E Diel, 1 Nëntor 2026

Në anë të Shkumbinit

Janë ditët e fundit të dhjetorit, prag Krishtlindjesh, porse çuditërisht një diell i pazakontë e ka ngrohur fort të gjithë luginën e Shkumbinit. Në Elbasan njerëzit duken të kënaqur, por edhe disi të çuditur nga ky mot i çuditshëm. Ca nga festat që po vijnë dhe ca nga i ngrohti pas ditësh të tëra me shi, njerëzia duket më e shpenguar. Qyteti ngjan shumë i gjallë në këtë prag festash. Por ne vazhdojmë rrugën më tej, përgjatë Shkumbinit, në rrugën që të çon drejt Juglindjes. Vetëm brenda pak minutash ndodhemi në Mengël, fshati i parë i komunës Labinot-Fushë. Në fakt, më shmë se fshat, grumbuli i shtëpive të reja që janë ndërtuar në anë të Shkumbinit është më shumë një periferi e Elbasanit. Me qindra lokale, fusha sporti, dyqane dhe ndërmarrje të vogla janë ngritur këtu në dekadat e fundit. Tani askush nuk e kupton mirë se ku mbaron qyteti dhe ku nis fshati. Mengëli ka po atë gjallëri që kemi lënë pas në qytetin e madh. Pikërisht këtu takojmë Shaban Dukën, drejtor shkolle në një fshat ca më lart. Shabani do të jetë udhërrëfyesi ynë në udhëtimin tonë përgajtë fushës së Labinotit, vendit që ka marrë jetë nga Shkumbini.

Në Griqan

Griqani është një fshat i njohur i këtyre anëve. Shtëpitë e tij janë të shpërndara nëpër disa kodra që janë ca larg Shkumbinit. Në Griqan kemi më afër malet se sa lumin. Një përrua zhurmon hareshëm përmes zallishtes së tij. Eshtë përroi i Griqanit, degë e Shkumbinit. Në Elbasan edne ka njerëz që thonë "si uji i Griqanit nuk ka". Përroi buron nga një e çarë mali që është disa kilometra më në lindje. Uji i tij kohë më parë furnizonte një pjesë të mirë të Elbasanit. Një përpjekje për të ngritur këtu një fabrikë të përpunimit të tij nuk e pati jetën të gjatë. Shumë shpejt në Elbasan njerëz "të shkathët" nisën të shisnin ujin e çesmës të stërmbushur me klor, me etiketën "Ujë Griqani".
Përgjatë rrugës së pashtruar që na çon për në fshat hasim disa godina të mëdha tashmë të braktisura. Dikur ishin rezervat e shtetit. Pak më lart disa godina të mëdha na kujtojnë një repart ushtarak shumë të njohur deri në fund të viteve ‘80. Eshtë vendi ku breza të tërë universitarësh kanë kryer të famshmin "zbor tre mujor", një lloj kursi që përgatiste oficerë rezervistë. Sikur të mos ishte sirena e beftë e një treni që kalon poshtë nesh atëherë heshtja e këtyre anëve do të ishte e plotë, e shurdhët, gati-gati sundues e gjithshkaje.
Erdhën pushimet!

Pak nga pak numri i njerëzve që hasim në rrugë nis të shtohet dhe atëherë e kuptojmë se jemi fare afër fshatit. Një grup mësuesesh po zbresin poshtë në rrugën kryesore. Për to mësimi nis sërish andej nga fillimi i janarit. Duken po aq të lumtura për këto pushime që kanë mbërritur sa edhe vetë nxënësit. Shabani, drejtori I tyre na preznton me secilën. Një foto për kujtim të Vitit të Rid he vazhdojmë rrugën më tej. Një djalë i vogël që del nga pas një rrrapi na duket krejt si në përralla. E ka të veshur ende kostumin e Plakut të Vitit të Ri dhe duket krejt i lumtur në anë të përroit teksa vrapon për të shkuar në shtëpi. "Rrofshin pushimet!", e përshëndesim ne. "Plaku" i vogël i Vitit të Ri vrapon hareshëm dhe zhduket pas një kthese të përroit.
Shabani na shoqëron në shkollën që drejton. Dia klasa ende nuk e kanë mbaruar festën. Më të rriturit kanë organizuar një "disko". Në shkollë takojmë edhe Sabire Bicën, një mësuese e vjetër. "Zysha" na tregon me krenari klasën e saj. Ka të drejtë të krenohet. Klasa është një grumbull i bukur tollumbacesh dhe letrash me ngjyra.
Jashtë në oborr janë mbledhur ata që nuk u bë përshtypje "diskoja". Njëri prej tyre duket se është "komandanti". Ai u mëson të tjerëve se si përdoret pistoleta lodër që gjuan me disa saçme të vogla, por fort të rrezikshme. Shokët e shohin me admirim teksa merr nishan një pulë të hutuar që ka guxuar të depërtojë në oborrin e shkollës.

