Luhatjet dhe vazhdimësia e opinionit evropian
Pasi irlandezët votuan disa ditë më parë në favor të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, nëpërmjet një referendumi, Bashkimi Evropian ka bërë një hap të mirë përpara në konsolidimin e institucioneve të veta.
Është hapur pothuajse mundësia që ai të ketë tashmë një President të Këshillit me një mandat relativisht të qëndrueshëm, si edhe përfaqësuesin e vet të lartë për politikën e jashtme. Duket se gradualisht po ecet në drejtim të një strukture evropiane më të fuqishme institucionale, që veç të tjerash mundëson ritme më të shpejta të proceseve që kanë të bëjnë me zgjerimin e vendeve anëtare. Pritet që presidenti polak ta vendosë firmën e vet në vendimin që edhe Polonia ta pranojë Traktatin e Lisbonës, kurse mbetet ende pezull ky proces në Çeki. Duhet që të gjithë vendet anëtare, sikurse dihet, të shprehen dakord për ta pranuar hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës që pastaj ai të quhet i aprovuar.
Demokracia evropiane nga njëra anë dëshmon kështu respekt ndaj çdo kombi pjesëmarrës në Bashkim, por shoqërohet edhe me vështirësi të natyrave të ndryshme. Ky proces i gjatë ka qenë dhe vazhdon të mbetet disi i ndërlikuar. Opinionet e kombeve të ndryshme jo gjithmonë kanë ecur me një njëjtin ritëm. Ka ndodhur që kur shumë vende evropiane kanë qenë në favor të reformave institucionale, popuj të tjerë janë shprehur kritikë ndaj mënyrave sesi këto reforma kanë qenë konceptuar.
Pikërisht është gjithmonë me vend që të shihet se si evoluon opinioni politik evropian lidhur me çështjet e zgjerimit të Evropës dhe strukturimin e mëtejshëm të institucioneve të saj. Jo thjesht për të pasur njohuri të përgjithshme, por më tepër për të ditur se cili është ndikimi i tij mbi vendimmarrësit evropianë lidhur me hapat që bën Shqipëria në drejtim të integrimit evropian.
Ky opinion publik evropian nuk është gjithmonë i një mendjeje lidhur me hapat institucionale që Evropa e bashkuar duhet të ndërmarrë dhe ka pasur dallime në mënyrat e perceptimit të reformave. Kjo u shfaq edhe një herë para pesë vitesh kur Franca dhe Holanda votuan me referendum lidhur me projektkushtetutën e Bashkimit Evropian dhe opinioni publik i tyre u shpreh kundër këtij dokumenti të rëndësishëm që ishte paraqitur atëherë për aprovim. Dhe duhet thënë se në atë kohë një sërë vendesh të tjera evropiane, me rrugë referendare ose nëpërmjet vendimesh parlamenteve përkatëse, ishin shprehur në favor të aprovimit të Kushtetutës së propozuar. Procesi mbeti në mes të rrugës dhe në kohën e vet shkaktoi shumë dilema dhe vështirësi në funksionimin e institucioneve të Bashkimit Evropian, të Parlamentit, Komisionit të Brukselit, si dhe në strukturimin e mëtejshëm të autoriteteve drejtuese të Bashkimit.
Opinioni publik francez në atë kohë u paraqit tepër kritik ndaj projektkushtetutës së re që po i propozohej për ta votuar. Shumë debate u zhvilluan asokohe në Francë lidhur me këtë qëndrim ndaj dokumentit të paraqitur. U diskutua gjatë nëse refuzimi i dokumentit evropian nga opinioni publik francez lidhej apo jo me kritika ndaj përmbajtjes së dokumentit të paraqitur për aprovim, apo kishte të bënte më tepër me një sjellje dhe qëndrim kritik të elektoratit ndaj politikave të brendshme të vendit që kalonin ato kohë disa faza jo fort të lehta. Në analizat që u bënë asokohe doli se një pjesë e publikut, veç të tjerash, duke mbetur gjithmonë proevropianiste, duke përkrahur proceset integruese evropiane, kishte megjithatë një lloj druajtjeje dhe frike ndaj hapjes së tregjeve evropiane të punës. Liberalizimi i tyre shihej si një rrezik që do të kishte si pasoja që flukse të gjera fuqie pune të ardhura nga vendet e integruara rishtazi në Bashkimin Evropian të përmbysnin tregjet e punës së vendeve perëndimore të Evropës, duke krijuar vështirësi në punësim. Sigurisht, analizat ishin shumë më të gjera sesa kaq, por mbetet megjithatë e padiskutueshme se nga opinioni publik evropian mbetej disi i fragmentuar dhe nuk ecte me të njëjtin ritëm në vendimmarrje.
