E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT, shton sezonet e provimeve

Rregullorja e re miratoi shtimin e sezoneve në dhjetor dhe në prill. Sezonet shtesë do të jenë me pagesë


Për të kaluar në vitin pasardhës studenti duhet të plotësojë minimalisht 30 kredite nga viti i parë


Rregullorja e re e Universitetit të Tiranës e miratuar pak ditë më parë u jep mundësinë studentëve që të japin më shumë provime gjatë një viti akademik.


Propozimi për shtimin e dy sezoneve të tjera të provimeve është bërë nga Këshilli Kombëtar Studentor. Kështu sipas rregullores së re, vç tri sezoneve klasike, në përfundim të semestrit të parë, në përfundim të semestrit të dytë dhe në vjeshtë, studentët do të gjenden para provimeve edhe në dy sezone të ndërmjetme, pikërisht në dhjetor dhe në prill.


Por, për të gjithë ata studentë që do zgjedhin të japin provime gjatë këtyre sezoneve do të ketë një kosto financiare. Sipas palës propozuese të kësaj formule të re, Këshillit Studentor, studentët për të hyrë bë provim do të duhet të paguajnë një tarifë të caktuar.


Sipas rregullores së re, studenti i vlerësuar si përsëritës në sezonet e rregullta të provimit ka të drejtë që të riprovohet në sezonin e vjeshtës deri në gjysmën e krediteve vjetore (30 kredite), duke përfshirë si lëndët e vitit në vijim ashtu dhe ato të mbartura nga vite të mëparshme.


Për sa i përket provimeve të mbartura, rregullorja parashikon që një student të paraqitet në provim në vitin pasardhës, deri në dy herë. Një herë në njërin nga sezonet e provimeve sipas përkatësisë së lëndës që mbart dhe herën e dytë lejohet vetëm në sezonin e riprovimit. Në rastet kur studenti rezulton kalues me kreditet e nevojshme dhe brenda dy viteve akademike nuk ka fituar një lëndë, ka të drejtë të kërkojë ngritjen e një komisioni, për shqyrtimin e ankesës së tij.


Kalimi nga njëri vit në tjetrin


Për të kaluar nga viti i parë i programit të universitetit në të dytin, një student në përfundim të vitit duhet të ketë siguruar minimalisht 30 kredite. Kjo sasi kreditosh është e vlefshme vetëm për vitin e parë, pasi për të rezultuar kalues të vitit të dytë apo të tretë studentët duhet të plotësojnë një tjetër kuotë kreditesh. Kështu, një student kalon nga viti i dytë në vitin e tretë, kur ka siguruar të paktën 90 kredite nga të dy vitet së bashku.


Nga ky rregull bën përjashtim vetë fakulteti i Mjekësisë, i cili për ka të drejtën të përcaktojë lëndë, pa marrjen e të cilave studenti nuk kalon në vitin pasardhës edhe rast se ka fituar 30 kreditet që duhen.


Në këtë pikë, senati i ka dhenë dorë të lirë fakultetit të Mjekësisë për përcaktimin e lëndëve, njohuritë e të cilave duhet të përvetësohen mirë nga studentët, të cilët duan të kalojnë në vitin pasardhës. E thënë ndryshe, studentët që nuk do të rezultojnë kalues në këto lëndë të përcaktuara do të qëndrojnë në stazh edhe në rastin kur do të kenë plotësuar minimumin e 30 krediteve.


Provimet e vitit të fundit


Studentët që ndjekin vitin e fundit dhe që në përfundim të provimeve të vitit rezultojnë me 30 kredite të pashlyera, kanë të drejtë që t'i likuidojnë ato gjatë një periudhe e cila përcaktohet nga dekanati ose drejtoria përkatëse.


Ky sezon i vogël do të duhet të përcaktohet para sezonit të diplomimit. Studentët që shlyejnë këto detyrime lejohen të hyjnë në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, studentëve u lind e drejta e shlyerjes së provimeve në sezonin e riprovimeve të vjeshtës, ndërsa diplomimi bëhet në sezonin e dimrit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›