Histori poshtë fikut

Sikur në korrikun e 1943 komunistët të kishin vendosur që Shtabin e tyre të Përgjithshëm ta vendosnin jo në Labinot-Mal, por gjetiu, atëherë mbase këto anë nuk do të ishin dalluar për asnjë gjë të dukshme. Do të ishin vetëm disa fshatra të urtë e të qetë në anë të rrugës dhe të Shkumbinit dhe aq. Por nuk ka ndodhur kështu. Ndonëse kanë kaluar shumë vjet që asokohe në Griqan ka ende njerëz që I mbajën mend tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Njëri prej tyre është Musa Trungu, 85-vjeç. "Dajë Musai" është një plak i imët që ecën lehtë e në majë të gishtave. Neve na kujton një sustë të kalitur mirë. Bashkë me të ulemi në anë të një fiku të vjetër, krejt afër përroit të Griqanit. Ndërsa ai nis të flaës neve na duket sikur po shohim ndonjë film të vjetër me luftë. Nga ata bardhë e zi, ku partiznatë nuk rreshtin së vrari gjermanë deri në fund. Në këto anë janë bërë luftime që porsa kanë mbërritur gjermanët në Shqipëri. Shtabi i Përgjithshëm dhe e gjithë udhëheqja kryesore e rezistencës nuk ndodhej shumë larg prej këtu. Shtigjet e vetme nga ku mund të kalonin gjermanët ishin piëkrosht këto gryka që shpien drejt maleve. "Në kohën e Italisë ishim si ma qetë - thotë "daja" - nuk maj men që të jetë ba luftë në këto anët tona. Luftë kishte, kte e dishim, po se ku u bate ajo, kte nuk e morëm vesh kurrë. Ishte shumë larg nesh. Puna ndryshoi kur erdhën gjermanët. Këta ishin të frikshëm. Të frikshëm dhe trima. Nuk jab ante syni tërr fare. Që në 1943 përgjatë të gjithë luginës janë ba luftime të randa. Në nji anë ishin gjermant që doshin me hy në Labinot-Mal dhe me e zanë Shtabin e Përgjithshëm dhe m‘anë tjetër ishin partizant që i pengoshin. Në mest ishim neve. Shumë herë kemi ikë prej shtëpive tona se ktu nuk rrihesh. Bahesh luftë e madhe. Shtabi pastaj ka lëvizë nga Labinoti dhe andej nga fundi i 1944 nisën të tërhiqen edhe gjermanët vetë".
"Pse e pi mër t‘keqen daja. Ai asht helm e kalu helmit", dajë Musai porsa ka parë njërin prej nesh që po shijon një cigare në anë të përroit. "E dini ju qysh jam ba kaq unë dhe pa u smu as i herë - na thotë daja gjysmë me qortim - nuk kam pi as cigare e as alkool. Sekreti asht nji lugë voj ullini që në mëngjes esëll. Po i batë kto do jetoni kaq gjatë sa unë". Vaj ulliri nuk kemi se ku të gjejmë në anë të përroit, sidoqoftë ai shoku e flak tej menjëherë cigaren.
Në fakt, alkoolin daja e ka refuzuar edhe për një arsye tjetër. Banorëte këtyre anëve janë të njohur të krejt Elbasanin si besimtarë të mirë islamë. Fare afër shkollës na bën përshtypje xhamia e mbajtur mirë. Përballë saj janë shtëpitë e hoxhës. Një përpjekje e jona për të takuar hoxhë efendinë rezulton pa sukses. Na thonë se ka shkuar në Elbasan për disa punë të tijat. "ka edhe hoxha punë për Vit të Ri - thotë serioz njëri prej nesh - edhe ai është njeri si gjithë të tjerët". Dielli vazhdon të na ngrohë fort teksa rrimë një copë herë në xhaminë e verdhë të Griqanit.

