E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare ne Ballkan dhe Shqiperia

Kriza financiare ka lënë pasoja negative për rajonin e Europës Juglindore (Ballkani). Edhe pse sistemi bankar nuk ka qenë i ekspozuar në mënyrë direkte nga “asetet toksike”, kriza ka prekur të gjithë rajonin në mënyrë indirekte. Këtu përfshihen: zvogëlimi i tregtisë ndërkombëtare, tkurrja e kreditimit, rënia e theksuar e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) si dhe reduktimi i remitancave nga emigrantët. Të gjithë faktorët e mësipërm kanë pasur efekt negativ në sektorët: financiarë, tregtarë, në sektorin e ndërtimit, në sektorin e industrisë, në tregun e punës si dhe një rënie të përgjithshme të GDP-së. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendet si Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia dhe Kroacia kanë pasur rënie të theksuar të GDP-së, ku për herë të parë regjistrojnë shifra negative, ndërsa Shqipëria ka pasur rënie më të moderuar nga 6% në 2.2% të GDP-së, kjo dhe për shkak të periudhës postzgjedhore (e cila u shoqërua me shpenzime të mëdha publike) dhe një integrim më të kufizuar në tregun global.

Disa vende të rajonit si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia kanë lejuar rritjen e deficitit fiskal për të suportuar kërkesën e përgjithshme. Patjetër që kjo është vetëm një zgjedhje momentale që mund të përbëjë një kërcënim serioz në qoftë se deficiti fiskal vazhdon të rritet dhe interesat e borxheve bëhen barrë me kosto të lartë për buxhetin e shtetit.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ka pasur borxhin më të lartë publik në rajonin e Ballkanit, i cili është në shifrat 58-59% e GDP-së, ndërsa vendet si Maqedonia kanë borxhin më të vogël publik me vetëm 25% të GDP-së. Duhet theksuar se dy shtetet fqinje kanë ndjekur dy strategji të ndryshme për të zhvilluar ekonominë dhe për ta menaxhuar krizën globale. Shqipëria ka rritur borxhin publik deri në limitin maksimal të tij, gjë e cila është e detyruar nga Marrëveshja e Mastrichtit (ku borxhi publik duhet të jetë maksimalisht 60% e GDP-së). Ky borxh publik është përdorur kryesisht për investime publike, (kryesisht në autostradën Durrës-Kukës) në infrastrukturë dhe në rritjen e pagave dhe pensioneve. Ndërsa Maqedonia ka pasur shifra modeste në investimet infrastrukturore, të cilat janë 4-5 herë më të vogla se Shqipëria dhe një rritje minimale në paga dhe pensione.

Edhe pse Shqipëria ka pasur rritje të vazhdueshme nga mbledhja e taksave si Doganat dhe TVSH-ja, të ardhurat e buxhetit të shtetit janë të ulëta në raport me borxhin publik, si rezultat i mbrojtjes sociale dhe politikave nxitëse të qeverisë për ta përballuar krizën. Kjo është dhe arsyeja kryesore që qeveria iu është drejtuar tregjeve ndërkombëtare nëpërmjet Eurobondit. Pra është bërë e mundur që të mundësohen burime të reja financimi për të përballuar shpenzimet e infrastrukturës dhe janë ulur interesat kreditore.

Ndërsa, vendet si Bosnja, Rumania dhe Serbia kanë negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të suportuar deficitin e jashtëm gjatë periudhës së rritjes. Rasti i FMN-së ku së bashku me Komisionin Europian mbështetën Rumaninë me 20 miliardë euro tregon një formë tjetër se si mund të stabilizohet përkohësisht gjendja financiare e një vendi.

Pavarësisht se cila ka qenë politika e ndërmarrë nga shtete të ndryshme për të përballuar krizën, dobësia kryesore e ekonomive të Ballkanit tregon se masat e marra janë vetëm zgjidhje momentale që bazohen në një kthim të shpejtë për të normalizuar ekonomitë vendase.

