Qëndrimi i Kryeministrit: Shqipëria s‘do të pranojë më ujgurë
Shqipëria nuk do të pranojë më ujgurë. ‘Kontrata‘ e qeverisë shqiptare me shtetet e bashkuara të Amerikës u mbyll, pasi Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, vendosi të mbyllë Burgun e Guantanamos. Kryeministri Sali Berisha bëri të qartë dje në Davos të Zvicrës se Shqipëria nuk do të pranojë më ujgurë. Pas tij ka reaguar edhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, duke thënë se "pranimi i ujgurëve, nuk u bë për ndonjë përfitim nga SHBA, por në kuadër të luftës kundër terrorizmit". Pas vendimit të parë të administratës së Presidentit amerikan, Barak Obama, për të mbyllur brenda këtij viti kampin e Guantanamos, një shqetësim i veçantë ka përfshirë autoritetet botërore për ujgurët që ndodhen në këtë kamp dhe për ata që ndodhen aktualisht në Shqipëri. Në debat është përfshirë edhe Shqipëria si i vetmi vend që ka marrë ujgurët deri tani dhe si një destinacion i mundshëm për të pritur të tjerë ujgurë. Në Guantanamo janë 17 ujgurë, minoritet etnik kinez të cilët jo vetëm që janë të pafajshëm, por janë deklasifikuar dhe nuk janë më as të dyshuar, por thjesht civilë. Por në këtë program thuhet se Kryeministri shqiptar e ka bërë të qartë se nuk do të marrë asnjë tjetër ujgur për të mos acaruar Kinën. I pyetur direkt, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është shprehur se ujgurët e parë nuk u morën për ndonjë qëllim fitimi nga SHBA, por thjesht në kuadër të bashkëpunimit në luftën globale kundër terrorizmit. 5 ujgurët që erdhën në Shqipëri, Kina i konsideron terroristë.