Bode Falimenti i biznesit cikel normal per boten e re
Kriza ekonomike mund të çojë drejt falimentit shumë biznese, po për ministrin e Financave ky është një cikël normal në të mirë të ekonomisë. Ridvan Bode i mbetet qëndrimit për një pastrim të tregut nga ato subjekte që e kanë të vështirë t’u përshtaten modeleve të reja ekonomike, të formatuara pas krizës globale. “Falimentimi do të ndodhë dhe duhet të ndodhë, sepse ka biznese të cilat nuk mund t’i përshtaten botës së re ekonomike në rajon dhe më gjerë”, bëri të ditur ministri në takimin e zhvilluar pak ditë më parë me Bankën Botërore. Megjithatë, kreu i Financave thotë se është i domosdoshëm një qëndrim dashamirës dhe bazuar në përllogaritje ekzakte për të mundësuar që bizneset të rishpërndajnë kapitalet e tyre drejt aktiviteteve më të qenësishme dhe më me perspektivë.
Për biznesin shqiptar, falimenti konsiderohet tabu, ndërsa shifrat zyrtare tregojnë se pavarësisht krizës ekonomike, shumë pak biznese, në raport nga sa pritej, iu drejtuan gjykatës për të mbyllur aktivitetin. Të dhënat nga QKR-ja tregojnë se 3500 biznese kishin kërkuar të çregjistroheshin për vitin 2010, ku vetëm 5 prej tyre ishin për shkaqe reale falimenti. Sakaq, administrata njofton se ka shpallur gjendjen e falimentit për mbi 90 subjekte, në dy vitet e fundit, kryesisht me vendndodhje në Tiranë.
Shkaku kryesor i falimentit për shumë biznese ishte mungesa e likuiditetit, e lidhur ngushtë edhe me forcimin e kushteve nga bankat. Por lidhur me situatën e krijuar te niveli i ulët i kredive, Ministria e Financave e shikon në një tjetër mënyrë që, sipas saj, tregon ndryshimin e sjelljes së bankave. Rritja më e moderuar e kredive lidhet me reflektimin e bankave për të ribalancuar portofolat dhe më shumë kujdes te procedurat. Vetë ministri gjykon se bankat po japin kredi tek ata sektorë që paraqiten më produktivë, duke rritur në këtë mënyrë eficensën e përdorimit të kapitalit në ekonomi. Sipas tij, thuajse e gjithë rritja e kredisë i atribuohet kredisë së alokuar drejt biznesit dhe kryesisht për qëllime investimi.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kredia për ekonominë ka njohur rritje prej rreth 7 për qind, kur tre vite më parë ajo shkonte deri në 35 për qind.