Kovaçi dhe shkolla

Një tjetër i moshuar përshëndetet me Shabanin. "Këndej nga anët tona nuk e kemi zakon me lanë mikun pa nji kafe", këmbëngul plaku, por ne e kemi ca me ngut. Kemi ende disa gjëra për të parë. Fadil Murati është ca më i ri nga dajë Musai. Fisi i tij jetë e mot është marrë me farkëtari. Kosat, plugjet, drapërinjtë, thikat, lopatat e kazmat, të gjitha gjërat e hekurta që mund ti hyjnë në punë një fshatari janë prodhuar nga farka e fisit Murati. Por plaku na zbulon edhe një passion tjetër: shkollën. Fadili është edhe kujdestar i shkollës. Ai i mban çelsat e saj, kur shkolla është pushim, ai e ruan natën e ditën se mos e cënon ndonjë I marrë antishkollë. "E ruj shkollën more çuna - na thotë -se kjo vjene para. Shkolla asht e t‘gjithve. Pa te nuk kemi të ardhme. Këtë lidhje e kam nga gjyshi im. Hala i kam të rujtme librat që i sillte ai prej Turqije. Shkolla asht gja e madhe fort".
Krejt afër shkollës është kovaçana e Fadilit. Eshtë njësoj si qëmoti, me vatrën ku digjet qymyri i drurit, me kacekun me ajër dhe me xixat që shpërndahen në të katër anët e dhomës së vogël gjysmë të errët. Kovaçi i ri, djali i Fadilit, nuk na e ka edhe aq ngenë. Eshtë duke mbaruar një porosi. Një fshatar i ka kërkuar një sasi biçakësh. Disa prej tyre tashmë janë gati. Të futur në këllëfat e tyre prej briri të dashit, ato na duken si gjëra të qëmotit. Nga vatra e kovaçit vazhdojnë të dalin pa pushim shkëndijat e përflakura.

Monumente anës lumit

Qendra e komunës është në Labinot-Fushë. Sapo kemi lënë pas qetësinë e Griqanit kështu që na duhet pak kohë të mësohemi me zallamahinë e makinave dhe njerëzve që kalojnë thuajse pa pushim përmes qendrës. Krejt përballë godinave të reja, mbi një kreshtë shkëmbore lartësohet një lapidar. Ky na kthen edhe një herë te ato historitë të cilat na kishte treguar dajë Musai. Pikërisht në këtë vend në njërën nga betejat e shumta është vrarë Balil Peçi nga Kuçi. Në shtatorin e 1944 ushtritë gjermane po tërhiqeshin nga Greqia. Kostur-Korçë-Elbasan-Tiranë-Shkodër, ky ishte itinerar që armatat e lodhura dhe të hzgënjyera kishin zgjedhur për tu kthyer në atdheun e tyre të shkatërruar. Partizanët sulmonin kolonat që tërhiqeshin. Duhet të ketë qenë një pre e mirë, por edhe fort e rrezikshme. Balil Peçi kishte qenë komandant i çetës së rinisë së qarkut të Gjirokastrës, më pas komandant i batalionit "Baba Abaz". Kur u vra ishte vetëm 23 vjeç. Po në këtë vend është themeluar edhe njëra prej brigadave më të fundit partizane. Ishte nga ato që përmblidhte disa çeta territoriale. Menjëherë pas shkëmbit të lapidarit nis të gjarpërojë një shteg i ngushtë. Vendasit këtë rrugë dhish e quajnë "Shkalla e Labinotit". Pas afër tre-katër orësh rrugë përgjatë këtij shtegu del në Labinotin-Mal, atje ku dikur ishte Shtabi i Përgjithshëm. Shumë elbasanave me siguri duhet t‘u kujtohet ky emër. "Shkalla" për vite e vite me radhë ishte shndërruar në një vend pelegrinazhi të detyrueshëm. Vetëm duke marshuar nëpër shtegun e ngushtë shkëmbor u tregohej mirënjohja partizanëve ndërsa Partia ishte e kënaqur: rinja ecte mirë edhe në malore.
Lugina e Shkumbinit është një arterie e krijuar nga natyra. Ajo lidh bregdetin me krahinat e brendëshme malore. Romakët, mjeshtra të mëdhenj të ndërtimt, zgjidhën piëkrisht këtë luginë për të ndërtuar të famshmen rrugë Egnatia, e cila lidhte Durrësin me zotërimet e tyre në Maqedoni dhe deri në Konstantinopojë. Përgjatë të dy krahëve të Shkumbinit u ndërtuan stacione. Një pjesë e mirë e tyre u bënë bërthama të qyteteve të ardhëshme: Asparagus (Rrogozhina), Klaudiana (Peqini), Skampa (Elbasani). Me rënien e lavdisë romake edhe rruga Egnatia nisi ta humbasë rëndësisnë e saj. Kalldrëmi I mbajtur mirë, nisi të prishej dhe shumë stacione mbetën vetëm gërmadha, megjithatë në shekujt e ardhëshm lugina e Shkumbinit vazhdoi të shëbrnete si rrugëe rëndëishme karvanesh. Turqit ndërtuan mbi të dhe degët e tij një sërë urash. Njëra pejtye mabhet ende në këmbë në Labinot-Fushë,m krejt në anë të rrugës nacionale. Mbi të tani nuk kalon askush. Vetëm ndonjë i apasionuar pas historisë, apo ndonjë klient i lokalit që ka ngjitur. Barishtet dhe ferrat kanë nisur të ngrihen deri në lartësinë e harkut të saj. Makina, njerëz, gomerë e kuaj kalojnë indiferentë në anë të saj, njëosj sikur të jetë një grumbull I thjeshtë gurësh dhe kaq.

