E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike "rrënon" martesat

Në vitet e fundit konstatohet tendencë në rënie e numrit të martesave në Shqipëri. Viti 2009 evidenton ulje drastike të numrit të tyre, krahasuar me vitet e mëparshme. Nëse në tremujorin e fundit të vitit 2008 numëroheshin gjithsej 10938 martesa, në tremujorin e dytë të vitit 2009 regjistrohen 7886. Diferencë kjo prej 3052 martesash. Ndërkohë që më problematik paraqitet Qarku i Shkodrës, i cili numëron 30 martesa dhe vetëm 46 lindje në tremujorin e dytë të vitit 2009. Statistikat bëhen publike nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në Buletinin Statistikor Tremujor. Shifrat janë sa "absurde", aq edhe të konsiderueshme. Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm i psikologut Edmond Dragoti, i cili ka theksuar se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në një rënie të tillë është pikërisht faktori ekonomik. Sipas tij, kjo është e padiskutueshme, për aq kohë sa Shqipëria është e përfshirë në krizën ekonomike globale. "Që një çift të vendosë të martohet, duhet padyshim të ketë kushte ekonomike për t‘u bërë ballë detyrimeve dhe përgjegjësive që kërkon një familje. Përgjithësisht të rinjtë e sotëm nuk ofrojnë perspektivën dhe mundësinë e mjaftueshme ekonomike për të mbajtur një familje. Kjo shpjegon më së miri tendencën në rënie të numrit të martesave në vendin tonë", tha Dragoti. Pa përfshirë periudhën mujore që konsiderohet si më pjellore nga ana biologjike, në raport me të tjerat vërehet se ka një sërë faktorësh të tjerë që kanë çuar në uljen e numrit të martesave, rrjedhimisht dhe në rënien e numrit të lindjeve. Është e dukshme rënia e numrit të martesave nga viti në vit. Raporti me tendencë në ulje nga viti 2008 në vitin 2009 është pasojë e disa dukurive demografike, që shpesh hasen edhe në shumë vende të tjera që e kanë kaluar periudhën e tranzicionit politik, ekonomik she social. Madje edhe krizat sociale dhe ekonomike kanë efektet e tyre të drejtpërdrejta në këto dy dukuri që paraqiten shqetësuese në vendin tonë. "Shoqëria jonë është në procesin e një lëvizjeje të madhe të popullsisë, mentalitetit dhe kulturës. Këta elementë të rëndësishëm, si dhe mënyra e të menduarit të individit apo konceptimi i jetesës në mënyrë individuale për të përballuar problemet më të mëdha të kohës, sjellin si rezultat pakësimin e numrit të lindjeve, si dhe shtimin e riskut të martesës ose të dukurive të tjera familjare", theksoi psikologu. Luhatjen tronditëse të statistikave ai e shpjegoi si pasojë e periudhës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik të vendit. Por nga ana tjetër Dragoti nuk nguroi të sqaronte se kjo ulje e konsiderueshme e numrit të martesave dhe lindjeve ka ardhur edhe si pasojë e krizës ekonomike që po kalon vendi aktualisht. Sipas tij, ky është një nga elementët më të rëndësishëm që krijon pasiguri në marrëdhëniet shoqërore dhe familjare. Kjo pasiguri shfaqet në pavendosmërinë për të marrë vendime serioze, siç është ajo e martesës apo e të sjellit në jetë një fëmijë. "Më i ndjeshëm në këtë aspekt është brezi i ri, i cili nuk ka perspektivën e sigurt për të pasur një të ardhme profesionale, shoqërore apo familjare", thotë Edmond Dragoti. Ai sqaroi se rënia e numrit të lindjeve i dedikohet edhe faktit që të rinjtë e sotëm nuk i referohen më lidhjes së mëparshme që kishte shoqëria kolektive para periudhës së tranzicionit. Në rastin e kulturës patriarkale apo të strukturës socialiste që përjetoi populli ynë gjatë 50 viteve të kaluara, nënkuptoheshin edhe detyrimet përkatëse. Kjo nënkupton se martesa ishte detyrim i nevojshëm në një moshë të caktuar. Ndërsa sot kjo kulturë ka ndryshuar, njerëzit tani janë më individualistë, mendojnë më shumë për interesat vetjake sesa për interesat familjare apo shoqërore. Për këtë arsye, individët, vendimet e mëdha që lidhen me idenë për t‘u martuar ose për të bërë fëmijë, i shmangin. Edhe format e reja të kohëve moderne ndikojnë në uljen e numrit të lindjeve. Bashkëjetesa, apo dëshira e të rinjve për të ruajtur beqarinë, ka bërë që të ulet numri i martesave dhe rrjedhimisht numri i lindjeve. Këto dukuri shoqërore janë shfaqur që pas përmbysjes së sistemit komunist. Por kohët e fundit, e sidomos nga viti 2008 në 2009, këto shifra paraqiten edhe më shqetësuese, sepse kjo bën që rinia, e cila konsiderohet si e ardhmja e çdo kombi, të vijë duke u rralluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›