Kriza globale dhe zgjedhjet shqiptare 2009
Shqipëria ka hyrë në ethet elektorale 2009 në një moment kur drejtuesit politikë kanë nisur fushatën dhe udhëtimet, ndërsa në ekrane janë shfaqur sondazhet e para. Temperatura dhe tensioni politik do të rriten duke nxjerrë si tema diskutimi shqetësimet më të mëdha që ka aktualisht vetë politika dhe shoqëria shqiptare. Në krye të listës mbetet padyshim ekonomia dhe varfëria.
Gjithkush që ka mundësi të ndjekë shtypin ndërkombëtar e ka të fiksuar qartas në mendje se shqetësimi më i madh në botë është kriza ekonomike globale. Pas euforisë obamiane në SHBA dhe Evropë, që pompoi optimizëm, analistët theksuan se prova më e madhe e presidentit të ri amerikan do të ishte modeli ekonomik që do të jepte për nxjerrjen e SHBA nga kriza, një shembull dhe ndihmë edhe për pjesën tjetër të botës.
Në Tiranë, në fillim ekspertët thanë se Shqipëria nuk do të prekej nga kriza. Por, kur llogaritë u bënë më hollë, doli që Shqipëria në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi do të prekej nga ajo. E para, emigrantët do të dërgojnë më pak të holla nisur nga situata në vendet ku ata jetojnë e punojnë. E dyta, investitorët e huaj do të jenë më të tërhequr apo, nëse janë në Shqipëri, do të shfaqen më të rezervuar në zgjerimin e bizneseve të tyre. Të mos harrojmë që shumica e bankave, kompanive dhe korporatave janë filiale apo degë të kompanive të mëdha mëmë në vendet fqinje.
Për ne që nuk jemi ekonomistë, është e qartë se, kur nuk ke kompani e korporata të mëdha me qindra-mijëra punonjës, prodhim të stërmadh për t’u eksportuar, nuk do të prekemi nga kriza. Por kjo nuk është aspak një larje duarsh për politikën. Çështja është si të krijohen mundësitë që kompanitë dhe korporatat të shtohen - rrjedhimisht edhe të punësuarit - dhe në fund edhe prodhimi. Të paktën paratë e emigrantëve në pakësim nuk do të shkonin për mallrat e importit dhe të dilnin sërish jashtë.
Rreth një javë më parë revista “The Economist” do të jepte alarmin në kryeartikullin e saj për rritjen e nacionalizmit ekonomik i përkufizuar nga thirrja “Buy American - Blini produkte amerikane”. Revista do ta cilësonte këtë si një fenomen negativ, i cili bie ndesh me tregtinë e lirë dhe bazat e kapitalizmit modern, por i quajtur edhe kapitalizëm në pikëpyetje...
Ndërkohë, vetëm 2 ditë më parë një tjetër revistë e shumëshitur në botë, “Newsweek”, do të dilte me titullin “Të gjithë jemi socialistë tani!” duke folur mbi ndërhyrjen e shtetit në asetet private, në kompanitë dhe korporatat në SHBA dhe Evropë, kryesisht në Britaninë e Madhe (analisti Fareed Zakaria do të linte jashtë kësaj vendin më pak të prekur në botë nga kriza, Kanadanë).
Kur vijmë sërish në Shqipëri, ne shohim që jemi në fazën e mosprodhimit shqiptar! Pra, ne jemi të destinuar të blejmë ato që vijnë nga jashtë... duke çuar jashtë edhe ato pará që arrijmë të fitojmë! Pra, ne nuk kemi shans për ta bërë “gabimin” duke blerë produkte të huaja, pasi jemi të detyruar t’i blejmë.
Rreth 2 vjet më parë në një udhëtim në fshatrat e Korçës me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, vizituam disa ferma që kultivonin mollë, mbështetur nga një projekt i kësaj agjencie. Ato ferma ishin modeli më i mirë se si t’i jepej fund “edhe importit të barit që bëhej nga Maqedonia”... Pra, pak nacionalizëm ekonomik do të na bënte mirë.
E dyta, Shqipëria po ecën në rrugën e kundër-socialistizimit, pra po i privatizon asetet publike (shtetërore). Menaxhimi i një sërë kompanish e korporatash nga shteti ka treguar se kjo nuk funksionon. Jo vetëm kaq. Kjo i kushton shumë buxhetit të qytetarëve. Ndaj nuk ka shanse që shteti të kthehet pas e t’i shtetëzojë sërish këto kompani.
E treta, debatet për qeveri të vogël apo të madhe, ne i kemi zgjidhur që në 2005-ën. Shqipëria duhet të ketë qeveri të vogël, sepse është një vend i vogël dhe me resurse të kufizuara... Këtë as vetë e djathta që e aplikoi s’mund ta ndryshojë.
Për sa më lart, ekspertët ekonomikë duhet të na e thonë që ne jemi në një frekuencë dhe realitet krejt tjetër me botën, por jo të paprekshëm nga zhurma në frekuencën e tyre, përderisa të paktën 1.5 milionë shqiptarë jetojnë e punojnë atje.
Si përmbyllje, retorika ka pak kuptim. Fjalët ky politikan është i mirë, ai është i keq, ky i vjetër e ky i ri, ky bukurosh e ai tutje i shëmtuar kanë pak rëndësi.
Ajo që konkretisht do të bëjnë për ekonominë që ne të mos e ndiejmë krizën, që ne të blejmë mallra shqiptare, që bankat të mos preken, që kreditë e shtëpive/bizneseve dhe çmimet në treg të mos fluturojnë, është prova më e madhe. Me terma që t’i kuptojmë edhe ne jo-ekonomistët, të gjithë ata që do na kërkojnë votën duhet të na tregojnë se ç’do të bëjnë që kriza të mos prekë buxhetet tona familjare. Por, edhe nëse na i ka prekur tashmë, si i bëhet që kjo të jetë sa më e lehtë dhe afatshkurtër?
Ka ardhur koha që shqiptarët të vlerësojnë bazuar në këtë gjë. Pjesa tjetër është thjesht përsëritje.