Vdekjet, mjekët s’kërkojnë autopsi
zirina llambro
"Për aq kohë sa nuk e duan familjarët, nuk ka pse t'i bëhet autopsi personave, që humbin jetën në spital". Ky është argumenti më i ri i shefave të pavijoneve në spitalin "Nënë Tereza" dhe jo vetëm. Drejtoria e QSU ndan të njëjtin mendim. Madje, nën zë burime zyrtare pranë saj të bëjnë edhe interpretimin e ligjit. Për vitin 2008 në sallat operatore, reanimacion e pavijone të spitalit më të madh në vend kanë humbur jetën plot 597 persona. E çuditërisht ashtu siç nuk ndodh në asnjë spital të botës mjekët nuk e kanë parë të udhës, qoftë edhe për një pacient të vetëm kryerjen e autopsisë. Këtë fakt e konfirmon edhe drejtori i institutit të mjekësisë ligjore Besim Ymaj. "Ne për gjithë vendin këtë vit kemi kryer rreth 800 autopsi. Kërkesa kemi pasur në disa raste prej familjarëve ose organeve të drejtësisë, ndërsa nga shefat e klinikave jo", pohoi Ymaj për gazetën. Sipas tij, Instituti i Mjekësisë Ligjore kryen vetëm shërbimin, nuk ka lidhje tjetër me spitalin. "Janë vendime që u takojnë vetëm mjekëve e familjarëve. Ne ofrojmë vetëm shërbimin nëse na kërkohet nga palët", tha Ymaj.
Fshehja e gabimeve
Për aq sa nuk verifikohet e kundërta, varianti i mjekëve për shkaqet e vdekjes së një të sëmuri mbetet i paprekshëm. I vërtetë ose jo, nuk ka shumë rëndësi. E që prej 15 vjetësh në asnjë prej analizave vjetore të spitaleve tona nuk ka pasur të dokumentuar ndonjë vdekje si pasojë e pakujdesisë së bluzave të bardha. Përjashtim bëjnë vetëm raste të denoncuara nga familjarët, ku hetime i kanë kryer organet e drejtësisë. Në të tilla kushte mundësitë sipas atyre që e shohin nga jashtë situatën janë dy. Ose në Shqipëri nuk bëhen gabime mjekësore, ose atëherë kur ndodhin mjekët duan të fshehin gabimin. "Por kjo nuk është në favor të zhvillimit të mjekësisë shqiptare. Sepse nëse me parë për çdo vdekje bëhej autopsia, vërtetoheshin shkaqet e vdekjes, mund të kishte dhe ndëshkime madje, por në radhë të parë kjo i shërbente vetë mjekëve, për të ditur ku gabuan e për t'u korrigjuar", shprehen specialistë të shëndetësisë, që nuk duan të bëjnë publikë emrat e tyre. Në të njëjtin konkluzion ka arritur edhe Qendra Kombëtare e Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore.Nga një sondazh i saj kohë më parë, në 12 spitalet e vendit ka rezultuar se gabimet e mjekimit, ose nuk regjistrohen, ose fshihen. "Krahasimi i të dhënave është i pakët, duket sikur në spitalet tona nuk kryhet asnjë gabim", janë shprehur duke iu referuar të dhënave drejtuesit e kësaj qendre. Sipas tyre rreziqet dhe gabimet mjekësore lidhen me faktorë si mosdija, mungesa e protokolleve, mosorganizimi i detajuar i protokolleve dhe i përgjegjësisë, mbingarkesa, mungesa e kontrollit të dyfishtë të procesit të mjekimit, kultura e ulët e cilësisë, mosraportimi, fshehja e gabimeve nga frika e dështimit dhe kuadri i dobët ligjor. "Autopsitë janë treguesi kryesor nëse kemi të bëjmë me gabim mjekësor, pakujdesi apo paaftësi", shprehen drejtuesit e QKCSA duke shtuar se në shumë raste duhet të jenë pikërisht mjekët ata, që për të përmirësuar vetveten, duhet të kërkojnë kryerjen e kësaj analize.
Abuzimi me kartelat
Kartelat mjekësore mbeten plaga më e madhe e shëndetësisë shqiptare. Ato në spitalet tona nuk kanë pikën e rregullit. Me këtë probleme përballen edhe drejtuesit e Urdhrit të Mjekut. Sipas tyre, kartelat mjekësore mund të mbulojnë çdo gjurmë të një gabimi mjekësor. Siç e pohojnë dhe vetë bluzat e bardha, secili prej tyre mund të manipulojë kartelën mjekësore të një pacienti, madje edhe të atyre që humbin jetën. Ky manipulim është i vlefshëm për sa kohë që viktima nuk i nënshtrohet autopsisë. Edhe ekspertët mjeko-ligjorë pohojnë se, unifikimi i kartelës mjekësore është tashmë një domosdoshmëri. Ato janë dokumentet juridike më të rëndësishme dhe përdoren edhe prej organeve të hetimit për të verifikuar fajësinë e bluzave të bardha në rast se kanë faj.