Vendet që kanë më pak të zhvilluar asistencën sociale si Shqipëria, Bosnja apo Maqedonia, tregojnë se zhdukja e informalitetit në ekonomi do të jetë një sfidë për të ardhurat e buxhetit. Masat e marra nga qeveritë përkatëse për të reduktuar: taksën e kontributeve shoqërore dhe procedurat për regjistrimin e bizneseve të vogla, si dhe kontrollet e vazhdueshme të tatimeve, patjetër që kanë dhënë rezultate pozitive pasi ka një rritje pozitive në buxhetin e shtetit, por nuk janë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet infrastrukturore. Sipas UNDP-së dhe FMN-së, informaliteti në Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë, Serbi vazhdon të zërë 40-30% të GDP-së, ndërsa shmangia e taksave nga bizneset e ndryshme vazhdon të jetë praktikë e rëndomtë për vendet e Ballkanit të cilat.

Sistemi i referencave i zbatuar me ngulm nga doganat e rajonit ka treguar efikasitet pozitiv, por problemi kryesor qëndron se shumë referenca për një sërë produktesh janë të disbalancuara me vendet fqinje dhe ka nxitur kontrabandën ilegale, duke krijuar një problem tepër shqetësues për doganat e rajonit. Prandaj është e nevojshme që sistemi i referencave të jetë i balancuar së paku me vendet fqinje. Për shumë vende si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova që varen jashtëzakonisht nga remitancat e emigrantëve, rënia e tyre përbën një kërcënim afatgjatë që duhet zgjidhur sa më shpejt. Sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 janë vetëm 392 milionë euro, me rënie prej 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Kur tregu i punës në Bashkimin Europian po vështirësohet si rezultat i rritjes së taksave për të ulur deficitet buxhetore, reduktimi i remitancave do të vazhdojë dhe do të krijojë një ngadalësim edhe më të madh në zhvillimin e ekonomisë.

Ajo që vihet re është se përmirësimi i ekonomisë do të zhvillohet me ritme të ngadalta dhe reformat rrënjësore në sektorët strategjikë duhet të merren më seriozisht nga vendet e rajonit. Edhe pse efektet më negative të krizës financiare kanë kaluar, duket qartë se rimëkëmbja ekonomike dhe rritja e të ardhurave do të vështirësohet.

Politikat efektive duhet të bazohen në rishikimin e modelit ekonomik duke u bazuar në avantazhet konkurruese në tregun global dhe të pozicionohen qartë se cilat janë avantazhet konkurruese të tyre. Për shumë vite rritja ekonomike e rajonit të Ballkanit u bazua shumë pak nga rritja e eksporteve dhe u përqendrua kryesisht te rritja e kërkesës nëpërmjet: remitancave, investimeve të Korporatave Ndërkombëtare, asistencës financiare të Bashkimit Europian si dhe rritjes së kreditimit bankar.

Ky zgjerim asimetrik i konsumit i shoqëruar me rritjen e deficitit tregtar, borxheve të jashtme dhe me një përqindje të vogël kursimesh, bënë që vendet e rajonit të Europës Juglindore të preken thellësisht nga kriza globale dhe të rishikojnë seriozisht modelet e tyre ekonomike për të krijuar një avantazh konkurrues në tregun global.

Kriza globale na mësoi se zhvillimi i shpejtë ekonomik i bazuar në borxhe të mëdha mbart një risk tepër të lartë afatgjatë. Rasti i Greqisë, Irlandës dhe deri-diku dhe i Amerikës tregon qartë se modelet e bazuara në shpenzime, borxhe dhe deficite janë mjaft të rrezikshme për ekonominë, në plan afatgjatë. Ndërsa modeli ekonomik gjerman apo kinez, të cilët bazohen në rritjen e eksporteve në bazë të konkurrencës dhe ruajtjen e kursimeve, krijojnë një ekonomi të qëndrueshme. Ditët e zhvillimit të shpejtë që parashikojnë qeveritë, ka përfunduar dhe ajo ku duhet të përqendrohen janë reformat e thella në modelin e ri të ekonomisë dhe në rritjen e konkurrencës së biznesit për t’u ballafaquar me realitetin e ri global.

*(BA-Hons, MSc, PhD - King’s College London)
Pedagog – Fakulteti i Ekonomisë, UT

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›