E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Zogaj: Të shqetësuar për referendumin në Slloveni

 

Shqipëria po ndjek me vëmendje ecurinë e mbledhjes së firmave për thirrjen e një referendumi që mund të mbahet në Slloveni për anëtarësimin e Kroacisë në NATO. Mbledhja e 40 mijë firmave deri në fund të muajit mars do të rrezikonte seriozisht edhe hyrjen e Shqipërisë në Aleancë. Kryetari i komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj tha dje në një prononcim për mediat se Tirana zyrtare është e shqetësuar për situatën në Lubjanë. “Ne jemi të shqetësuar. Po e ndjekim me njëfarë ankthi këtë zhvillim në Slloveni, për shkak se gjithë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka qenë një proces në kuadër të kartës së Adriatik 3; për shkak të mosmarrëveshjeve midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e Maqedonisë ky vend në njëfarë mënyre u shkëput nga grupi; tani ka ngelur Kroacia dhe Shqipëria dhe përsëri del një problem për Kroacinë” tha Zogaj. Por duke qenë që Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e të njëjtit protokoll, firma miratuese e Presidentit slloven Danilo Turk, është e ngrirë deri në 26 mars, kur mbaron afati i mbledhjes së firmave. “Të gjithë do të përdorin autoritetin e tyre, lidhjet, njohjet me qëllim që të kapërcehet ky moment” tha Zogaj. Duke komentuar deklaratën e Presidentit Topi sipas të cilit Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së brenda vitit 2012, deputeti demokrat tha se “Është diçka shumë optimiste sepse afatet e mëparshme nuk kanë qenë për këtë periudhë. Sigurisht që në vitin 2012 Shqipëria do të jetë gati për t’u pranuar me të drejta të plota. Pastaj vendimin e marrin vendet e BE, e merr Brukseli”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›