E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasojat në shëndet, grup pune për monitorimin e ndotësve në ajër

20/04/2010 Hiri i ngritur nga shpërthimi vullkanik i Islandës

Shpërthimi vullkanik në Islandë gjatë ditëve të fundit përveç problemeve që mund të shkaktojë në funksionimin e linjave ajrore, duke shtuar shkallën e rrezikshmërisë për aksidente, mund të shoqërohet edhe me shfaqjen e problemeve shëndetësore te kategori të caktuara. Ekspertët e shëndetit publik bëjnë me dije se edhe në vendin tonë (ndonëse ka pak gjasa të mbërrijë kjo re), është ngritur një grup pune, që po merret me monitorimin e ajrit. Për këtë Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët e shëndetit publik në kryeqytet kanë konfirmuar ngritjen e një grupi pune, e cili do të merret me monitorimin e situatës së ndotjes që mund të jetë shkaktuar në ajër. Strukturat ndërkombëtare të shëndetësisë, si OBSH, kanë pohuar se kategoritë më të rriskuara nga kjo ndotje janë pacientët që vuajnë nga sëmundje të natyrave të ndryshme, si ato të zemrës apo të rrugëve të frymëmarrjes. Eksperti i ISHP-së Agron Deliu ka pohuar gjatë ditës së djeshme se, nëse ndodh që reja e hirit të mbërrijë deri në vendin tone, ajo mund të shkaktojë probleme të mëtejshme te njerëzit në rrugët e frymëmarrjes. “Nëse reja e hirit do të vijë këtu, gjë që mundësia është më pak se 1 për qind, më shumë rrezikohen njerëzit që kanë sëmundje ekzistuese, siç janë azmat, sëmundjet e frymëmarrjes, që lidhen me kraharorin, ata që kanë alergji që lidhen me frymëmarrjen. Për çdo gjë do të ketë lajmërime në kohën e duhur. Rreziku më i madh është rreziku i aksidenteve, jo më rreziku shëndetësor”, - ka deklaruar Deliu. Nga vëzhgimet e bëra deri tani është pohuar se vullkani i Islandës është cilësuar si një vullkan i dobët dhe jo i rrezikshëm. “Për rrezikun global të klimës do të ishte e rrezikshme po të ishte mbi 10-12 mijë metra, se atëherë ai krijon një shtresë. Këto grimcat e imëta, që depozitohen me muaj dhe me vite. Ky vullkan hyn tek ata pak të rrezikshmit, për dy arsye: e para, ka pak squfur në përbërjen e grimcave, sepse, për shembull, vullkanet e ishujt Havai dhe Indonezi kanë shumë squfur dhe e dyta, hedhja për efekt të aktivitetit të vet jo shumë të fuqishëm, është në lartësi më të vogël”, - ka përfunduar Deliu. Megjithatë, deri tani të vetmet probleme që janë konfirmuar nga shpërthimi i këtij vullkani kanë të bëjnë vetëm me paralizimin e funksionimit të shumë linjave ajrore, ndërsa për problemet shëndetësore po vijon monitorimi i ndotësve të mbetur në ajër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›