OSSH, presion ERE-s për çmimin e energjisë
Kompania çeke ka pohuar se pala shqiptare ka mashtruar për nivelin e humbjeve dhe do rrisë çmimin
TIRANË- Pas aplikimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 23 për qind, Enti Rregullator i Energjisë përballet me një tregues tjetër të ofruar nga OSSH-ja, mbi të cilin kjo e fundit kërkon të mbështesë kërkesën për një çmim më të lartë.
Nëse vërtetohet se niveli i humbjeve të energjisë në rrjet nuk është 32.7 për qind siç ishte konfirmuar nga qeveria gjatë negociatave me çekët e CEZ për shitjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, por 35.7 siç ka deklaruar kompania audituese, ERE do të jetë e detyruar që të miratojë një çmim shumë më të lartë. Kjo konfirmohet edhe nga Kreu i këtij Institucioini, Bujar Nepravishta.
I kontaktuar nga "Shekulli" në lidhje me çështjen e rritjes së çmimit të energjsië elektrike dhe për auditin e kryer së fundmi nga OSSH në të cilin pretendohet një nivel më i lartë i humbjeve të energjisë, kreu i ERE-es deklaroi se në fund është ajo që vendos për masën se sa do të rritet çmimi.
"Në bazë të marrëveshjes midis komanisë CEZ dhe qeverisë shqiptare për shitjen e OSSH-së, kjo e fundit ka të drejtë që të bëjë nga ana e saj audit për të parë nivelin e humbjeve.
Deri ne datën 17, të këtij muaji, pasi të kemi studiuar dokumentacionin dhe të dhënat mbi të cilat është bazuar CEZ për kryerjen e këtij studimi, ne do të dalim me një qëndrim nëse do ta pranojmë ose jo këtë nivel humbjesh të deklaruar nga OSSH.
Ata mund ta bëjnë këtë studim që ta verifikojë nivelin e humbjeve, pastaj palë që vendosim jemi ne", - deklaroi Nepravishta.
Pavarësisht kësaj, Nepravishta paralajmëroi se sa më i lartë të jetë niveli i humbjeve, aq më i lartë do të jetë edhe çmimi që ERE do të lejojë për t'iu shitur konsumatorëve.
"Kryerja e një auditi të tillë është detyrim ligjor. Kompania ka të drejtë që ta verifikojë nivelin e humbjeve.
Por sa më i lartë që të jetë ai, aq më i lartë del dhe çmimi i energjisë elektrike. Në vendimin që ne do të marrim në lidhje me nivelin e humbjeve, ajo do të inkludohet direkt pastaj në këtë proceduren e rritjes së çmimit", - tha ai.
Deklarimi i një niveli më të lartë humbjesh të energjisë në rrjet nga ana e pronarëve të rinj të OSSH-së, në një kohë që Enti Rregullator i Energjisë është duke shqyrtuar kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë, është lexuar si një presion ndaj kësaj të fundit për të miratuar një shifër sa më afër asaj të kërkuar në aplikimin e bërë më datë 30 shtator.
Sipas auditit të bërë nga kompania e kontraktuar nga OSSH, shkaqet e humbjeve të energjisë janë të shumta duke filluar nga problemet në faturim, mospagesat, vjedhja , etj.
"Sistemi nuk mund të bëjë dallimin mes konsumatorëve me të njëjtin emër dhe mbiemër. Po ashtu, ekzistojnë konsumatorë, të cilët gjenden disa herë në sistemin e faturimit për arsye të gabimeve në vendosjen e emrit gjatë regjistrimit të informacionit në sistem", - citohet ndër të tjera në këtë raport.
Arritja e marrëveshjes për shitjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tek kompania çeke CEZ u shoqërua me ulje-ngritje, ku investitorët e huaj shpreheshin të pasigurt në lidhje me këtë investim duke arritur deri aty sa kërkuan edhe garantimin e kontratës nepërmjet një kredie rreth 60 milionë euro të marrë nga Banka Botërore.
Sipas kushteve të saj, nëse shteti shqiptar do shkelte ndonjë pikë të marrëveshjes në të cilën parashikohej dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, investitori i përfitonte automatikisht këto para.