Rama: Zgjidhja e konfliktit të pronës, Berisha mashtroi
Kryesocialisti Edi Rama akuzoi dje Kryeministrin se ka mashtruar qytetarët sa i takon zgjidhjes së problemit të pronës. Këtë qëndrim ai e bëri publik gjatë një takimi të mbajtur në qytetin e Lushnjës ku u mbajt Konferenca Kombëtare e Bujqësisë e Partisë Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste renditi disa nga premtimet sipas tij të parealizuara të mazhorancës, e cila ka dhe 148 ditë kohë. "Duke e nisur nga një premtim, një ndër shumë premtimet e vitit 2005, të atyre që qeverisin sot Shqipërinë, mazhoranca dhe qeveria e saj, i garantoi fermerët e saj se do të zgjidhë çështjen e pronësisë mbi tokën, duke garantuar të drejtat e fituara me ligjin nr. 7501", kujtoi Rama. Teksa konstatoi se fermerët shqiptarë brenda një viti - thotë programi i premtimeve të Sali Berishës në 2005, - do të gëzojnë plotësisht të drejtat e pronësisë nëpërmjet riaktivizimit me ritme të larta të projektit të regjistrimit të tokës". Rama insistoi se 148 ditë nga fundi i mandatit të marrë për të bërë realitet këtë premtim, jo vetëm që nuk është zgjidhur problemi i pronësisë mbi tokën, dhe jo vetëm që nuk janë garantuar të drejtat e fituara me ligjin 7501, por gjithçka ka degraduar edhe më zi se çfarë ishte në 2005. "Të gjithë ata që e kanë votuar Sali Berishën për këtë premtim janë bujq dhe fermë të mashtruar e kokë e këmbë", theksoi Rama. Lideri i opozitës rreshtoi premtimin tjetër se karburanti për konsum bujqësor do të sigurohej me një çmim prej jo më shumë se 40 lekë për litër për të gjithë fermerët shqiptarë. "Jo vetëm që ky premtim rezultoi një tjetër nga gënjeshtrat me shumë bishta të Sali Berishës, por bishti i kësaj gënjeshtre u është bërë lak në fyt, të gjithë bujqve dhe fermerëve shqiptarë, që për shkak të çmimit të rritur stratosferikisht të karburantit, nuk kanë asnjë shpresë dhe asnjë të ardhme dhe mezi presin që pas 18 vjetësh t‘i thonë Sali Berishës largohu se je gënjeshtar, i paaftë dhe i papërgjegjshëm", u shpreh Rama. Premtimi tjetër, shtoi ai, i vitit 2005, ishte se do të rihapen një rrjet i tërë shkollash, të profilit agrar e agro-përpunues sipas modelit amerikan. "Vetëm 148 ditë përpara se sa mandati i marrë për të hapur shkolla sipas modelit amerikan, në shërbim të bujqësisë, ka vetëm një model ‘jeminian‘, i cili është modeli i analfabetizmit, i injorancës, i obskurantizmit dhe prapambetjes edhe më të thellë se sa ajo që trashëgoi kjo qeveri në vitin 2005", ironizoi Rama. Premtim tjetër në sektorin e agrobiznesit, sipas PS-së ishte aplikimi i politikave lehtësuese fiskale, si p.sh. përjashtimi 3-vjeçar nga tatimet për bizneset e reja agrare dhe industriale, ulje me 20% më pak të tatimit mbi fitimin për bizneset e orientuara në eksportin e produkteve ushqimore të mallrave të tjerë bujqësorë dhe blegtoralë. "Një tjetër nga gënjeshtrat me shumë bishta të Sali Berishës për të cilat zotëria që ka keqqeverisur vendin, dhe të cilit i kanë mbetur vetëm 148 ditë, për të vazhduar të tërheqë lakun e premtimeve të kthyera, jo vetëm në gënjeshtra, por edhe në dështim e mungesë shprese", nënvizoi Rama.