Meta: Dyfishim të pagës së mësuesve brenda mandatit qeverisës
Lëvizja Socialiste për Integrim paraqiti dje përpara mësuesve dhe pedagogëve programin e saj qeverisës për arsimin. Kreu i LSI-së duke shpjeguar pikat e veçanta të programit premtoi dyfishim të pagës së mësuesve brenda mandatit të ardhshëm qeverisës. “Në qendër të reformës tonë do të jetë rivlerësimi i figurës së nderuar e respektuar të mësuesit. Paga e tyre do të dyfishohet brenda mandatit të ardhshëm qeverisës. Por mësuesi do respektohet në tërësinë e misionit së tij fisnik si edukator: në rritjen e autonomisë së tij akademike në arsimin parauniversitar dhe në adoptimin e një koncepti të ri të profesoratit universitar, duke rritur respektin e vlerës akademike që përfaqëson, por dhe me organizimin rreth Profesorit dhe stafit të tij”, tha Meta. Duke e parë arsimin si sektorin që do t’i paraprijë zbutjes së varfërisë, Meta tha se, “reforma në arsim do të jetë në funksion të punësimit, në mënyrë që shkolla jonë të përgatisë njerëz të aftë të hyjnë me dinjitet dhe sa më shpejt në tregun e punës”. Infrastruktura shkollore, sipas LSI-së, është një tjetër sfidë e madhe për të. “Brenda 4 viteve të ardhshme do të ristrukturojmë mbi 80 për qind infrastrukturën e shkollave. Nuk do të ketë më shkollë në vend pa ujë, pa drita, pa ngrohje, me xhama të thyera”, tha Meta. Gjithashtu kreu i LSI-së premtoi se brenda 4 viteve të ardhshme do të realizohet decentralizimi i plotë i shkollës, me qëllim rritjen e efektivitetit të saj. “Këtë do ta bëjmë duke zbritur kompetencat për menaxhimin e shpenzimeve korente tek shkolla, shpenzime këto të planifikuara e shpërndara, duke marrë si njësi bazë shpenzimet e një nxënësi”, tha Meta.
premtimet
Dyfishim i pagës së mësuesve Decentralizim të plotë të shkollës Arsimim për emigrantët Ristrukturim të mbi 80% të shkollave Partneritet mes sektorit publik dhe atij privat Subvencionim të plotë të librave për familjet e varfra Kreditim të studimeve universitare nga bankat, pa interes