Feja dhe shkenca, konferenca në UET mbledh ateistët dhe besimtarët
Gjetja e ekuilibrit mes shkencës dhe fesë, etika në ekonomi dhe rikthimi i besimit në tregjet financiare e bankare si çelës i daljes nga kriza globale, bashkëjetesa paqësore midis shkencës dhe fesë, dialogu midis njerëzve me bindje të ndryshme si shprehje e vëllazërimit, ishin tematikat që u diskutuan në konferencën “Besimtarë dhe jo besimtarë përballë sfidave të shoqërisë post-moderne”, të mbajtur dje në mjediset e UET. Ky institucion në bashkëpunim me Këshillin Papnor të Kulturës dhe me Universitetin Urbaniana ishin organizatorët e konferencës ku morën pjesë përfaqësues të klerit katolik si dhe akademikë. Referues special ishte Presidenti i Këshillit Papnor të Vatikanit, kardinali Gianfranco Ravasi. Vatikani, duke u mbështetur në një fjalim të Papa Benediktit XVI në vitin 2009, në lidhje me çështjet e ateizmit dhe indiferencës fetare, ka vendosur të organizojë 10 konferenca të tilla gjatë viteve 2011-2013, në 10 vende të ndryshme të botës, të cilat kanë një domethënie simbolike. Deri tani janë organizuar takime në Spanjë dhe Itali. Më pas është parashikuar Shqipëria, Suedia, Çekia, Italia, Zvicra, Franca, Rusia dhe SHBA. “Diskutimi im nuk është vetëm kristian”, u shpreh Kardinali Ravasi në mbyllje të diskursit të tij duke iu referuar shtatë parimeve të Gandit. “Mendoni mbi të dhe do të kuptoni tentativën për të gjetur një ekuilibër mes shkencës dhe fesë”. Njeriun e shkatërron shkenca pa humanizëm, feja pa besim, pasuria pa punë, dashuria pa sakrificë, politika pa parime, njohuria pa karakter, pasuria pa punë etj.”, - tha ai.
Koha kur feja dhe shkenca ishin dy realitete që kundërshtonin njëra-tjetrën, ku shkencëtarët digjeshin në turrën e druve, apo kur njerëzit e shkencës nisur nga gabimet e kishës, mohonin gjithçka që nuk ishte fizike e materiale, duke e quajtur mit, fantazi.....ka kaluar. Tani raporti i Fesë me shkencën ka ndryshuar duke shkuar drejt dialogut, si dy realitete, si dy rrugë që mund të jetojnë paralelisht e të respektojnë njëra-tjetrën. Duke u ndalur në disa faza Kardinali shpjegoi binomin Fe-shkencë dhe Fe-politikë si raport kompleks. Ai u ndal edhe në raportin e Fesë me politikën. Duke risjellë në vëmendjen e publikut një episod të famshëm nga Bibla, ku Jezuin e pyesin mbi çështjen e taksave dhe nëse ishte e drejtë t’i paguheshin Cezarit, përgjigja e Jezuit ishte: “Jepini Cezarit atë që i takon Cezarit, dhe Zotit atë që është e Zotit”. “Feja nuk ka të drejtën të sundojë politikën, por as shteti nuk e ka të drejtën të sundojë, të kufizojë liritë, të varfërojë, të ulë dinjitetin e njeriut”. Moderatori i konferencës, Ardian Ndreca, duke iu referuar mjedisit akademik ku zhvillohej konferenca si oborri i jobesimtarëve tha: “Ky diskurs na bën mirë”. Presidentja e UET, Dr. Teuta Dobi u shpreh se “Universitetet janë ndër institucionet më laike dhe sekulare që ekzistojnë në shoqërinë moderne dhe post-moderne, e megjithatë në Shqipëri, edhe për shkak të së kaluarës komuniste abuzohet me konceptin e “laicitetit”. Për shkak të rritjes së diversitetit social, besimi fetar në realitetin shqiptar të sotshëm shfaqet si një çështje kontradiktore sidomos në lidhje me universitetet dhe rolin e tyre”. Prof. Dr. Adrian Civici trajtoi çështjen e etikës, apo të mungesës së saj në sfera si ekonomia, duke e lidhur me krizën aktuale globale. Dr. Fatos Tarifa, në fjalën e tij mbi fenë, arsyen dhe të mirën publike, u shpreh: “ Në teoritë liberale feja trajtohet para së gjithash dhe kryesisht si një rast për të argumentuar tolerancën dhe neutralitetin. Ky orientim ka të bëjë me pikëpamjen se feja është diçka private dhe se është e mbijetuar nga një epokë e kaluar dhe jo një fushë që zgjerohet brenda modernitetit”.