E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni 2.2 miliardësh



Kryeministri italian ka nevojë t’u tregojë shtetasve të tij se synon t’i lehtësojë nga barra e faturës së energjisë elektrike, zëri kryesor në shpenzimet e familjes italiane, pas karburantit të makinës. Si dhe të bëhet (sikurse e meriton të jetë) promotor i investimeve të kapitalit italian përtej kufijve të vendit. Sot takon Berishën me propozime 2.2 miliardë euro, për të prodhuar në Shqipëri energji elektrike më të lirë për familjet italiane, krahas prodhimit për vetë Shqipërinë. Për këto propozime, sipas gazetës së mirënjohur “Financial Times” (Kohët financiare), qeveria jonë ka rënë dakord në parim. Bëhet fjalë për dy projekte të jashtëzakonshme. Njëra, për 1.16 miliard euro, cilëson një firmë ndërtimi italiane me emrin “Moncada”, e cila do të ndërtojë një park gjigant të prodhimit të energjisë elektrike nga era në Gadishullin Karaburun dhe një kabëll elektrik në ngushticën e Otrantos, për të kaluar pjesën më të madhe të 500 megavateve elektricitet të parkut nga Shqipëria në Italinë, që kërkon alternativa të reja furnizimi me energji. Parku i energjisë nga era do të jetë më i madhi në Evropë, me 250 turbina. Projekti tjetër, ai i kompanisë italiane “Falcione” me vlerë 1 miliard euro, do të ndërtojë një uzinë rigazifikimi në Fier, duke përdorur gazin e sjellë me tuba nga Afrika e Veriut dhe Katari, për ta kaluar pastaj sërish pjesën më të madhe në Itali. Përfitimi ynë është se me këto projekte, Shqipëria në më pak se tre-katër vite do t’i thotë lamtumirë krizave të energjisë elektrike. Të bën përshtypje që në këto nënshkrime nuk është përfshirë projekti tjetër gjigant i biseduar më parë, i centralit bërthamor. Me sa duket, të dy drejtuesit kanë rënë dakord të mos ngacmojnë ambientalistët nga të dyja anët e Adriatikut, por të sjellin projekte të energjisë së pastër (sikurse është ajo nga era). Nga ana tjetër, Berluskoni u tregon italianëve se ka gjetur një vend shumë të afërt me ta (Shqipërinë), ku në kushte të favorshme kompanitë italiane mund të prodhojnë energji elektrike të lirë dhe të sigurojnë një furnizim të përhershëm për ekonominë dhe qytetarët italianë. Sasia e energjisë, (në formën e energjisë elektrike dhe gazit të lëngshëm) që do t’i sigurohet kësisoj vendit tonë fqinj, do të jetë rreth 6 për qind e nevojave të Italisë për energji. Gjë që s’është pak, por një lehtësim i madh, në kushtet e krizës financiare globale dhe të shtrenjtimit të ndjeshëm të kostos së jetesës. Mirëpo, po sipas gazetës “Financial Times”, kompanitë italiane të përfshira në këto projekte po ankohen se rrezikohen të pësojnë vonesa të mëdha për investimet e tyre, për shkak të korrupsionit (që tani ka zyrtarë shqiptarë që u paskan kërkuar bakshishe për veten e tyre), të mungesës së transparencës në procedurat aprovuese të këtyre projekteve në Shqipëri, si dhe të problemeve me titujt e pronësisë së tokës tek ne. Kjo do të ishte e pafalshme, nëse rrezikohen të 2.2 miliardë eurot e kapitalit italian (ai mund të hapë edhe 3-4 mijë vende të reja pune) në këtë farë feje! Vetë Kryeministri duhet të vigjëlojë me gjithë energjitë e tij që këto kobe të mos ndodhin. Lypset ndoshta që të ngrihet një grup i posaçëm pune, duke përfshirë dhe kontrollorët më të aftë të Auditit të Brendshëm, për të mos lejuar abuzime me zbatueshmërinë e kontratave të investimit. Grupi le të jetë edhe i stërmadh, edhe disa dhjetëra specialistë shtetërorë, pse 2.2 miliardë eurot e justifikojnë më të tepërt këtë kujdes. Por në asnjë mënyrë firmat që do të hidhen sot nëpër kontrata nuk duhet të zbehen nga shkopinjtë që abuzuesit tanë shtetërorë janë aq mjeshtra për të vënë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të zbehet risku i marrë përsipër nga privatët italianë. Nga ana tjetër, opinioni ynë publik, i gjithë shtypi dhe mediat tona elektronike duhet të vigjëlojnë dhe kërkojnë informata edhe në shtetin fqinj, që projektet të ecin. Nuk duhet që gjithçka të përfundojë vetëm në një paradë takimesh dhe fjalish të bukura, pse bëhet fjalë për përfitime konkrete të shqiptarëve dhe ekonomisë së tyre. Sa me shpejt të afrojmë ditët e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, sa më shpejt të largojmë ditët e pritjes plot ankth që të bjerë shi nga qielli, aq më mirë do të ndërtojmë bazat e mirëqenies sonë. Berluskoni sot po na e jep këtë shans. Na takon të gjithë neve, jo vetëm qeverisë së Berishës, që shansin ta kapim me të dyja duart, duke i bërë yzmetin që meriton.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›