyrë të paligjshme nga të ardhurat e trafiqe të ndryshme që i pandehurit kryente për llogari të tij dhe "bandës" së drejtuar nga Aldo Bare.


RASTET


Pronat e të afërmve dhe të ndjerit Klodian Saliut (si pjesëtar i "bandës" së Durrësit)
Apartament banimi me sipërfaqe 132.95 m2 në Tiranë
Pronë truall me sipërfaqe 1500 m2 në Durrës
pronë truall me sipërfaqe 500 m2 e ndodhur në Durrës
llogari bankare në shumën 1.148 euro
Dy depozita kursimi në shumën 1 946 267 lekë

Pronat e të afërmve dhe të pandehurit Afrim Hoxha (si pjesëtar i "bandës" së Lushnjës)
Truall + ndërtesë, me sipërfaqe totale 200 m2 në, Lushnje
Lokal "Pastiçeri" me sipërfaqe 108 m2 në Lushnje
Autoveturë, "Mitsubishi-Pajera", prodhim i vitit 1999
Aotoveturë, marka "BENZ", prodhim i vitit 1989
Autoveturë tip "Transit", marka "Ford", prodhim i vitit 1996
Autoveturë tip "Benz" 124 (300 TD), prodhim i vitit 1991
Autoveturë tip "Benz"
Kamion, "SAURER", prodhim i vitit 1982
Motorçikletë të tipit "YAMAHA", prodhim i vitit 2002

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›