Kriza globale prek kromin shqiptar
“Ital-Krom Albania” po përgatitet të nisë procedurat e falimentimit
Kriza ka bllokuar eksportet e kromit, duke mos gjetur tregje
Parullat e vjetra të tipit “kromi çan bllokadën”, të cilat mund t’i dëgjoje nëpër shkallët e Ministrisë së Ekonomisë deri disa muaj më parë, ka kohë që janë shuar. Tani flitet vetëm për krizën. “Ital-krom Albania” është kompania e parë në Shqipëri që po përgatitet të nisë procedurat e falimentimit, pas disa përpjekjesh të ethshme për të gjetur një rrugë shpëtimi. Kreditorët e saj, duke filluar nga punëtorët, KESH-i, por edhe prodhuesit e vegjël të kromit, kanë përpara tyre muaj të vështirë. Gropa financiare e “Ital-Krom Albania”, e cila llogaritet në disa milionë euro nuk mund të mbushet më as me shpresat që dha një vit më parë pronari i “Ital-Krom Albania”, Mario Apollonia, i cili ndoshta ende shpresonte në kapërcimin e një situate, qysh atëherë të vështirë. Në tetor të vitit 2007, për fatin e të ardhmes së kësaj uzine në Burrel u paraqitën dy ide kryesore. Z. Apollonia mbështeti tezën që uzina të vazhdonte prodhimin në atë gjendje ku ndodhej dhe më pas të niste plani i investimit. Teza e “Albanian Chrome ACR” - që e menaxhon ndërmarrjen me një kontratë koncensionare, ishte që uzina të rikonstruktohej për të qenë e gatshme në 3-4 vitet e ardhshme për të hyrë në një cikël industrial konkurrues. Por kjo ide nuk u mor parasysh. Palët e interesuara në zgjidhjen e shpejtë të problemit zgjodhën rrugën e rifillimit të menjëhershëm të prodhimit, duke menduar se kështu i përgjigjeshin më mirë nevojave të banorëve vendas dhe punëtorëve. “Ital-Krom” punësoi menjëherë punëtorët, madje rriti me 25% fuqinë punëtore dhe rifilloi punën në tetor të vitit 2007.
“Albanian Chrome” ACR, nga ana e saj, gjatë këtij viti u impenjua për të gjeneruar investime për dy asete po aq të rëndësishme të industrisë së kromit në Shqipëri – minierën e Bulqizës dhe uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Dy furra u rikonstruktuan plotësisht në Elbasan dhe njëra prej tyre është në prodhim prej marsit të këtij viti. Ndërkaq në minierën e Bulqiës, veç investimit në makineri dhe sisteme, po përgatitet fillimi i investimit për pusin e ri, i cili sipas deklaratave të mëhershme të kompanisë, do t’ia zgjasë jetën minierës me të paktën 20-25 vite.
Por kriza tashmë është bërë e dukshme. Male me xeheror kromi pushojnë prej javësh në kalatat e portit të Durrësit dhe blerësit ndërkombëtarë të tij janë zhdukur. Shumë prej prodhuesve të vegjël të kromit janë në krizë likuiditetesh. Ndërprerja e prodhimit prej tyre është vetëm pjesa e dukshme e problemit. Dy muaj më parë, kur punëtorët e Ferrokromit në Burrel zgjodhën të dalin në rrugë, shpallën bashkë me krizën, edhe problemin real që tani do të duhet ta zgjidhë “Ital-Krom”.