Fabrika e alkoolit

Fabrika e alkoolit ndodhet në Mengël, mes atij grumbulli të madh shtëpish që na ishte dukur gjysmëfshat e gjysmëqytet. Ka qenë një ndër të parat fabrika që është ndërtuar në Shqipëri. Në Elbasan I thonë edhe "fabrika e Nosit". Nosët ishin pronarët e saj. Pas 1944 fabrika u shteëzua. Deri afër viteve ‘90 shërbente si punishte vaji. Tani është një grumbull i zymtë godinash që kanë nisur të shemben pak nga pak. Mund të ishte fare mirë një objekt i "arkeologjisë industriale" shqiptare, porse nuk është gjë tjetër veçse një vend i zymtë që bën kontrast me ngjyrat e ndezura të shtëpive rreth e rrotull.
Nosët janë një fis i vjetër i krishterë elbasanas. Më i njohuri prej tyre ka qenë Lef Nosi. Ministër i Postave në qeverinë e parë shqiptare të dhjetorit 1912 dhe më pas protagonist i të gjithë jetës politike shqiptare në fillimet e saj Lefi është i njohur ende në Elbasan për pasionin e tij të madh për të mbledhur e ruajtur dokumente (deklarat e Shpalljes së Pavarësisë është ruajtur pikërisht prej tij), por edhe për një histori të veçantë për kohën: për lidhjen e tij të fortë me Margaret Hasllëk (1885-1948), një studiuese angleze që jetoi 20 vjet në Shqipërinë e kohës së Zogut dhe që në vitet e Luftës së Dytë Botërore u punësua në Egjypt nga Intelixhenc Servisi. Një vendi në Elbasan ende i thonë "te shtëpia e anglezkës". Në tetorin e 1943 Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Patër Anton Arapi dhe Fuat Dibra ishin anëtarë të Këshillit të Regjencës. Ky ishte një organizëm i krijuar nga gjermanët për ti dhënë pamjen e rikthimit të pavarësisë së plotë Shqipërisë së pushtuar. Kjo i kushtoi shumë. Kur partizanët po i afroheshin Tiranës u strehua në Shkodër, ku ndejti nëpër kuvendet françeskane. Për disa kohë jetoi në male, i maskuar si prift, por arratia e tij nuk mund të vazhdonte gjatë. Pas një gjyqi të shpejtë përfundoi i pushkatuar si kriminel lufte. Në kujtimet e tyre priftërinjtë katolikë, miq të patër Anton Arapit, e përshkruajnë si një njeri të hutuar që merrej gjatë me koleksionet e tij të pullave dhe dokumenteve. Me sa duket deri në fund nuk e kuptoi se përse shumë njerëz e kërkonin me aq ngulm për ta vrarë. Nga kjo botë iku i bindur se nuk kishte bërë kurrrë keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›