E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuratë për 8 Marsin nga bashkia Fier

Frederik Çuko 

Dje rreth 40 gra që tregtojnë në tregun ambulant të qytetit të Fierit pranë plehrave të Gjanicës, deklaruan për mediat se kryetari i Bashkisë së Fierit, z. Baftjar Zeqaj, i ka hequr bukën e gojës në prag të festës së 8 Marsit, duke i larguar me forcë nëpërmjet policisë bashkiake nga vendet e tyre në treg. Kryetari i Bashkisë, përfaqësues i Partisë Socialiste, nuk ka mjaftuar me heqjen e bukës së gojës, por i ka ofenduar me fjalë rrugaçërore të denja për një burgaxhi ordiner apo për një Ministër të Berishës, si Pango i Kulturës. “Nuk e rr… fare për ju”, i ka thënë 40 grave Baftjar Zeqaj, duke hapur zinxhirin e pantallonave për ta mbyllur dialogun me gratë e Fierit. 
Ne nuk e dimë nëse kryetari i bashkisë ka qenë i dehur kur i ka bërë këtë deklaratë 40 grave të tregut ambulant të Fierit, apo ka qenë nën ndikimin e ndonjë lënde tjetër narkotike. Deklarata e tij është turpëruese për gjithë qytetarët e Fierit. Askush nuk ka të drejtë t’i drejtohet me këto fjalë fyese një nëne me fëmijë, një gjysheje të papunë që punon në mes të shiut e erës për të siguruar paratë e shkollës së fëmijëve të vajzës që i ka vdekur, apo dhe një njeriu çfarëdo qoftë. Bashkia e Fierit i ka braktisur këta njerëz, pavarësisht premtimeve se do bënte çudira për ata.  Në fushatë elektorale Baftjar Zeqaj ka fituar me moton “qyteti im, shtëpia ime”. Sot Baftjari mbase mund të numërojë disa shtëpi nga lejet e ndërtimit pa kriter që jep, por Fierin e ka lënë në mëshirë të fatit. Fieri mbetet nga qytetet e vetme ku nuk ka hyrë modernizmi. Fieri lulëzon nga kioskat. Gjanica qelbet erë nga plehrat dhe papastërtitë e tjera urbane. Tregu ambulant i Fierit është nga më primitivet në Shqipëri, i shtrirë përgjatë lumit të qelbur Gjanica, i ngritur në llamarina, dërrasa e qese plastike të pista e të shëmtuara. Këshilli Bashkiak kishte dhënë fondet dhe vendosur që tregu i ri i qytetit do të ndërtohej dhe vihej në punë në janar 2009. Në këtë kohë gjithë tregu primitiv i Gjanicës do shpërngulej tek objekti i ri. Objekti i ri nuk ka mbaruar akoma. Bashkia e Fierit ka bërë kontratë me një sipërmarrës privat për të strehuar tregun, pasi të kenë mbaruar investimet në treg. Investimet nuk kanë mbaruar, tregu i ri nuk është gati, kurse kryetari i bashkisë, për shkak të ndonjë interesi privat të dyshimtë këmbëngul që të fillojë të paguajë pronarët privatë për tregun e ri, dhe të detyrojë tregtarët të shpërngulen me forcë.  Më e keqja është se detyrohen të shpërngulen vetëm rreth 80 tregtarë dhe gjithë të tjerët lejohen të qëndrojnë tek Gjanica deri sa të mbarojë tregu i ri, duke diskriminuar vetëm disa prej tyre.

Një vit më parë, të njëjtat gra tregtare hynë në një grevë urie për largimin e tyre nga tregu, duke u diskriminuar nga të tjerët. Këshilli Bashkiak vendosi që gratë të rikthehen në treg dhe të largohen vetëm kur të përfundojë investimi për tregun e ri, dhe të largohet gjithë tregu në të njëjtën kohë. Pse shkel vendimin e këshillit bashkiak, z. Baftjar Zeqaj?

Këtë shqetësim i shprehën atij 40 gra të tregut ambulant, kurse Zeqaj, ashtu si Ylli Pango me mbërtheckën e gazetares, i hapi këtyre grave në mënyrë demonstrative zinxhirin e pantallonave, duke i folur fjalë tepër pa edukatë dhe jo dinjitize për një zyrtar të zgjedhur. Njëlloj si Ylli Pango i Berishës që kërkonte favore seksuale në këmbim të punës për bukën e gojës, ai i hoqi bukën e gojës këtyre grave familjare për të kënaqur një privat që do marrë para nga taksat e qytetit për tregun, pavarësisht se tregu nuk është gati. Nëse Ylli Pango bën imoralitet dhe korrupsion politik me postin e ministrit, Baftjar Zeqaj përpiqet të bëjë korrupsion ekonomik dhe shpërdorim detyre, duke shpërfillur vendimin e këshillit bashkiak, por ai konsumon dhe veprën e fyerjes së publikut fierak me fjalët rrugaçërore të tij ndaj disa grave punëtore dhe të nderuara të këtij qyteti, të cilat kërkojnë të sigurojnë bukën e fëmijëve me punë të ndershme, pavarësisht se shumë të vështirë.

Unë nuk e dalloj ndryshimin e Ylli Pangos me Baftjar Zeqajn. Dy pushtetarë që shpërdorojnë me pushtetin e tyre, imoral dhe ofendues ndaj ndjenjave të popullit të tyre, shkelës ligji për përfitime personale.  Këta janë njerëz të trashur nga trutë dhe trupi nga votat e pamerituara dhe abuzimi me pushtetin. Këtyre njerëzve i ka ikur koha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›