Aq më tepër se sipas analizave që u bënë atëherë, doli si njëfarë përfundimi paraprak sipas të cilit opinioni publik francez dhe holandez, u shprehën kundër dokumentit të projektkushtetutës evropiane, ndërkohë që elitat politike të vendeve përkatëse kishin marrë një qëndrim në favor të tij. Pothuajse kishte qenë e vështirë të hamendësohej se opinioni publik përkatës kishte arritur të merrte një qëndrim që nuk ishte i njëjtë me atë të mediave kryesore të vendeve në fjalë, që nuk ishte as ai i pjesës më të gjerë të elitave politike, të majta, të djathta apo të qendrës, të tyre dhe në njëfarë mase edhe i paparashikueshëm nga prognozat edhe nga sondazhet e shumta që ishin bërë. Lidhur me votën “jo” të publikut francez dhe më vonë edhe atij holandez, po shfaqej një realitet, i cili ngjallte edhe çudi në analistët. Opinioni publik nuk po tregohej, sikurse ishte thënë teorikisht, një shtojcë e qëndrimeve të mediave apo një zgjatim i qëndrimeve politike të elitave. Përkundrazi, po tregonte një autonomi këmbëngulëse dhe të paparashikueshme që më parë. Ishte një rast që po nxirrte në pah një lloj ndarjeje midis elitave dhe opinionit publik, i cili, për arsye të ndryshme nuk e lë veten në dorë të propagandave elektorale dhe mediatike, por nis e mendon me “kokë” të tij.
Propozimet e Traktatit të Lisbonës erdhën pikërisht pasi dështoi përpjekja për të aprovuar dokumentin e projektkushtetutës evropiane. Në fakt, me të kishim të bënim me një reduktim të ambicieve institucionale të Bashkimit Evropian, duke shpresuar sesa më e ngushtë të ishte masa e propozimeve institucionale të bëra, aq më e madhe do të ishte mundësia e aprovimit të këtij dokumenti nga popujt e vendeve të Bashkimit Evropian. Në të vërtetë, dukej se kishim të bënim me një taktikë që po ecte.
Shumë politologë nisën të shpreheshin se në njëfarë mënyre po ecej drejt një Bashkimi Evropian që do të funksiononte me dy lloj shpejtësish politike dhe në ndërmarrjen e reformave. Nga njëra anë, një qendër e fuqishme dhe koherente, “zemra” e sistemit, pra vendet themeluese të Evropës së Bashkuar, me kritere më të forta bashkimi dhe zona tjetër, më periferike e Bashkimit Evropian, një sërë vendesh të ardhura atje nga Lindja e dikurshme, të cilat nëse do të tregoheshin refraktare ndaj reformave institucionale të ndërmarra, do të përbënin një zonë të dytë, më pak të integruar, brenda vetë Bashkimit.
Nëse lexohet shtypi perëndimor evropian, nuk mund të mos vihet re se analistët dhe politikanë të ndryshëm e lënë të nënkuptohen se nëse Polonia dhe Çekia nuk e ratifikojnë tani Traktatin e Lisbonës, rrezikojnë të krijojnë pikërisht një Evropë të Bashkuar me dy ritme dhe shpejtësi të ndryshme integrimi në planin politik, juridik, institucional, ekonomik, financiar etj. Ka syresh që edhe shprehen se një Evropë me dy “zona”, njëra më e integruar sesa tjetra, do të mund të krijonte nga njëra anë më shumë kohë dhe mundësi për anëtarët e rinj të Bashkimit për t’i “gëlltitur” më qetë, më gradualisht, e “tretur” në mënyrë më të natyrshme reformat, por edhe do t’u jepte vendeve të zonës “qendrore” mundësira dhe lehtësira më të mira vendimmarrëse. Në këtë mënyrë, gjykohet se edhe Evropa e bashkuar do të zgjerohej më shpejt drejt periferive të saj të sotshme, duke përshirë edhe Ballkanin, por edhe vetë opinionet publike kombëtare nuk do të vendoseshin njëri kundër tjetrit. Lidhur më Shqipërinë, kjo strategji, nëse do të zbatohej, mund të mendohej se do ta përshpejtonte procesin e hyrjes së saj në Evropën e bashkuar, por gjithsesi, duke respektuar disa ritme më të ngadalta integruese.
Mbetet për t’u parë se çfarë rruge do të marrin ngjarjet, por gjithsesi dilema mbetet e strukturuar sikurse e thamë: Hyrje brenda një afati më të shpejtë, por pastaj ecje me ritme më të ngadalta në proceset integruese apo hyrje më e vonuar, por pastaj me ritme më të shpejta integruese?
Më duket se e gjitha kjo do të varet nga shumë faktorë, shpeshherë tepër të ndërlikuar, që varen, por edhe nuk varen nga Shqipëria, mungesat dhe arritjet e saj, e mbi të gjitha nga strategjitë e zhvillimit të vet Evropës së bashkuar. A do të jetë ajo një hapësirë institucionale, normative, administrative tërësisht e integruar në mënyrë homogjene apo do të ndërtohet si një mekanizëm me dy ritme të ndryshëm zhvillimi?
Ndërkohë që dukej se Traktati i Lisbonës po shkonte drejt ratifikimit prej të gjitha vendeve, referendumi i një viti më parë në Irlandë, i shprehur kundër tij, përsëri solli një tjetër frenim të proceseve integruese në Evropë.
