E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficerët e karrierës dhe ironia e radhës

Një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, miratuar ditët e fundit për rikthimin në polici të oficerëve të karrierës të larguar (padrejtësisht) në dy reformat e viteve 2006 e atë të verës 2007, ka ngacmuar ndjeshmërinë pothuajse të të gjitha mediave të shkruara, të cilat me të drejtë e kishin afishuar këtë lajm në faqet e tyre të para. Natyrisht, një lajm i tillë nuk mund të mos ngjallë kureshtjen e rreth 2300 efektivave të larguar nga radhët e Policisë së Shtetit, të cilët mund të kenë nxituar madje të blejnë edhe ndonjë gazetë me shpresën për të gjetur në të modalitete të lajmit të "rrallë".

Si pjesëtarë të brezit që ka lidhur jetën me strukturat e Policisë së Shtetit prej më se 20 vjetësh, ne kemi ndjesi konstante për mbarëvajtjen e kësaj organizate nga më prestigjiozet për vlerat që duhet të bartë në shërbim të rritjes së sigurisë së jetës, pronës e respektimit të të drejtave humane të shtetasve të saj. Por për hir të së vërtetës nuk i përkasim kategorisë së atyre që besojnë lajme të tilla, qoftë edhe kur ato iu referohen urdhrave të shkruar e zeza mbi të bardhë nga titullari i Policisë së Shtetit. E themi këtë mbasi pas miratimit të ligjit për Policinë e Shtetit e vendimit për implementimin e gradave në polici janë bërë shkelje nga më të pabesueshmet e më flagrantet pikërisht në respektimin e kritereve të emërimit në detyrë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Nëse ka ndokush nevojë për raste e persona konkretë mjafton të kërkoni pranë strukturave të personelit të Policisë së Shtetit, CV-të e drejtuesve aktualë të drejtorive qendrore e atyre të sektorëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe të shefave të komisariateve të policisë, shefave të sektorëve e deri te drejtorë të policisë në qarqe, për të konstatuar se çfarë "masakre" ka ndodhur në respektimin e vlerave intelektuale dhe të profesionalizmit. Persona pa lidhje me policinë, pa kontribute, pa vjetërsi shërbimi, pa grada përkatëse e arsim policor kanë zaptuar strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

Besojmë të jenë ruajtur në memorie (edhe pse ne nuk shquhemi për kujtesë të gjatë) refleksionet e kundërshtitë e partnerëve ndërkombëtarë që asistojnë Policinë e Shtetit PAMECA e ICITAP, jo vetëm pranë institucioneve të qeverisë shqiptare, por edhe pranë kancelarive të BE-së për pasojat negative të kësaj reforme. Për ta ilustruar këtë të vërtetë besojmë se është i mjaftueshëm një paragraf i raportit për sigurinë rrugore në vend, hartuar me kërkesë të ministrit të Brendshëm nga një ekspert i huaj, të cilin po e citojmë:

..."Pak pas vizitës së fundit të autorit (të raportit) në Qershor 2007, ekipi drejtues i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit Shqiptar (PR, PSHSH) u pushua nga puna. Në të njëjtën kohë u bënë edhe emërime të tjera për të plotësuar ekipin e ri drejtues. Asnjë nga anëtarët e ekipit të ri nuk kish shërbyer në poste të tilla më parë. Këto ndryshime duhen parë në kontekstin e ndryshimit ose pushimit nga puna gjatë gjashtë muajve të fundit të rreth 60% dhe 80% të punonjësve të Policisë Rrugore. Ekipi i ri drejtues i Policisë Rrugore ka pak ose aspak përvojë operacionale për nivelin në të cilin punon tani dhe eksperienca për menaxhimin e një force policore jo homogjene, që i shërben publikut 24 orë në ditë e për 7 ditë në javë, u mungon krejtësisht. Korrupsioni dhe patronazhi duket të jetë një sëmundje e brendshme, ndërhyrja është një gjë e zakonshme. Ka shkurtime të njerëzve të aftë, po ashtu edhe të pajisjeve dhe burimeve, dhe nuk mund të thuhet aspak se organizata "është e përshtatshme për realizimin e qëllimit"....

Në një administratë të përgjegjshme këto fenomene nuk do të ndodhnin së pari për detyrimin që duhet të ketë çdo drejtues institucioni për respektin ndaj ligjit, së dyti edhe nga "frika" për pasojat që bart nëse guxon ta shkelësh ligjin. Në këto kushte natyrshëm lindin pyetjet:

Ku e mbështesin këtë "trimëri absurde" drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit, kur i lejojnë vetes abuzime të tilla me ligjin?

Kanë dalë nga kontrolli i strukturave eprore? Apo këto shkelje janë pasojë e trysnisë që fatkeqësisht vazhdon të ushtrojë politika për të "kontrolluar" strukturat e policisë?

Cilido qoftë shkaku, një gjë është evidente në këtë vend, disa drejtues të institucioneve guxojnë të sillen kështu me ligjin përderisa vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë për shkeljet që i bëjnë ligjit.

Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit theksohet se, për aplikim në vendet e mbetura vakantë, mund të konkurrojnë ish-punonjësit që janë larguar me motivacion "për shkurtim të funksioneve organike" dhe ata të larguar "me kërkesë të tyre". Por nëse largimet me motivacionin absurd "për shkurtim të funksioneve organike" ishin plotësisht me karakter politik dhe klanor, shpejt vendet bosh u mbushën me dyfishin e numrit të të larguarve, më e keqja me persona që nuk kishin asnjë lidhje organike me policinë, madje një pjesë të ardhur nga emigracioni apo edhe nga radhët e biznesit. Le të bëjnë transparencë drejtuesit e policisë, nëse këta persona i janë nënshtruar ndonjë testimi apo konkursi për vlerat e aftësitë e tyre, kur janë emëruar në këto funksione dhe mbi ç‘moral kërkojnë të futin në konkurrim ata që nuk u larguan nga policia për papërshtatshmëri në detyrë, por më së shumti për orekse e teka të ndonjë titullari të papërgjegjshëm.

Më e ndershme do të ishte që drejtori Përgjithshëm i Policisë, përpara se të kërkojë paraqitjen e ish-oficerëve për të konkurruar për vendet vakantë në polici, minimalisht t‘u kërkojë atyre ndjesë për largimet e pamerituara nga policia dhe për shqetësimet e streset që u ka shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre.

Janë të gjitha këto arsye e mjaft të tjera që nuk mund t‘i rendisim të gjitha se do të kërkonin shumë vend për rubrikën e opinionit në gazetë, që na bëjnë të mos jemi optimistë për njoftimin më të fundit të bërë nga Policia e Shtetit e të reklamuar nga mediat, për rikthim në detyrë të oficerëve të karrierës të larguar për shkak të "reformave", të cilat në konceptim tonë e perceptimin e publikut, nuk janë shoqëruar me përmirësimin e rritjen e performancës se policisë dhe bashkë me të edhe të treguesve të sigurisë së jetës, pronës e të drejtave të qytetarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›