E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza e trajnerit Dunga, Amauri thirret në Kombëtare

Ëndrra e shumë italianëve (mes të cilëve edhe
presidenti i Federatës Italiane, Xhankarlo
Abete), për të parë në Kombëtare sulmuesin e Juventusit,
Amauri, përfundoi. 28-vjeçari me
origjinë braziliane, por që pret të pajiset me shtetësinë
italiane, është grumbulluar nga trajneri
Karlos Dunga. Lojtari do të jetë pjesë e "seleçaos"
në miqësoren e 10 shkurtit në Londër, kundër "axurrëve"
të Marçelo Lipit. Për Amaurin, i cili është
përfshirë në listë pas dëmtimit të sulmuesit të
Seviljas, Luis Fabiano, ky është grumbullimi i parë
në përfaqësuese. Në këtë mënyrë, duket se do të
mbyllet edhe telenovela për skuadrën me të cilin
do të përfaqësohej sulmuesi bardhezi, që zgjat prej
afro një viti. Lajmi u bë i ditur në sajtin zyrtar të
Federatës Braziliane, ku saktësohej se "prezenca e
Amaurit varet nga autorizimi i klubit italian (Juventusit)".
Në fakt, është "Zonja e Vjetër" ajo që ka
fjalën e fundit, pasi periudha e përcaktuar nga FIFA
për grumbullimin e lojtarëve që luajnë jashtë vendit
ka përfunduar. Bardhezinjtë kanë autoritetin
që t‘i ndalojnë lojtarit të bëhet pjesë e skuadrës së
Dungës. Gjithsesi, Italia ka ende shpresa. Amauri
mund të jetë ende në dispozicion për Lipin nëse
nuk aktivizohet në sfidën miqësore, menjëherë
pasi të marrë pasaportën. Në fakt, ai duhej të ishte
pajisur prej kohësh me nënshtetësinë italiane
falë bashkëshortes Sinthia, por vonesat erdhën për
shkak të burokracive të shumta pasi as zonjës
Amauri nuk i është dorëzuar pasaporta. Gjithsesi,
përfaqësimi me Brazilin do të varet edhe nga vullneti
i lojtarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›