E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, ekspertët nuk fshehin pasojat negative

Ekonomia shqiptare ndodhet nën presionin e krizës globale dhe ekspertët tashmë nuk kanë më dyshime se efektet e saj do të prekin edhe vendin tonë. Por, rrugët që ata këshillojnë për të minimizuar ndikimet janë të ndryshme. "Kriza nuk është më përtej bulevardit. Është e pranishme dhe unë mendoj se më shumë sesa manovrat monetare, Shqipëria duhet të mbështetet te politikat fiskale", deklaron për "Top Channel", eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko. Por këshilltari i Kryeministrit, Selami Xhepa, thotë se Shqipëria nuk e ka më luksin për të përdorur uljet e taksave si një instrument antikrizë. "Jemi në limitet e mundshme. Taksat si tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale janë në nivelin e 10 për qind, ndërsa kontributet po ulen sërish tani në maj 2009. Përtej këtyre është e pamundur të bësh me ulje", pohon Xhepa.
Ndërkaq, Ciko propozon uljen e taksave të konsumit, pasi sipas tij në këtë mënyrë do të stimulohet kërkesa e brendshme. "Të ulen taksat, jo më ato për biznesin, por përkohësisht taksat e konsumit, madje dhe tabuja Tatimi mbi Vlerën e Shtuar-TVSH, të cilat do të stimulonin kërkesën e brendshme", thotë ai. Ndërsa Xhepa replikon duke u shprehur: "Është vërtetuar se ulja e TVSH nuk transmetohet asnjëherë ne uljen e çmimeve. Kjo politike është e parekomandueshme", saktëson Xhepa.
Por atëherë cila është platforma antikrizë e qeverisë nëse Shqipëria do të ndodhet në një situatë të vështirë? "E vetmja rrugë mbetet rritja e huamarrjes shtetërore për të injektuar likuiditet në treg", shton Xhepa. Sipas parashikimeve më të fundit të FMN, në vitin 2009 rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë gati dy herë më e vogël se në vitin 2008.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›