Vend tjetër, kohë tjetër, probleme të tjera
E gjithë vëmendja e mediave dhe elitave politike evropiane drejtohej asokohe drejt mënyrës së sjelljes së elektoratit irlandez. Partitë që frymëzonin jo-në ndaj tij kërkonin që të respektoheshin disa “specifika irlandeze”, të respektohej ndalimi i divorcit, të ruheshin taksa të ulëta, të mbetej në fuqi neutraliteti ushtarak i vendit, si edhe Irlanda ta ruante vendin e një komisari evropian në Komisionin e Brukselit. Përgjigjja, pra, e elektoratit irlandez një vit më parë ishte “jo”. Por, për shkaqe ndofta krejt të tjera nga ato që e shtynin në 2005-n elektoratin francez dhe holandez të thoshin “jo” për projektkushtetutën evropiane.
Një vit më parë, shumë politikanë evropianë gjykuan se brenda disa muajsh do ta ripërsërisnin referendumin në Irlandë, duke e riftuar elektoratin irlandez ta rimendonte votën e vet ndaj Traktatit të Lisbonës. Por, pikërisht këtu lindi një debat, sa në planin teorik, po aq edhe praktik. Teorikisht: A ka të drejtë një popull t’i thotë “jo” një procesi, që kombet e tjera e kanë aprovuar? A kanë të drejtë kombet e tjera ta sforcojnë një komb kur ai voton demokratikisht kundër rrymës së përgjithshme? Askush nuk mund ta mohojë të drejtën e çdo kombi për të përcaktuar demokratikisht rrugën e vet. Askushi nuk vendosi ta përshpejtonte e ngucur elektoratin irlandez drejt një rivotimi. Pastaj, në planin praktik: Duke e ribërë shpejt e shpejt një rivotim, pas disa muajsh nga vota “jo”, kush mund të ishte i sigurt se mendja e irlandezit do të kishte ndryshuar kaq shpejt?
Gjatë një viti proceset integruese evropiane u ngadalësuan, derisa një javë më parë, votuesit irlandezë votuan në masën 63% në favor të hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Në shqyrtimet që i bëhen në mediat evropiane këtij qëndrimi të ri, të ndryshëm në lidhje me një vit më parë, gjykohet se ka faktorë të ndryshëm që kanë ndikuar atje. Nuk është vetëm një faktor. Nga njëra anë u duk se elektorati irlandez u qetësua nga sigurimet evropiane që mori se nuk do t’i humbiste “specifikat” e veta me të cilat mbetet i lidhur shpirtërisht, por arsyeja e dytë lidhet me krizën e rëndë ekonomike dhe financiare që ka përfshirë vendin. Një papunësi që brenda një viti u rrit tre apo katër herë, bankat në vështirësi financiare tronditëse, ndërmarrje që mbyllen. Pa ndihmesën e fondeve financiare evropiane, pra të asaj që u quajt “solidaritet evropian”, sistemi financiar dhe ekonomik irlandez rrezikon shpërthimin. Kishte ardhur koha të ndërrohej qëndrim. Brenda një viti, opinioni publik irlandez kalon në mënyrë të rrufeshme nga “jo” te “po”.
Kombet janë si njerëzit. Ndryshojnë mendim. Bile, disa kombe janë si njerëzit që kanë dilema dhe nuk janë të vendosur. Mund të thonë “jo” sot dhe nesër “po” ose “po” sot dhe nesër “jo”. Nuk ka shumë vend për të pritur atëherë kur opinioni publik evropian është i favorshëm dhe duhet pritur atëherë kur ky opinion publik shfaq shenja mosbesimi dhe kundërshtie.
Nga shumë anketime të liderëve të ndryshëm të opinionit publik evropian del se ky opinion është përgjithësisht i favorshëm që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në mënyrë graduale në Evropë. Argumentet pozitive këtu janë se së pari gjeografikisht kemi një pjesë të kontinentit evropian, historikisht dhe kulturalisht një vatër të pasurisë kulturore dhe të kujtesës kolektive të Evropës, flukset njerëzore dhe ekonomike evropiane e tejshkojnë këtë zonë sikurse emigracioni ekonomik, veçanërisht ai shqiptar, por edhe ai sllav, ka hedhur rrënjë të forta në Evropën kontinentale. Kjo e fundit është tërësisht e angazhuar në proceset e ruajtjes së paqes në zonat delikate të gadishullit ballkanik.
Zgjidhja e një sërë problemesh institucionale të Evropës, sapo të hyjë në fuqi Traktati i Lisbonës, ndihmon përforcimin e një qëndrimi më të favorshëm të vendeve evropiane në drejtim të zgjerimit drejt Ballkanit. Është koha e vendeve ballkanike, ajo që na intereson më shumë, e Shqipërisë, për të përfituar nga një frymëzim më pozitiv ndaj proceseve evropiane të opinioneve publike të vendeve të ndryshme të Bashkimit të Evropës, për të bërë hapa në drejtim të integrimit.