E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza eurozona planifikon rritjen e fondit te shpetimit

Eurozona planifikon të rritë vlerën e fondit të saj të shpëtimit ndërsa FMN  shprehet e gatshme ti vijë në ndihmë kontinentit të vjetër në përballimin e krizës. Nga Uashingtoni bëhet e ditur se  eurozona synon të rrisë  fondin e shpëtimit në 2 trilion euro,  e një plan i tillë do të miratohet brenda dy  muajve të ardhshëm. 

Lajmin  për zgjerimin e fondit e ka konfirmuar dhe  komisioneri i Bashkimit Evropian për financa, Olli Ren. Një ditë më parë  Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë fuqishëm përpjekjet e eurozonës për zgjidhjen e krizës buxhetore.  Në një komunikatë për media Fondi thekson se shtysa i ka ardhur “nga vendosmëria e kolegëve nga eurozona që të bëjnë çmos për të zgjidhur krizën e euros”.

“Institucioni financiar ndërkombëtar është i gatshëm që të ndihmojë këto përpjekje si pjesë e rolit të vet global. Ekonomia globale ka hyrë në fazë të rrezikshme, e cila kërkon kujdes, koordinim dhe gatishmëri për ndërmarrjen e aksioneve të vendosura të shteteve anëtare dhe të vetë FMN-së”, thuhet në kumtesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Këshillit financiar të Fondit.  Duke konfirmuar se Evropa është në qendër të krizës së ardhshme, FMN ka përshëndetur vendet e eurozonës, e cila, do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të zgjidhur krizën e borxheve dhe për të siguruar stabilitetin financiar të vendeve të saja anëtare.  

Drejtoresha ekzekutive e FMN-së, Kristinë Lagard, megjithatë ëshët shprehur se institucioni që ajo drejton nuk do të ketë mjete të mjaftueshme për t’iu ardhur në ndihmë të gjitha vendeve për kredi, në kushtet e përkeqësimit të gjendjes së ekonomisë globale.  “Besueshmëria e FMN-së bazohet në vlerësimin e aftësisë për të vepruar në situatën e skenarit më të keq të mundshëm”, është shprehur Lagard sipas të cilës  kapacitetet ekzistuese të FMN-së  mbeten të zbehta krahasuar me nevojat financiare të vendeve të prekura dhe atyre të cilat kriza ende nuk i ka prekur.

Në muajin korrik, Eurozona ka rënë dakord që të rrisë kapacitetin e fondit të kredisë në 440 miliardë euro. Investitorët kanë qenë të shqetësuar me shpejtësinë që kanë vepruar politikëbërësit, në menaxhimin e krizës së borxhit. Si rezultat, tregjet e aksioneve në Evropë kanë nisur edhe këtë javë me rënie. Rënie kanë njohur edhe tregjet aziatike.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›